Pse Shqipëria po plaket kaq shpejt?!

Ndryshimet në lindshmëri dhe emigracion kanë ndikuar shumë strukturën moshore dhe gjinore të popullsisë. Pse Shqipëria po plaket kaq shpejt?!

Nga Gjergji Filipi (drejtor i Përgjithshëm i INSTAT)

Emira Galanxhi (drejtore e Statistikave Sociale)

Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera të Europës, ka përjetuar një tranzicion demografik të vonë, por intensiv (rënia e vazhdueshme e lindshmërisë dhe vdekshmërisë). Vdekshmëria filloi rënien e saj që nga vitet 1930, ndërsa lindshmëria qëndroi e lartë deri në vitet 1960. Prandaj vendi përjetoi një ndër normat më të larta të rritjes së popullsisë në Europën e pas luftës (mbi 2% në vit), duke sjellë një rritje të popullsisë nga 1,218 milionë në vitin 1950 në një maksimum prej 3,182 milionë në vitin 1989. Megjithatë, pavarësisht strukturës së re moshore, popullsia pësoi rënie deri në 3,069 milionë në vitin 2001 dhe më pas në 2,097 milionë në vitin 2011, çka korrespondon me një rënie vjetore respektivisht prej 0,3% dhe 0,8%. Emigrimi dhe normat e ulëta të lindshmërisë janë faktorët kryesorë të kësaj rënie.

Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizjeje është ulur në mënyrëprogresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Europës, edhe pse në rënie, ndërsa vdekshmëria pësoi një rënie të lehtë duke mbetur pothuaj në nivelet 16-17 mijë në vit; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara, karakteristike për një popullsi të mbyllur.

Ndryshimet në lindshmëri dhe emigracion kanë ndikuar shumë strukturën moshore dhe gjinore të popullsisë së Shqipërisë. Piramidat e popullsisë na japin një ide më të qartë për të kuptuar efektet e lindshmërisë në strukturën e popullsisë.

Dinamikat e strukturës së popullsisë mund të shihen qartazi në piramidat e 4 censuseve të fundit të popullsisë:

Para viteve ‘90, piramida e popullsisë i përkiste modelit të piramidës me bazë të gjerë që tregon përqindje të lartë të fëmijëve dhe grupmoshave të reja dhe një koeficient të lartë të rritjes së popullsisë.

Vitet ‘90 e ndryshuan në mënyrë të konsiderueshme këtë pamje. Rënia e lindshmërisë ka shkuar drejt niveleve të vendeve europiane, emigracioni vazhdon të jetë në shkallë të gjerë, dhe ka lënë gjurmë të forta në piramidën e moshës, migracioni i brendshëm e ka ndryshuar shumë ekuilibrin midis rajoneve të vendit.

Kjo sjellje është vënë re në pjesën më të madhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në dy dekadat e fundit, popullsia e Shqipërisë ka kaluar ndryshime të mëdha. Me rënien progresive të numrit të lindjeve, baza e piramidës është ngushtuar. Ngushtimet e tjera në mes të piramidës tregojnë për emigrimin e lartë të të rinjve.

 

Diferencat në bazën e piramidës tregojnë qartë se ka dy arsye për rënien e lindshmërisë:

1. Emigracioni ka kontribuar në reduktimin e popullsisë në risk, meqë ky fenomen ka prekur popullsinë në moshë riprodhuese.

2. Rënia e numrit të fëmijëve për grua tregon një sjellje të ndryshme të femrave. Kjo mund të shpjegohet nga disa faktorë socialë si: rritja e pjesëmarrjes së grave të reja në arsim, rritja e pjesëmarrjes së tyre në tregun e punës, planifikimi familjar, etj.

 

Mosha mediane

Një nga treguesit kryesorë të popullsisë, i cili shpjegon qartë ndryshimet e strukturës së popullsisë është edhe mosha mediane. Në grafikun e mëposhtëm është paraqitur mosha mediane, e cila nënkupton moshën që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta. Pra 50% e popullsisë është nën moshën mediane dhe 50% mbi këtë moshë.

Koeficientët e varësisë

Nëse duam të studiojmë ndryshimet e strukturës së popullsisë mund t’i shohim ato edhe nëse studiojmë koeficientët e varësisë. Për këtë popullsia ndahet në tre grupmosha të mëdha: 0-14 vjeç, 15-64 dhe mbi 65 vjeç. Koeficienti i përgjithshëm i varësisë tregon përqindjen që popullsia në moshë pune 15-64 vjeç ka në varësi pjesën tjetër të popullsisë jashtë moshës së punës (0-14 vjeç + 65 vjeç e lart).

Siç vihet re nga tabela, koeficienti i përgjithshëm i varësisë është zvogëluar nga 73,1% në vitin 1979 në 47,1% në vitin 2011, dhe ky ndryshim ka ardhur si pasojë e një përgjysmimi të raportit të varësisë së të rinjve, i cili llogaritet si raport i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë në moshë pune 15-64 vjeç. Më poshtë po paraqesim grafikun e koeficientëve të varësisë, ku vihet re qartë se raporti i varësisë së të rinjve ulet me ritme më të larta, ndërsa ai i të moshuarve (popullsia 65 vjeç e lart/popullsinë 15-64 vjeç) rritet më ngadalë.

 

Një nga faktorët kryesorë të ndryshimeve kaq të mëdha të këtyre raporteve është rënia e lindshmërisë. Më poshtë le të studiojmë më në detaje këtë komponent të popullsisë, si dhe impaktin e tij përgjatë këtyre viteve.

Lindshmëria

Për të analizuar lindshmërinë si burime kryesore përdoren jo vetëm rezultatet e censuseve të popullsisë, por edhe të dhënat administrative. Të dhënat administrative mbi lindjet, sipas grupmoshës së nënës, janë të disponueshme që nga viti 1955, duke na dhënë mundësinë e analizimit të lindshmërisë dhe të indikatorëve kryesorë të saj si koeficientët specifikë të lindshmërisë dhe indeksin sintetik të lindshmërisë (ISF).

Lindshmëria në Shqipëri ka kaluar ndryshime të mëdha. Në vitet 1940, tranzicioni i lindshmërisë në Europë kishte kohë që kishte filluar, ndërsa në Shqipëri, ISF ishte më e larta në kontinent, rreth 6 fëmijë për një grua. Gjatë viteve 1950, shihet një rritje e numrit mesatar të fëmijëve për grua, ndërkohë që në vendet e tjera europiane rënia e lindshmërisë vazhdonte. Gjatë viteve 1960, ISF arriti maksimumin e vet me rreth 7 fëmijë për grua. Pas viteve 1970, ISF filloi rënien e shpejtë, nga 5.2 në vitet 1970 në 3.6 në 1980 dhe në 3 në fillim të viteve 1990. Megjithëse lindshmëria në Shqipëri pësoi rënie të shpejtë gjatë periudhës 1960-1990, ajo vazhdonte të ishte më e larta në Europë.

 

Pjesa më e madhe e tranzicionit të lindshmërisë ndodhi gjatë viteve 1960 – 1990. Metodat moderne të kontracepsionit nuk ishin të disponueshme dhe aborti lejohej vetëm për arsye mjekësore. Meqenëse metodat moderne të kontracepsionit nuk njiheshin, tranzicioni i lindshmërisë erdhi si rezultat vetëm i përdorimit të metodave tradicionale. Emancipimi i grave çoi drejt edukimit universal të tyre dhe një rritje të pjesëmarrjes së grave në prodhimin agrar dhe industrial. Të dy këta faktorë janë ngushtësisht të lidhur me rënien e lindshmërisë. Që nga viti 1990, lindshmëria ka vazhduar rënien e saj. Ky indikator ishte 3 fëmijë për grua në 1989, 2.3 në vitin 2001 dhe në 2013 u llogarit 1.76 fëmijë për një grua.

Lindshmëria në kontekstin europian

Është shumë e rëndësishme të kuptohet situata e lindshmërisë së Shqipërisë në kontekstin europian. Këtë na e mundësojnë të dhënat e marra nga databaza statistikore e Eurostatit. ISF e Shqipërisë në vitin 2012 është rreth 1.72 fëmijë për grua. Grafiku i mëposhtëm na tregon se Shqipëria nuk është më vendi me lindshmërinë më të lartë në Europë. Për më tepër gjatë viteve të fundit, nuk ka qenë më as ndër dhjetë vendet me lindshmërinë më të lartë në kontinent.

 

Vetëm 4 vende kanë nivel lindshmërie më të lartë se 2 fëmijë për një grua dhe ato janë Turqia, Irlanda, Islanda dhe Franca. Shqipëria ka nivel më të ulët lindshmërie edhe se disa vende të Europës Perëndimore si, Belgjika, Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar dhe se disa nga vendet e Europës Veriore si, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia.

Trendet e lindshmërisë në të ardhmen

Duke ju referuar projeksioneve të popullsisë së Shqipërisë, bazuar në Censusin 2011, trendet e ardhshme të lindshmërisë sipas variantit të mesëm dhe atij të ulët, do të vazhdojnë rënien. Kjo evidentohet edhe nga analiza e të dhënave aktuale të lindshmërisë kur shohim numrin e lindjeve të seksit femër për grua. Aktualisht ky indikator është 0.8 lindje femra për grua. Kjo do të thotë se femrat në Shqipëri nuk arrijnë ta zëvendësojnë veten me afërsisht 20%. Bazuar në hipotezën mesatare të projeksioneve të popullsisë për lindshmërinë (ISF), ajo pritet të jetë 1.61 fëmijë për grua në 2021 dhe 1.5 fëmijë për grua në vitin 2031./Monitor

 

SHKARKO APP