Pse sulmojnë të njëjtët ministra?

 

Nga Skënder Minxhozi/

Tahiri, Gjiknuri, Beqaj. Tre ministrat më të shigjetuar të Ramës. Nga opozita, por mesa duket edhe nga aleati kryesor i socialistëve, LSI. Ngjashmëria në sulme, momenti kur ato hidhen për konsum, fjalët që përhapen dhe humoret negative që mbillen me kujdes në opinionin publik, janë në një sinkron përherë e më të dukshëm mes demokratëve dhe njërit prej komponentëve të qeverisë. Nuk ka ditë të javës (shpesh edhe të fundjavës), që të mos hapet dhe mbyllet me një konferencë shtypi, deklaratë publike, sulm mediatik, për njërin nga të tre anëtarët e mësipërm të kabinetit. Ose për të tre njëherësh.

Nëse për opozitën, akuzat ndaj qeverisë janë natyrshëm “buka e përditshme”, për LSI kjo gjueti prej snajperash brenda koalicionit duket e pakuptueshme nga jashtë, nëse nuk i hyn paksa më thellë ngjarjeve të javëve të fundit, që kanë tronditur qetësinë brenda maxhorancës. Ndërkohë që PD ka qenë e drejtpërdrejtë në sulmet e saj, LSI ka vepruar më shumë përmes presionit mbi Ramën dhe PS, për ndryshimet në qeveri. Të cilat, siç thuhet nga shumë anë sot, i shohin tre ministrat e mësipërm në krye të listës së Metës. Tahiri, një objektiv i vjetër i LSI, qysh në hapat e parë të qeverisjes, e më pas edhe Beqaj e Gjiknuri, largimi i të cilëve thuhet se është kërkuar zyrtarisht në tryezën e Ramës.

Përtej asaj që kanë bërë mirë apo keq tre ministrat në fjalë në dy vjet pune të tyre, duket se mbivendosja e sulmeve mes një pjese të pozitës nga njëra anë dhe opozitës nga ana tjetër, është një koordinim në distancë, që motivohet nga interesat e veçanta të secilës palë. Opozita, e cila kërkon të godasë ministrin përgjegjës për rendin, një sektor ku e majta pretendon se ka bërë shumë në dy vjet, por edhe shëndetësinë, ku Rama ka bërë një premtim i cili ende tingëllon si një herezi e vogël elektorale – shëndetësinë falas. Ndërkohë që Gjiknuri duket i preferuar për shkak të interesave të mëdha që janë luajtur në energjitikë në të shkuarën, por edhe sot.

Nga ana e saj LSI ka një lexim të ndryshëm të përgjegjësive të këtyre ministrave. Tahiri, një anëtar kabineti që ka në dorë shumëçka, në një sektor që kontrollon situatën në kohë “paqeje”, por edhe në kohë zgjedhjesh, Beqaj (e sipër tij Rama), një menaxher i një institucioni ku luajnë fort dhe ashpër lobet farmaceutike, të cilat diktojnë edhe humoret ndaj njërit ose tjetrit ministër, si dhe Gjiknuri, i cili me shumë gjasë shihet si njeriu i “dosjes DIA”.

Megjithëse Shqipëria nuk ka sot një bujqësi normale (kamionat me fruta në dyert e Kuvendit na e kujtuan edhe dje këtë realitet), megjithëse në këtë vend punët publike janë një sektor thellësisht flegmatik dhe pasiv, sërish emrat më të lakuar janë të ministrit të brendshëm, të atij të energjitikës dhe të ministrit të shëndetësisë. Kjo përzgjedhje mjafton për të kuptuar se lufta brenda maxhorancës motivohet nga disa shkaqe që shpesh janë larg arsyeve formale që jepen.

Në dy vjet kjo qeveri ka lënë pas një vazhdë të pashmangshme kusuresh, gabimesh e pse jo, edhe fajesh. Tre ministrat e mësipërm nuk bëjnë ndonjë përjashtim nga ky proces. Rezervat ndaj sektorëve që ata drejtojnë janë gjëja më e natyrshme e kësaj bote. Por mbivendosja e sulmeve mbi të njëjtët emra nga të dyja anët e llogores politike shqiptare, është një fenomen që e vendos sot PD dhe LSI të pazakontë dhe jonormale. Ashtu siç e përshkroi një nga tre të goditurit, Damian Gjiknuri, kur foli për foli për helmet e bashkëqeverisjes së shkaur që vazhdojnë të jenë aktive dhe sot. (Javanews.al)

SHKARKO APP