Pse trokasin tek Berisha diplomatët perëndimorë?

 

Nga Mero Baze

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryesuesi i misionit OPDATE, mision i ndihmës ligjore të SHBA-së në Shqipëri kanë takuar sot ish-kryeministrin Berisha, në përpjekje për të ndalur kundërshtimin e tij për Reformën në Drejtësi. Takimi, i cili ka një rëndësi vendimtare për reformën është kryer në zyrën e Sali Berishës, i cili deri tani është kundërshtari më i fortë publik i kësaj reforme.

Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi fuqinë politike të Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike në pushtet, por dhe i raporteve të tij reale me Sali Berishën.

Reforma në Drejtësi e nisur një vit më parë, është një proces që po udhëhiqet tërësisht nga misioni Euralius, mision ligjor i BE-së në Tiranë si dhe programi OPDATE i SHBA-së. Komisioni i nivelit të lartë të ekspertëve bashkëdrejtohet nga dy përfaqësuesit e këtij misioni dhe propozimet e çdo grupi pune janë pjesë e rekomandimeve të tyre. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja janë angazhuar zyrtarisht në këtë reformë dhe kërkojnë prej parlamentit shqiptar të shërbejë vetëm si mekanizëm votimi për reformën nën garancitë e tyre. Partia Socialiste ka dhënë konsesusin e saj për projektin që do të miratohet nga Komisioni i Venecias ku dhe është nisur drafti, ndërsa Partia Demokratike që mori pjesë me vonesë në këtë proces e ka kundërshtuar atë hapur përmes Presidentit Nishani dhe Sali Berishës. Lulzim Basha nuk ka folur zyrtarisht, por diplomatët perëndimor thonë se ai u ka premtuar mbështetje, por ka shprehur hezitimin e tij për qëndrimin e Sali Berishës.

Është pikërisht kjo arsyeja, që fare papritur qendra e rëndesës e opozitës edhe formalisht u rikthye aty ku është realisht, tek Sali Berisha. Diplomatët perëndimorë po trokasin në zyrën e tij, pasi ai është kyçi i zgjidhjes së problemit të votave në parlament, pasi do të duhen mbi 94 vota. Lulzim Basha ka hequr dorë dhe formalisht nga mbajtja e pozicionit të shefit të opozitës, duke deleguar tek Berisha vendimarrjen për këtë reformë të rëndësishme.

Një arsye për këtë është mes të tjerash bindja që ekziston se shumica mund të sigurojë disa vota individuale të disa deputetëve të pakënaqur të PD-së dhe aleatëve të saj duke e defaktorizuar tërësisht PD-në zyrtare. Sinjalet më të qarta për këtë brenda PD-së i kanë dhënë debatet e fundit në PD dhe fakti që Basha po angazhon disa krerë lokal të sulmojnë disa ish-ministra dhe deputetë të PD-së, të cilët nuk janë në panelet e ardhshme politike të Bashës dhe Berishës.

Frika nga defaktorizimi dhe humbja e kontrollit mbi grupin parlamentar të PD-së, si dhe raportet e ftohta me Berishën për shkak të raporteve jotransaprente që Basha ka me diplomatët perëndimor në raport me Berishën, e kanë detyruar Bashën ta lërë në dorë të Berishës vendimarrjen për këtë reformë.

Një arsye tjetër madhore ka të bëjë me paranojën se reforma po bëhet për të goditur Berishën dhe për ta nxjerrë atë dhe familjen e tij para drejtësisë. Edhe pse kjo s’ka të bëj fare me reformën, Basha është treguar i kudjesshëm për t’ia hequr Berishës paranojën se ai po komploton pas krahëve të tij. Për këtë këtë çështje, siç u duk në disa raste në aferën e ÇEZ.

Tentimi për ta faktorizuar Berishën si vendimarrësin kryesor të opozitës dhe personin kyç që mund të vendosë për Reformën në Drejtësi, është një zhvillim real pasi tregon se kush i merr vendimet në opozitë dhe përse nuk ia dalin dot të duken të reformuar drejtuesit formal të opozitës, të cilët nuk marrin dot asnjë vendim pa Berishën.

Nga pikëpamja formale, Berisha është një deputet i thjeshtë i opozitës dhe nuk ka pse të shkohet në zyrën e tij për të marrë ose jo votën e opozitës për reformën. Por siç ndodh rëndom në anët tona, "qoshja" është aty ku është pashai, pavarësisht kush mban formalisht "qoshen" në shtëpi. Basha ka vetëm karrigen formale të opozitës, ndërsa tani dhe diplomatët perëndimorë, vendimet i konsultojnë me Berishën. Kjo nuk ka shumë rëndësi për shoqërinë shqiptare pasi ata janë të qartë se Berishën e kanë nxjerrë në opozitë, por ka rëndësi për atë pjesë të popullit opozitar, që ndonjëherë gënjen veten dhe mendon se Berishën e kanë larguar nga kryesimi i partisë.

Fakti që dhe diplomatët perëndimorë, ashtu si shumica e medias dhe politikanëve në Shqipëri konsiderojnë Berishën kryetar real të PD-së, tregon se Berisha ka ende fuqi të vendosë në emër të PD-së dhe të diktojë grupin parlamentar të saj. Për më tepër është konstatuar se sulmet e Presidentit Nishani ndaj Reformës në Drejtësi kanë qenë të egra, madje nga më ekstremet, por diplomatët perëndimor sërish shkuan tek Berisha, të qartë se dhe Nishanin e ka përfshirë ai në këtë luftë.

Tani nuk është e sigurtë se perëndimorët do marrin votat e PD-së meqë takuan Berishën, por nuk do t’i bien më në qafë Bashës dhe Nishanit për mungesën e mbështetjes. Thjeshtë kanë punë me një njeri dhe e kanë kuptuar që kanë humbur mbi një vit kohë duke u marrë me të emëruarit e tij. Tani dhe nëse nuk i marrin votat e dinë nga kush e kanë.

TEMA

SHKARKO APP