Pushtimi i memories shqiptare
Thonë se kjo dëshirë është më shumë e theksuar te çikat shqiptare në qytetet si: Tetova, Gostivari, Kërçova, Kumanova dhe Shkupi. Dëshira e tyre e madhe është skuqja e çarçafit e ndjekja e traditës. Me gjasë kështu përligjet thënia e një mendimtari botëror se dëshirat tona, nuk janë të vetes sonë, ato janë dëshirat e tjetrit. Vetëm kësisoj mund të shpjegohen dëshirat, që veçanërisht te shqiptarët, kurrë nuk qenë të shqiptarëve. Ato mbetën gjithnjë: të tjetrit!
Edhe kur kryeministri i shkuar i Shqipërisë festonte vitin e 68-të të lindjes, pati thënë se ajo që i kërkoi zanës së ditëlindjes qenë dy dëshira: dy gjysma të tjera të viteve dhe dy gjysma të tjera të mandateve. Këto ishin dëshirat e tij, por për të tjerët, në shërbim të popullit dhe dëshirave që popullit i mungojnë. Ai që e pasoi tha se “Sot ne si popull, jemi të imponuar të jetojmë në një Shqipëri të gënjeshtërt”, duke dashur t’i bindë të vetët se nuk donte t’u ofrojë një menu dëshirash për t’u marrë votën, por një plan për t’u ndryshuar jetën”. Shqiptarët e moçëm dikur të vetmen dëshirë kishin t’i shohin të gjallë evladët, të ikur nizamë në ushtritë e perandorëve osmanë, të ikur kurbetqar tokave të huaja e të ikur hyzmeqarë. Dëshirë për të parë të gjallë të vetët, sepse koha nuk jepte asnjë zgjidhje tjetër. Po kaq të varfër qemë e po kaq të varfër mbetëm.
Kush ka përjetuar sundimin osman e ka ndjerë detyrimin ta kujtojë e ta mbajë mend këtë dhe të mos e harrojë ta përsërisë mekanikisht, derisa t’ia manipulojë tërësisht kujtesën. Nga një kurorë në tjetrën e nga një zotëri sundimtar në tjetrin. Ata që e kanë përjetuar komunizmin në Shqipëri dhe ata që e kanë përjetuar versionin e tij jugosllav në Kosovë e në Maqedoni, e kuptojnë mirë se çka do të thotë fiksimi lehtë dhe shpejt i gjërave në kujtesë nëpërmjet imazheve, fjalëve e mjeteve të tjera propagandistike që djegin të kaluarën dhe mbushin kujtesën e re të njerëzve. Liderët sot përdorin një tjetër lojë psikike, me tjetër diskurs, tjetër oratori dhe tjetër filozofi. Narrativen e dikurshme të pushtimit e të luftës për liri në memorien e popullit në Kosovë, palët e liderëve këndej, e kanë shndërruar dhe kanë kultivuar memorien e re duke ruajtur sallë imazhet e veta dhe versionet individuale të ndërtimit të historisë. Udhëheqësit e shteti të ri një nga një kanë krijuar narrativen e tyre të çlirimit dhe ndërtimit të demokracisë, pa çka se rrëfimet e tyre ndryshojnë shumë.
Në lojë fjalësh e kemi përjetuar e ndjekur konfliktin prej mendje liderësh, që sa herë e thanë e e përsëritën “Kosovën e bëra unë, të tjerat bëjini vetë!”. Në ndarjen kategorike ndërmjet pushteteve “Unë” dhe “Ju”, autorët o pseudoautorët e historisë politike e kanë ndarë historinë njerëzore. Siç bënin dikur perandorët e siç bënin liderët komunistë, siç bëjnë dhe liderët e sotëm, për hir të pushtetit të të gjithëve, në mendjet e shqiptarëve është kryer vazhdimisht ndërhyrja në kujtesë, në mënyrë që ajo të punojë në një drejtim të caktuar.
Imazhet e politikës së sotme i dimë përmendësh, fjalët kyçe të saj po ashtu i kemi mësuar përmendësh, edhe lojën, edhe dëshirat, edhe nervat dhe subjektivitetin total në udhëheqësi e në historinë e bërjes politikë në demokraci.
Në vlerën e një paraje ngjyrë vjollce mbesin akoma dëshirat e zonave të thella të jetesës së vajzave shqiptare, por edhe të zonave urbane. Një dëshirë që flet për një popull i cili akoma ka telashe të mëdha me psiken e vet. Edhe dëshira e shqiptarëve që me dajre të presin kryeministrin shqiptar në Luginë dhe gëzimi e ushqimi i madh që u dha fjalimi i tij përplot figura fjalësh, shqiptarëve këndej e përtej kufirit, flet për mungesën e dëshirave individuale dhe shpresën për plotësimin e një dëshire kombëtare.
Paqja e munguar për dekada dhe mentaliteti i mbetur për gjatë kohë në terr, ka krijuar vetvetiu hapësirën e manovrimit me kujtesën shqiptare. Mbushja e zbrazëtive tona për identitet, lashtësi e kombësi, del të jetë e ngushllueshme me vetëm pak patriotizëm, qoftë me një dron, e qoftë me një fjalim në Beograd, në Tiranë e në Prishtinë. Thoshin se një perandor mund të përkulet të marrë panelin e piktorit, por jo demokracinë. Ai s’përkulet veçse për të hedhur baltë dhe për ta bërë këtë s’i duhet shumë sepse është shumë afër baltës.
*Zëri