Putini si Millosheviçi, modeli i Sllavonisë Lindore për Ukrainën
Nga Karl Bildt
Drama aktuale greke e ka pushtuar plotësisht vëmendjen e Europës dhe botës, por kriza e madhe në Lindje të Europës gjithsesi nuk po qetësohet. Ukraina vazhdon të jetë ende nën pushtimin e pjesshëm të separatistëve të cilët gëzojnë mbështetjen e Rusisë, dhe për këtë vazhdojnë konfliktet edhe përkundër Marrëveshjes Minsk II për ndërprerjen e zjarrit.
Meqenëse që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Minskut në muajin shkurt kanë ndodhur konflikte në rajonin ukrainas Donbas, një gjë u bë e qartë: Nëse Rusia është serioze në lidhje me kërkimin e një zgjidhjeje për konfliktin, duhet të jetë e gatshme që të mbështesë shpërndarjen e pjesëtarëve të misioneve dhe forcave paqësore ndërkombëtare. Një mision i tillë do të mund të fillonte procesin e rehabilitimit të rajonit, do të bënte të mundur kthimin e atyre që janë larguar për shkak të dhunës dhe do të mund të lehtësonte integrimin e Donbasit në Ukrainë me masat përkatëse të mbrojtjes dhe të kompetencave.
Modeli i përdorur për këtë qëndrim është tashmë i njohur. Para njëzet vitesh, bashkësia ndërkombëtare pati hyrë në fazën e përpjekjeve për të siguruar paqen në Bosnjë. Por konflikti u përhap edhe në Kroaci, në mënyrë të veçantë në Sllavoninë Lindore, e cila është në afërsi të Serbisë.
Me ofensivat e saj ushtarake, Kroacia, në fillim të muajit maj të vitit 1995, dhe më vonë në fillim të muajit gusht të po atij viti, ktheu prapa tre nga katër sektorët që mbronin OKB-në nga separatistët serbë. Por zona më me rëndësi: Sektori Lindor në Sllavoninë Lindore, pati mbetur nën kontrollin e fortë të serbëve. Pak a shumë njëlloj me presidentin rus Vladimir Putin sot kur bëhet fjalë për çështjen ukrainase, edhe presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviçi, pohonte se ajo çështje mund të zgjidhej nëpërmjet bisedimeve direkte të separatistëve serbë me qeverinë kroate në Zagreb. Realiteti ishte se separatistët serbë vareshin plotësisht nga mbështetja politike, ekonomike dhe ushtarake e Serbisë së Millosheviçit. Por Millosheviçi në fund pati pranuar shpërndarjen e pjesëtarëve të misioneve dhe forcave të OKB-së, detyra e të cilave ishte sigurimi i demilitarizimit të rajonit dhe kthimi i tij nën sovranitetin kroat, pas marrjes së masave mbrojtëse për serbët që jetonin atje.
Misioni UNTAES (Administrata Kalimtare e OKB-së për Sllavoninë Lindore, Baranjën dhe Sremin Perëndimor) sot, si të thuash, është harruar, dhe kjo jo sepse dështoi, por sepse ishte i suksesshëm. Për hir të së vërtetës, nuk u zgjidhën që të gjitha çështjet në Sllavoninë Lindore, as atëbotë dhe as në vitet në vazhdim; por ama nuk ka më konflikte, ndërsa Kroacia dhe Serbia tani kanë marrëdhënie konstruktive me njëra-tjetrën. Kjo do të mund të shërbente si model për territorin e Donbasit, i cili për momentin është nën kontrollin e separatistëve, nëse funksionon vullneti politik i atjeshëm për ta bërë një gjë të tillë. Por, a është serioz Kremlini në lidhje me atë që të njohë sovranitetin e Ukrainës në Donbas dhe të normalizojë marrëdhëniet me Perëndimin?
Për momentin dyshoj seriozisht në një gjë të tillë. Duhet patur në mendje se Rusia ka nisur çdo hap drejt përshkallëzimit në këtë konflikt, përfshirë këtu edhe formimin e enklavave separatiste. Sepse Kremlini mezi pret që qeveria e Kryeministrit ukrainas, Peter Poroshenko të bjerë, ndërsa Perëndimi të ndahet në lidhje me këtë çështje dhe të pushojë së interesuari për të. Ndoshta në këtë fazë Putini do të jetë i gatshëm të ndërmarrë një iniciativë kundër Ukrainës, në mënyrë që të sigurojë një drejtim të ngjarjeve, të cilin ai e dëshiron.
Por, nëse qeveria ukrainase dhe Perëndimi mbeten të bashkuar, Kremlini ndoshta do ta kuptojë se enklavat e tij në Donbas përfaqësojnë kërcënim edhe për vetë Rusinë. Në fund të fundit, realiteti i mjegullt është se këto enklava separatiste janë në rënie të vazhdueshme ekonomike, gjë e cila bën që shoqëritë e tyre të bëhen gjithnjë e më të kriminalizuara. Ekziston rreziku që Donbasi të bëhet një problem i patjetërsueshëm për cilindo që do të marrë përgjegjësinë për ta drejtuar atë. Meqenëse kjo po bëhet përditë e më e qartë, liderët rusë do të mund të nisin një zgjidhje të tipit UNATES-i në rajon. Në mungesë të ndonjë angazhimi tjetër Kremlini do të bëjë pikërisht këtë. Doktrina e ish-Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Kolin Pauell- nëse e thyen e zotëron- ka të bëjë edhe me ndërhyrjen e Putinit në Ukrainë po aq sa edhe makthi i Xhorxh Bushit për Irakun.
Sigurisht që ka shumë çështje të vështira me të cilat duhet përballur para se një mision paqësor do të jetë në gjendje të hyjë në Donbas, në mënyrë të veçantë këto çështje që kanë të bëjnë me kompozimin dhe mandatin formal të cilatdo qofshin forcat që do të shpërndahen në rajon. Por përsëri them, nëse ka vullnet, këto çështje nuk do të duhet të jenë të pazgjidhshme.
Një mision i tillë do të bëjë të mundur edhe zbatimin e vërtetë të neneve politike të Marrëveshjes së Minskut II. Për këtë, zgjedhje të lira dhe të ndershme me pjesëmarrjen e të gjithë njerëzve të shpërngulur nga ajo zonë kurrë nuk kanë për të qenë të mundura pa praninë e fuqishme ndërkombëtare.
Sot kjo ide me siguri që ka pak shanse për sukses. Po kështu ishte puna edhe me UNATES-in në fillim të bisedimeve për Sllavoninë Lindore. Regjimi i Millosheviçit atëbotë tingëllonte njëlloj si edhe Kremlini tani. Por nesër është një ditë e re dhe me siguri që nuk do të jetë tejet herët që të fillohet me kërkimin e opsioneve, të cilat nuk ofrojnë garanci vetëm për ndërprerjen e konfliktit, por edhe për zgjidhjen e tij. Kjo ndërhyrje do të mund të jepte rezultate vetëm atëherë kur të dyja palët do ta dëshirojnë sinqerisht një zgjidhje. Deri në këtë pikë nuk kemi arritur akoma. Por, nëse Ukraina dhe Perëndimi do të mbeten të palëkundur dhe do të nxitin iniciativa për bllokimin e mëtejshëm të përpjekjeve ruse për destabilizim, atëherë kjo ditë do të vijë. Duhet të jemi të gatshëm.
*Përktheu Xhelal Fejza. Ekskluzive për gazetën “Danas” Beograd. Karl Bildt, ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë.