Pyetjet për Merkelin fusin në sherr Andi Bushatin me Andi Bejtjen

 

Pyetjet e bëra nga gazetarët shqiptarë në konferencën e kryeministrit Edi Rama me kancelaren Merkel janë bërë shkak i një debati mes dy gazetarëve të njohur Andi Bushati dhe Andi Bejtja. Pyetjen e gazetares së TV Klan, se cili ishte lideri i rajonit, Rama apo kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, portali i njohur i lajmeve Lapsi.al e ka krahasuar me pyetjet që gazetari Andi Bejtja i drejtoi Presidentit amerikan Xhorxh Bush në vitin 2007, para vizitës së tij në Shqipëri. Ky krahasim ka sjellë dhe reagimin e gazetarit Bejtja. Në një shkrim, Bejtja replikon ashpër me kolegun Bushati duke ja atribuar atij autorësinë e shkrimit tek Lapsi.al.

 

Lajmi i Lapsi.al

“Konferenca e Merkel/ TV Klan kërkon të shpallë Ramën lider ballkanik”

Nëse “Top Channel” ka përsëritur një pyetje të parapërgatitur, TV Klan e ka fituar garën për t'i bërë qejfin kryeministrit. Gazetarja e tij, Eljamonda Zotka, ka arritur kulmin duke e pyetur kancelaren Merkel se nëse çdo grupim e ka një lider të pashpallur dhe ajo është liderja reale e Europës, kush mendon se është lideri i Ballkanit mes dy të preferuarve të saj rajonalë, Edi Rama apo Aleksandër Vuçiç.

Ende pa përfunduar pyetja, Merkel reagoi duke bërtitur "Nain, Nain", ndërsa Rama qeshi me të madhe sikur nuk e pëlqente një pyetje që sipas të gjitha gjasave e kish kërkuar vetë. Kjo është hera e dytë që TV Klan kërkon një lider ballkanik, pas një qëndrimi historik të ish drejtorit Andi Bejtja që e shpalli ish kryeministrin Berisha si një lider që i duhet Ballkanit.

 

Reagimi i Andi Bejtja

“Thyeje lapsin, unë po e fus stilografin në këllëf”

Nga Andi Bejtja

Të nderuar drejtues të Lapsit, që me sa di jeni dy, po mund të jeni dhe më shumë….

Në 2 paragrafët e një publikimi me titull “TV KLAN, KËRKON TË SHPALLË RAMËN LIDER BALLKANIK”, duke ironizuar pyetjen e gazetares së Klan, bërë sot kancelares Merkel, se cili ishte për të lideri Ballkanit, (duke pritur sipas Lapsit, që Merkel të thoshte Rama), është përfshirë dhe emri im, sikur kam bërë të njëjtën gjë në favor të Sali Berishës, disa vite më parë. Unë nuk para bëj sqarime, por duke qenë se shumë njerëz në rrjetet sociale, që mund të jenë dhe të rinj, që mund të jenë dhe pa kujtesë dhe ndoshta dhe keqdashës, duke marrë shkas nga lajthitjet e Lapsit, po shkruajnë sikur unë gjatë intervistës që pata në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Amerikës i paskam bërë një pyetje të ngjashme, si Elja sot për Ramën: Pra e paskam pyetur Presidentin e Amerikës se cili mendoni ju se është lideri numër një i Ballkanit, duke ëndërruar që të thoshte Sali Berisha. Duke qenë se ruaj kujtime të bukura nga ajo ditë dhe nga pastërtia dhe rëndësia e asaj interviste, që dha lajmet më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen: për të sqaruar këta njerëz, por edhe lexuesit e Lapsit, jam i detyruar, të pohoj, atë që të gjithë e dinë, madje dhe shkruesi i atyre radhëve Andi Bushati, se nuk i kam bëre asnjë pyetje, asnjë pyetje të tillë të ngjashme, asnjë lideri, në asnjë kohë dhe për më tepër nën ndonjë sigël televizioni. Nëqoftëse, drejtuesi i atyre radhëve, miku im, xhaxhai i moralit të pastër, Andi Bushati e ka parë diku, e ka, e ftoj ta botoj krahas pyetjes që bëri sot gazetarja e Klan. Unë thjesht kam botuar një editorial disa vite më parë, ku thoja që ish kryeministri Sali Berisha, ishte një lider që mund të ndihmonte dhe duhej ato momente për stabilitetin e Ballkanit, si një nga liderat e rajonit, parë nga këndvështrimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, por jo që Berisha na qenka njëshi Ballkanit.

E ftoj mikun tim Bushati, madje ta ribotoj këtë shkrim argumenteve të së cilit u qëndroj edhe sot. Për më tepër, vetë miku im i ngushtë Andi Bushati e di shume mirë që mua kur më mbushet mendja nuk kam nevojë të pyes as Merkelin, as Bushin. Por mikun tim Bushati, siç shprehet miku jonë i përbashkët Fatos Lubonja, duke mos patur mendime gjenuine, jo vetëm ka nevojë ta takojë Mero Bazen një herë ne tre ditë, madje dhe Arban Hasanin, po para se të nxjerrë një lajm, ka prodhuar ndërkohë vaksinën e balancës fiktive. Ndaj, me të drejtë dhe te Federata e Futbollit, miq të atit të vet, të nderuarit Mehdi Bushati e quajnë gazetari gol­gol. Edhe sot duke kërkuar balancën fiktive, por gjithmonë, duke dashur dhe të tallet e të denigrojë, miku im Bushati, e gjeti balancën e gazetares së Klanit, te një gjë e imja e paqenë.

I dashur Bushat, nëqoftëse mendon që kredibiliteti dhe dinjiteti i nje gazetari vendoset nga këto balanca fiktive, apo nga këto kunjash sokaku, e ke gabim. Ato që vendosin për ty janë mendimet e tua. Po nëqoftëse sot të duhet ti gjesh patjetër një balancë fiktive pyetjes së gazetares së Klanit, ke vetëm një: kur e pyesje gjyshin apo gjyshen kush është lideri i botës Enver Hoxha apo Fidel Kastro. Kështu që vëllai im, thyeje lapsin, mbaj vetëm pjesën ku është goma, unë po e fus stilografin në këllëf.

Të Fala Bejtja

 

SHKARKO APP