Pyjet qeverisen pa ligj

Pas viteve 1990  u miratuan një sërë aktesh ligjore, ku veçojmë Ligjin Nr.7623, datë 13.10.1992 “Për pyjet dhe policinë e shërbimit pyjor” që njohu  njohu tre format e pronësisë, komunale, shtetërore dhe private, Ligjin Nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, i cili përcakton regjimin juridik të llojeve të pronave të paluajtshme të shtetit dhe përgjegjësitë për administrimin e tyre dhe Ligjin Nr. 8744, dt.22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në Njësitë e Qeverisjes Vendore”.  Aktualisht pyjet qeverisen pa ligj në Shqipëri. Ka më shumë se dy vjet që Banka Botërore ka miratuar konsulencë ndërkombëtare për të hartuar ligjin e ri të Pyjeve dhe akoma draftet e hartuara nga konsulentët nuk dihet ku qëndrojnë?! Në Shqipëri janë evidentuar rreth një milionë e dyqind mijë  përdorues të pyjeve e kullotave të interesuar të gjejnë forma të reja të menaxhimit për të siguruar produkte të vazhdueshme të pyllit për nevojat e vazhdueshme të njerëzve, por gjithmonë duke e përdorur pyllin në mënyrë të qëndrueshme. Në Shqipëri, mohimi i të drejtës së  pronësisë, përdorimi spontan dhe varfëria janë ndër shkaqet kryesore që pyjet ende vazhdojnë të dëmtohen pafundësisht.  Situata në Shqipëri ndryshon nga ajo e disa vendeve Ballkanike, në të cilat pronësia mbi pyjet është private në një përqindje të lartë. Aktualisht në Shqipëri rreth 44.5% e sipërfaqes së pyjeve dhe kullotave (rreth 750 mijë ha) janë transferuar në pronësi të njësive të qeverisjes vendore.

NjQV si pronare të ligjshme, janë në proces të regjistrimit të pyjeve komunalë në kadastër (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme). Procesi vazhdon duke ia dhënë pyjet dhe kullotat përdoruesve (individë, familje apo fshat). Përdoruesit e pyjeve komunale janë në proces të identifikimit dhe dokumentimit, i cili në disa komuna ka filluar me dhënien tek përdoruesit.

Nëpërmjet dy projekteve të mbështetur nga donatorë të huaj janë hartuar 240 plane menaxhime me pjesëmarrje nga kompani  private. Në bazë të këtyre planeve hartohen planet operiacionale, të cilat mundësojnë dhe aktivitete përmirësimesh dhe prodhimesh për nevojat e banorëve kundrejt një page që është deri 500 lekë për drutë e zjarrit dhe tarifa fikse për prodhimet pyjore jodrusore. Planet operiacionale hartohen nga komunat dhe Shoqatat e Përdoruesve në bashkëpunim me shërbimin këshillimor shtetëror që është DSHP. Federatat rajonale të përdoruesve të pyjeve kontribuojnë në organizimin e trajnimeve dhe dhënien e këshillave për përdoruesit e pyjeve përveç rolit përfaqësues të tyre. Aktualisht janë shumë prodhime pyjore drusore (lëndë e dru zjarri), grumbullimi i prodhimeve të dyta pyjore, gjuetia, kullotja aktivitete që duhen rregulluar me ligj. Në ligjin aktual, nevojitet leje specifike për damkimin e drurëve dhe transportin e tyre. Ne kemi propozuar që inxhiniere pyjesh të licencuar në Njësitë vendore apo shoqatat të sigurojnë këtë shërbim në ligjin e ri që presim të ndryshohet.

Qeveria e Shqipërisë është duke i dhënë përparësi të lartë adresimit të këtyre problemeve nëpërmjet Projektit të ri për Shërbimet Mjedisore (PMSH), i cili pritet të fillojë në fund të vitit 2014 me një afat kohor deri në vitin 2018. Vendi ynë ka më se dy milionë ha tokë me mbulesë të ndryshme, por me potencial të jashtëzakonshëm që shumëkush e di, por pak prej tyre e ngrenë zërin dhe në fakt 2000 ekspertë të fushës së pyjeve janë pak, që duhet të realizojnë të gjitha shërbimet, monitorimin, kontrollin, menaxhimin e kësaj toke. Po sot, a janë vërtet ekspertetët e Pyjeve  që menaxhojnë Pyjet? Sa ishin e sa  janë? Sa janë të motivuar? Përgjigjen e jep Ministria!  Kjo arrihet kur ndahen rolet dhe përgjegjësitë me ligj e jo me urdhra, siç veprohet sot! Kjo është rruga që kanë përdorur vendet e zhvilluara dhe i kanë futur pyjet në tregun formal, kanë marrë investime për zhvillimin rural, duke u adresuar nga shteti, kryesisht tek privati për mbjellje e shërbime të tjera, jo vetëm me akacie e pisha, por edhe me arrë e lajthi, gështenja e bajame, që përveç vlerave ekologjike kanë edhe vlera ekonomike. 

SHKARKO APP