Qarkore e Përgjithshme

Nga Lutfi Dervishi –

Vijon lufta me armikun e padukshëm, tinzar dhe hileqar. Në sajë të betejës heroike në vijën e parë të Frontit të uniformave të bardha, të mbështetura nga mobilizimi i përgjithshëm i popullsisë që qëndroi e gjitha në shtëpi, nën udhëheqjen e pagabuar të komitetit të ekspertëve dhe komandantit të përgjithshëm, u çlirua zona e parë operative Vlorë – Gjirokastër. Zonat e gjelbëra janë të gjitha sot nën kontrollin e pushtetit lokal të dala nga zgjedhjet e qershorit të 2019!
Çdo muaj, çdo javë e çdo ditë që kalon, armiku po zbrapset dhe zonat e gjelbëra po rriten pa ndalur.
Shtabi luftës po bën plane të detajuara në Gramsh dhe Skrapar për të goditur armikun në kryeqytet. Beteja do të jetë e vështirë, por fitorja është e pashmangshme.
Aleatët e mëdhenj SHBA dhe Britania e Madhe po bëjnë përgatitje për armën vdekjeprurëse që do të dërrmojë armikun.
Por ne do të çlirohemi me forcat tona. Madje do të ndihmojmë në luftë jo vetëm Italinë, por në traditën më të mirë të Luftës II Botërore edhe Serbinë. Armiku do të ndiqet këmba-këmbës nga divizionet e bardha deri në Sanxhak.
Armiku ka mbështetjen e reaksionit në Veri, sidomos në Shkodër.
Çlirimi i Shkodrës do të jetë i pashmangshëm. Janë marrë masat që çlirimi këtë radhë të bëhet ose më datë 28 ose më 29 nëntor. Nuk do të ketë më paqartësi. Përndryshe rrezikojmë që debati për 75 vitet e ardhshme të bëhet rreth ditës çlirimit.

SHKARKO APP