Që Plotfuqishmëria të mos jetë e pafuqishme

Nga Alqi Koçiko

Në tryezën e presidentit të Republikës ka mbërritur dje kërkesa zyrtare e qeverisë shqiptare për dhënien e plotfuqishmërinë mbi nisjen e negociatave dypalëshe Shqipëri-Greqi për disa çështje që ndërkaq janë në tryezë, si marrëveshja për kufirin detar, heqja e ligjit grek të luftës etj.

Deri tani, sic dihet, pa patur bisedime dypalëshe në rang ministrash të jashtëm. Por është e qartë se plotfuqishmëria nga kreu i shtetit është një detyrim kushtetues.

Ka qenë pikërisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare që anulloi paktin detar në vitin 2009, ai që përcakton si një nga arsyet e pavlefshmërisë së asaj marrëveshjeje mungesën e plotfuqishmërisë nga ana e delegacionit shqiptar.

Ndërsa negociatat dypalëshe të deritanishme, takimet në frymë miqësore e konstruktive dhe predispozicioni për të tejkaluar mosmarrëveshjet shqiptaro-greke është përshëndetur brenda dhe jashtë vendeve respektive, duket se tani ka ardhur momenti që të gjitha palët të qetësohen dhe t’ja lënë entuziazmin apo akuzat, opinionit publik dhe mediave. Aq më tepër që një përvojë me gabime si ajo e 2009-ës, sidomos në lidhje me kufirin detar, duhet të përkthehet në mësim.

A jemi duke i nxjerrë këto mësime?

Deri tani, ka disa momente që duhen nxjerrë në pah. Së pari, rezulton që kreut të shtetit i ka ardhur një kërkesë për dhënie plotfuqishmërie të delegacionit shqiptar, të cilit i mungojnë emrat dhe funksionet konkrete të anëtarëve. Duket sikur Presidentit i kërkohet thjesht të noterizojë një “në të bardhë” një marrëveshje ku kreu i shtetit shqiptar nuk është fare palë.

Së dyti, mungesa e një përfaqësuesi të Presidencës në delegacionin përkatës, kur këtij institucioni i kërkohet të japë vulën për një marrëvëshje kaq domethënëse, nuk është serioze.

Së treti, ngjan se ka një nxitim për përmbylljen e marrëveshjes detare, që nuk lë shije të mirë. Le të mos harrojmë se nëse Greqia fqinje ka rreth 6 mijë ishuj dhe qindra mijëra km vijë bregdetare, ndërsa vendi ynë bregun detar e ka me kursim, dhe është nga pasuritë më të mëdha që kemi. Nuk është sekret se në nëndetin jonian janë zbuluar rezerva të çmuara hidrokarburesh, dhe ato janë interesi real e fqinjëve, jo disa metra ujëra territoriale më pak a më shumë. Mesa duket informacionet që pala shqiptare ka mbi këto rezerva dhe vendndodhjen konkrete të tyre, janë nga artikuj dhe copëza informacionesh mediatike, pasi pala jonë nuk ka arritur të kryejë kërkime. Nëse është vërtet kështu, do të ishte e udhës që shteti ynë të kishte informacion maksimal në këtë drejtim, para se të vulosnim një marrëveshje që nuk zhbëhet më.

Shqipëria, tashmë një vend anëtar i NATO-s, është në një fazë delikate të rrugës së saj drejt integrimit në BE. Stacioni më i afërt, është shpresa për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor të këtij viti. Në këtë rrugëtim na duhet miratimi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së, edhe Greqisë natyrisht. Por kjo e jona është një rrugë e gjatë, për këtë s’duhet të kemi asnjë iluzion. E nëse përgjatë ecjes lëshojmë lehtësisht copëza territori këtu, hapësira detare atje, lëshime e koncesione më tutje, “nuk do ngelet shumë Shqipëri” për t’u anëtarësuar në fund.

Presidenca njofton se kreu i shtetit ka nisur konsultimet sapo mori kërkesën e qeverisë për dhënien e plotfuqishmërisë. Ka kërkuar mendimin dhe përvojën e paraardhësve në detyrë, edhe të konstitucionalistëve dhe ekspertëve. Sigurisht do konsultohet edhe me bazën përkatëse ligjore.

Besoj se nuk bën keq. Përkundrazi, sado paradoksale të duket, ky është një nga ato raste kur kujdesi dhe mosnxitimi është e vetmja mënyrë për të mbaruar punë shpejt. Dhe mirë.

SHKARKO APP