Qeveria, kleri dhe media sinergji për tolerancën dhe paqen
Nga Edi Rama
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtuesit e komuniteteve fetare në vend dhe drejtuesit e medias.
Kjo është një ftesë për të çelur një bashkëbisedim, lidhur me një moment jashtëzakonisht të veçantë të Europës ku ne bëjmë pjesë, por edhe për Shqipërinë dhe perspektivën e shoqërisë sonë.
Bashkëjetesa njerëzore është bërë shpesh skena e vrasjeve makabre për shkak të përçudnimit të besimeve fetare. Shekujt dhe gjithnjë e më shpesh, për ne që jetojmë, vitet e fundit janë dëshmitarë të krimeve rrënqethëse në emër të profetëve, të marrë peng nga barbaria e gjakimit për pushtet apo për para, e cila ka hyrë në veprim përmes errësirës, injorancës, varfërisë, dëshpërimit social.
Padyshim, jo të gjitha këto krime kanë provokuar të njëjtin reagim shoqëror. Me siguri shumë prej tyre nuk kanë arritur deri tek sytë e veshët e opinionit të gjerë publik. Ndërsa të tjera, ku dhjetëra ose qindra ose mijëra njerëz si në Nigeri, vetëm para pak ditësh, bëhen mish kasaphane prej egërsirash që pretendojnë se mbrojnë një besim, për ne mbeten thjesht titujt kryesorë të një dite, na sjellin lajmin e vdekjeve më të fundit në krye të edicioneve, që pastaj vazhdojnë me të tjera lajme, njësoj sikur ato vdekje të llahtarshme të ishin thjesht një reklamë filmi horror që sapo ka dalë në kinema. Dhe, gjithçka të nesërmen vazhdon sikur asgjë nuk ka ndodhur. Por ndodh nganjëherë që krime të kësaj egërsie të papërmbajtur shpërthejnë përpara syve të opinionit publik ashtu siç janë, në thellësinë dhe vrazhdësinë e paimagjinueshme të ligësisë që mund të gjenerojë njeriu i kthyer në demon.
Pikërisht, në këto raste kulmore të përpjekjes së dikujt apo disave për të diktuar besimin e përçudnuar të një pakice, fare të vogël, shfaqet në skenën e bashkëjetesës njerëzore dinjiteti i miliona njerëzve nga të katër anët e botës, të vendosur të mbrojnë besimin apo besimet e tyre.
E tillë ishte edhe ngjarja që përgjaku Parisin, duke spërkatur ekranin e imagjinatës sonë me gjakun e derdhur në një nga kryeqytetet botërore të lirisë të mendimit dhe të besimit të njeriut.
Barbaria demoniake mbyti me pahirin e tmerrshëm të armëve disa zëra, por ngriti një kor shumëmilionësh që thërret në emër të dinjitetit njerëzor emrin e Charlie.
Unë nuk kam njohur asnjë nga drejtuesit apo punonjësit e revistës Charlie Hebdo. E në fakt janë më shumë se shumë pak prej milionave të bashkuar në korin “Ne jemi Charlie,” njerëzit që i kanë njohur ata. Kush e ka ndjekur atë revistë dëshmon se ishin njerëz me shumë humor, si të gjithë mendjendriturit; ishin artistë, njohës të thellës të fuqisë së penës dhe lëvrues të papërmbajtur të forcës e imazhit; njerëz që dinin se liria e fjalës, liria e mendimit, liria e kundërshtimit janë të panegociueshme; njerëz që jetonin dhe vepronin me besimin e palëkundur se liria e medias është kusht për çdo shoqëri demokratike, por jo vetëm. Liria e medias është kufi që ndan qytetërimin demokratik me çdo formë barbarie të shprehjes së vullnetit të njeriut apo të një grupi të strukturuar, në emër të ideologjisë, të fesë e me radhë.
Kam ndjekur me trishtim disa reagime, fatmirësisht të pakta, por pse të pakta, aspak jo shqetësuese, shqiptarësh nëpër rrjete sociale, të cilët në mënyrën më të pakuptueshme e justifikojnë kasaphanën e Parisit me faktin se Charlie Hebdo është tallur me Profetin Muhamed. Ky opinion, kaq i trishtueshëm dhe pa lidhje me ligjësitë e botës ku jetojmë, pa lidhje me vlerat dhe parimet e shoqërisë që kemi zgjedhur të ndërtojmë, pa lidhje kurrfarë me jetën dhe me porositë e Profetit Muhamed, meritojnë një analizë dhe një reflektim shumë serioz. Por, unë sot dua vetëm të nënvizoj se është një opinion që sado në minorancë qoftë sot, nuk duhet nënvleftësuar në asnjë mënyrë, nëse s’duam që të deformojë pak nga pak besimin, bindjet, sjelljen e qoftë dhe një fëmije të sotëm, të Shqipërisë nesër.
Dy gjëra dua të shtoj në këtë pikë;
Së pari, kush e njeh jetën e Profetit Muhamed, jo vetëm që nuk gjen në shtjellën e saj të hatashme, asnjë episod që frymëzon dhunën, hakmarrjen, vëllavrasjen apo barbarinë kolektive në emër të besimit, por përkundrazi, miqtë këtu të pranishëm të Komunitetit Mysliman, dinë një milionë herë më shumë sesa unë ndodhira dhe thënie të Profetit apo mbi Profetin, të cilat janë kundërvënia më kumbuese dhe kuptimplotë ndaj këtij opinioni. Por mua më ka mbetur në mendje, dita kur Profeti Muhamed hyri triumfator në Mekë, 23 vjet nga çasti i shpalljes së rrugës së stërmundimshme të profecisë dhe 10 vjet pasi ishte larguar nga Meka, pasi ishte shpallur armiku më i kërkuar që duhej vrarë.
Mekasit çfarë nuk i kishin punuar në ato 23 vjet, disa tentativa për ta vrarë e zjarr e hekur pa asnjë kursim për t’i shfarosur besimtarët e tij. I kishin rrëmbyer çdo pasuri dhe pronë, i kishin torturuar çnjerëzisht familjarët dhe shokët e afërt, e kishin tallur, e kishin përbaltur si të çmendur, shtrigan dhe mashtrues ordiner. Dhe ky njeri, Profeti i sotëm i gjithë botës islame, triumfatori që me një lëvizje të gishtit mund të urdhëronte dhe realizonte shfarosjen e tyre nga faqja e dheut kur fitoi dhe hyri në Mekë, u fut në Mekë me kokën ulur, shpalli faljen e madhe për këdo që nuk do të dilte më në rrugë për të vazhduar luftën dhe nuk preku asnjë fije floku, por shkoi drejt Qabesë ku ishin vendosur mbi 360 idhuj, guri, druri dhe balte, të zotave të shumtë që adhuroheshin prej mekasve paganë, mori një shkop dhe i rrëzoi të gjitha statujat e zotave të rremë një e nga një. Duke dhënë mesazhin e madh se lufta e tij nuk ishte me njerëzit që kishin dashur edhe ta zhduknin, por ishte me veset, me injorancën dhe me errësirën që sundonin në Mekë.
Një thënie e famshme profetike e Anas ibn Malik thotë “nuk kam rastisur asnjëherë që Profetit Muhamet t’i jetë paraqitur një çështje ku kërkohej shpagim, hakmarrje dhe ai të mos ketë urdhëruar për falje, dhe besimtar i vërtetë është ai nga i cili njerëzit kanë garantuar gjakun, jetën dhe pasurinë e tyre”.
Nga ana tjetër, janë miliona shqiptarët e sotëm që e dinë njësoj si unë dhe njësoj si ju që jeni këtu se çfarë çmimi të lartë ka liria e mendimit dhe e fjalës. Sepse jeta i bëri dëshmitarë të një regjimi barbarie ideologjike që hodhi në erë kisha e xhami, vrau, shpalli të ndaluar artin e kulturën perëndimore, torturoi dhe burgosi klerikë, poetë, shkrimtarë, njerëz të lire, në përgjithësi. Asgjë nga mundimet apo stërmundimet e të sotmes nuk e justifikon harresën e të shkuarës së afërme që kërcënon edhe harresën fatale të vlerave të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor që solli e sotmja. E pra, unë besoj që asnjë shqiptari nuk i takon të fyejë besimin e vet, duke u kthyer në kërcënim për besimin e tjetrit. Fyen Profetin e tij, çdo shqiptar i besimit mysliman që justifikon me karikaturat e një reviste nga qindra mijëra ose ndoshta nga miliona revista në botë, kasaphanën e Parisit. Ashtu siç fyen Profetin e tij çdo shqiptar i besimit katolik apo ortodoks që atë kasaphanë halucinante e konsideron justifikim për të shfryrë mllef ndaj islamit dhe ndaj myslimanëve shqiptarë. Dhe po ashtu fyen historinë dhe kujtimet e dhimbshme të gjakut dhe sakrificave të panumërta të Shqipërisë për lirinë e mendimit dhe të fjalës nën regjimin barbar të ideologjisë komuniste, çdo shqiptar që fajëson fenë islame apo besimtarët myslimanë për atë që ndodhi në Paris.
Dua të ndaj me ju të nderuar klerikë, njerëz të medias dhe ministra të pranishëm, shqetësimin tim për mungesën e madhe të njohjes të të vërtetave të librave të shenjtë dhe po ashtu për humbjen e ndjeshme të sensit të vlerave të lirisë dhe të parimeve themelore të demokracisë ndër shumë të rinj shqiptarë. Edhe kjo kërkon padyshim një analizë shumë të thelluar dhe reflektim shumë serioz, por një gjë është e sigurt, qeveria, komunitetet fetare dhe mediat kanë një boshllëk të madh për të mbushur në këtë drejtim në kuptimin e edukimit shoqëror me të vërtetat dhe me vlerta e parimet e lartpërmendura.
Unë i jam thellësisht mirënjohës përfaqësuesve të lartë të klerit shqiptar, të cilët jo vetëm pranuan të më shoqërojnë dje mua, ministrin e Jashtëm dhe ministrin e Mirëqenies Sociale si pjesë e delegacionit shqiptar në Paris, por dhe u bënë dëshmitarë aktivë dhe të shumë duartrokitur të Marshimit të lirisë, tolerancës dhe solidaritetit të botës demokratike, kundër egërsirës që kërkon të mbysë Europën në detin e zi të urrejtjes dhe të përçarjes ndërfetare dhe ndëretnike.
Si asnjëherë më parë, Shqipëria rrezatoi në zemrën e Europës, një shembull të vlerësuar lart për diçka që Europa e kërkon dhe i duhet sot më shumë se asnjëherë ndoshta, në këto kohë të zymtuara prej shfaqjes së kësaj egërsie, dalë nga skutat më të errëta të shpirtligësisë njerëzore.
Kam vënë re se atë që ne jemi mësuar ta quajmë harmoni fetare, që Papa Francesku e quajti vëllazëri fetare, disa këto ditë e kanë quajtur me një farë shpotie indiferencë fetare. Nuk dua të bëj debat me ta, por edhe nëse do ta pranoja për një moment përkufizimin e tyre, do ta quaja megjithatë fatlum një vend ku jobesimtarët janë indiferentë ndaj fesë. Me këtë dua të them që në shoqërinë që kemi zgjedhur indiferenca është një zgjedhje e lirë që nuk cenon lirinë apo të drejtat e askujt. Ndërkohë që zelli i nxitur prej injorancës dhe prej urrejtjes është gjithçka, por kurrsesi një shprehje e motivuar nga ndonjë Profet, nga ndonjë libër i shenjtë, apo nga ndonjë faqe e martirizimit të gjatë të fjalës së lirë dhe të mendjes së lirë në këtë vend.
U jam mirënjohës, si Kryeministër i Shqipërisë, edhe mediave për qëndrimet e tyre të këtyre ditëve dramatike, të cilat po e sprovojnë fort madje keqas Europën dhe pikërisht modelin tonë shoqëror. Ftesa ime e sotme erdhi nga nevoja për të hapur një bashkëbisedim mes nesh, klerikëve të të gjitha besimeve, pronarëve, botuesve dhe drejtueseve të mediave apo të emisioneve të ndryshme televizive, si dhe disa ministrave për rrugët e mundshme të shfrytëzimit të kontributeve të secilit në funksion të rritjes së vetëdijes për vlerën e paçmuar të vëllazërisë fetare siç unë kam dëshirë ta quaj apo të indiferencës fetare, po të doni, siç kanë dëshirë ta quajnë disa të tjerë.
Unë besoj fort se duhet sot një kontribut i posaçëm qytetar mediatik komunitar në kuptimin e komuniteteve fetare dhe qeveritar posaçërisht në sektorët e sigurisë, dijes, kujdesit social, diplomacisë dhe me radhë për ta bërë sa më të kuptueshme në gjithë kompleksitetin e vet se çfarë prodhon urrejtja për besimin e tjetrit, cilat janë rrethanat dhe arsyet që çojnë në kthimin e të rinjve në gjymtyrë të egërsive vrastare të dhunës në emër të fesë, por dhe si mund e duhet t’i bëjmë ballë kësaj furie dëshpërimi vrastar që synon as më shumë e as më pak por shkatërrimin e modelit të jetës dhe të bashkëjetesës që ne kemi zgjedhur si shqiptarë dhe si europianë.
Në kushtet e kanosjes së kësaj urrejtjeje dhe dhune ndaj vlerave universale të demokracisë, të fesë dhe të vetë Europës, Shqipëria është në një pozicion paradoksalisht dyfish sfidues. Nga njëra anë, për shkak të mjedisit ekonomik, social e kulturor të 20 viteve të fundit, pas një traume të gjatë, 50 vjet, Shqipëria është e dobët dhe mjaft e cenueshme nga rreziku i fondamentalizmit islamik. Siç është fatkeqësisht e cenueshme edhe nga mundësia e ngritjes së një vale islamofobe, domethënë kundër myslimanëve, edhe nën efektin e ekstremizmit të djathtë europian.
Nga ana tjetër, për shkak të pikërisht asaj që u pa edhe dje, aq qartë në Paris, gjatë marshimit të klerit shqiptar, shoqëruar me ovacione prej një publiku të përlotur në kërkim të shpresës Shqipëria është, duam apo s’duam ne që të gjithë, e fortë në shembullin unikal që mund të rrezatojë për Europën.
Mjafton t’ju kujtoj faktin se jemi, lavdi Zotit, një vend ku gjuha e përçarjes dhe urrejtjes politike, sado e mallkuar qoftë, ka prodhuar shumë armiqësi mes partive, por nuk ka marrë asnjëherë formën e një partie ekstremiste kundër islamit dhe myslimanëve, apo islamike, kundër të gjithëve. Mirëpo larg qoftë që ne, nga lartësia e përgjegjësive të ndryshme, por njësoj të larta, në radhët e klerit, në radhët e medias apo të qeverisë të marrim të mirëqenë se çka kemi sot do ta kemi edhe nesër dhe ta konsiderojmë këtë gjendje të bashkëjetesës mes feve si të pandryshueshme dhe vëllazërinë fetare si të patjetërsueshme, larg qoftë, në një përçarje fetare të institucionalizuar. Shqiptarët janë një komb me shumicë myslimane, të cilin nuk e përkufizon një besim, por dialogu mes të gjitha besimeve, forca për të respektuar dhe bashkëjetuar me besimin e tjetrit, gëzimi i përbashkët në ditët e shenjta të secilit, vendosmëria për të ruajtur dhe respektuar ritet e njëri-tjetrit. E, në emër të tyre, jo vetëm për arsyet e kthjellëta të kompleksitetit fetar, por edhe për interesin e përbashkët europian, unë dhe qeveria jonë po punojmë fort që t’i përcjellim Europës, kancelarive europiane mesazhin se forcimi i sigurisë, policisë, shërbimeve inteligjente dhe me radhë, pra lëvizja në aspektin e forcimit të rendit kushtetues dhe publik është një pjesë e përgjigjes ndaj sfidës që egërsira i bën Europës, por nuk është e gjithë përgjigja. Nuk ka asnjë dyshim që forcat e rendit dhe të sigurisë, edhe në Shqipëri, janë plotësisht të angazhuara në krye të detyrës, në këtë drejtim. Falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë, ne nuk kemi asnjë arsye të ndjehemi më të shqetësuar se të tjerët. Por përgjigja e plotë e kësaj sfide ka të bëjë me promovimin e vlerave europiane të lirisë dhe të drejtave të njeriut, të dijes dhe të kulturës europiane. Shkurt, sfida jonë është e komplikuar, por është e vetmja sfidë e mundshme për ne. Ta luftojmë terrorizmin duke mos harruar të kultivojmë përditë vlerat tona si europianë dhe të ruajmë vlerat tona njësoj sikur të mos kishte terroristë. Në fakt, kjo më kujton fjalët e një ish-bashkëpunëtoreje të Charlie Hebdo, që tha se: “Terrorizmin, Xhihadin, nuk e tremb Marie Le Pen, por e frikëson Charlie Hebdo.” Nuk e tremb e kundërta simetrike, por e tremb asimetria që liria dhe e qeshura i krijojnë dhunës dhe frikës. Për këtë besoj se na duhet një aksion i përbashkët që vë në ndërveprim të gjerë dhe që përfshin kulturën, arsimin, mediat, komunitetet fetare, pa asnjë dyshim. Në radhë të parë, duke synuar refuzimin e mendësive totalitare e populiste në shprehjen e tyre përmes gojës së gjeneratave të reja, por një refuzim që vjen në formën e një fuqie edukuese, jo të një fuqie shtypëse. Në këtë kuptim, unë shoh me interes dy nisma që janë vetëm fillimi i një serie iniciativash, që shpresoj do të lindin dhe do të kultivohen edhe nga të tjerët, nga komunitetet fetare, nga mediat në rrugën e tyre të pavarur dhe nga shoqëria civile apo komunitetet nëpër Shqipëri.
Nga njëra anë, Forumi Rajonal i Bashkëpunimit Ndërfetar i iniciuar nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë do të mbështetet me të gjithë forcën nga Qeveria. Kjo iniciativë ka të bëjë me mbledhjen e forumeve rajonale që fuqizojnë lidhjet dhe ndërlidhjet mes komuniteteve fetare, ndërveprimin për parandalimin e integrimit të të rinjve në rrjete terroriste dhe që promovojnë bashkëjetesën harmonike mes fesë, demokracisë dhe shtetit laik. Sepse, sot terrorizmi ka tejkaluar çdo kufi shtetëror dhe përballja me të duhet të jetë kombëtare, por duhet të jetë edhe lokale dhe globale. Duhet të jetë e mirëorganizuar në nivelin kombëtar, në nivelin qeveritar, por duhet të jetë e mirëorganizuar edhe në nivelin ndërqeveritar dhe ndërkombëtar.
Unë besoj që një qasje komplekse është ajo që do të na çojë në sukses të qëndrueshëm kundër luftës me egërsirën dhe kundër shfaqjes së saj në format e ndryshme të terrorit. Duke nënvizuar se dje në Paris, – kjo nuk ka qenë vetëm ndjesia ime, por ndjesia e të gjithëve ne, – ne nuk jemi ndjerë në një vend të huaj për t’u solidarizuar me disa të huaj, por jemi ndjerë në Shqipëri, për të qenë bashkë me të tjerë, që flasin gjuhë të ndryshme nga tonat, por që të gjithëve bashkë na lidh bota që kemi zgjedhur dhe që është bota që ia vlen të jetohet. Sepse tek e mbramja s’mund ta harrojmë që terroristët nuk synojnë një redaksi kur godasin një revistë, por synojnë gjithçka që përmes një redaksie mishëron liria e medias, liria e mendimit, liria e shprehjes. Për këtë arsye, jo simbolikisht, por konkretisht janë vrarë njerëzit e një redaksie po janë goditur të gjitha redaksitë e botës së lirë, janë kërcënuar dhe trysnuar të gjithë punonjësit, botuesit apo krijuesit e medias së lirë.
Ditën e enjte, ndërsa vazhdonte operacioni i pashembullt, operacioni më i madh policor në historinë e Europës, pas Luftës së II-të Botërore, operacioni i policisë franceze, Kryeministri francez u shpreh se nuk do të përshpejtoheshin nisma ligjore antiterror. Ndërkohë që Marie Le Pen kërkoi dënimin me vdekje. Ai i Kryeministrit francez ishte reagimi i maturisë demokratike përballë kompleksitetit të një sfide me të cilën ne nuk mund të përballemi me të njëjtat mjete, sepse përballje me të njëjtat mjete do të thotë shpallje e kapitullimit. Është qesharake kur dëgjon politikanë europianë që predikojnë mbylljen e kufijve. Sepse brenda kufijve të mbyllur Europa është përsëri një tërësi e disa feve. Brenda kufijve të mbyllur Europa ka dhjetëra e miliona myslimanë. Kjo do të thotë që Europa të kthehet në një kafaz pa dyer dhe pa dritare, brenda të cilit të fillojnë dhe të shqyhen kristianët dhe myslimanët. Ndërkohë që hapja e mëtejshme, integrimi i mëtejshëm, gjithpërfshirja e mëtejshme dhe vendosja në çdo hap e vlerave të botës ku ne kemi vendosur të jetojmë janë ajo që i tmerron terroristët dhe jo frika që provokon urrejtja dhe urrejtja që sjell përçarje.
Media, dhe jo vetëm ajo sociale por edhe radiotelevizionet që luajtën një rol vendimtar për të rritur ndjeshmërinë demokratike dhe për të bashkuar miliona njerëz të besimeve, kulturave, gjuhëve dhe kombësive të ndryshme në një mesazh të vetëm “Unë jam Charlie”, mendoj se kanë një rol posaçërisht të veçantë për të luajtur në kurimin e këtyre plagëve dhe një përgjegjësi posaçërisht të veçantë, për të mos e trajtuar këtë plagë të hapur me të njëjtat mjete që trajtojnë plagët e jetës së përditshme. Për të mos u sjellë me këtë plagë të hapur me të njëjtën lehtësi që nganjëherë sillen me plagët e jetës së përditshme.
Kjo është sfida madhore e kohës sonë dhe e çdo bindjeje, besimi, shoqërie e qeverisjeje:
Tolerancë dhe paqe. Ne jemi në krahun e tolerancës dhe të paqes, përkundër dasisë, dhunës dhe mungesës së bashkëpunimit.
Jetë apo vdekje, ne jemi në krahun e jetës dhe jo të vdekjes. Kemi zgjedhur të jemi në këtë vend, në këtë familje, në këtë rrugë dhe s’kemi kthim mbrapa. Sot është koha për të parë me sytë tanë dhe për të provuar në mish dhe në kocka se paqja do kurajo më shumë se lufta. Kurajë, si ajo që pati dje populli francez dhe populli i Europës për të bërë luftën duke ruajtur paqen dhe normalitetin demokratik.
Unë ju falenderoj shumë që iu përgjigjët kësaj ftese. Do të doja që këtë bashkëbisedim që do të vazhdojmë së bashku sot, ta konsideroni vetëm çeljen e një kapitulli të ri ndërveprimi të detyruar, të imponuar, të pashmangshëm mes komuniteteve fetare, medias dhe Qeverisë, pa interferuar asnjë çast në punën e njëri tjetrit, por duke krijuar një sinergji në funksion të një qëllimi, sa të madh aq edhe të përbashkët.