Qeveria korrekton pjesërisht nivelin e pagesave për komisionerët e vettingut

Këshilli i Ministrave vendosi të hënën që komisionerët e vetingut të marrin pagesë shtesë prej 50 për qind, por rritja e vlerës së trajtimit financiar është ende larg kërkesave të vetë drejtuesve të këtyre institucioneve.

Këshilli i Ministrave vendosi të hënën të rrisë me 50 për qind pagesat e anëtarëve të tre institucioneve të vetingut, duke u tërhequr pjesërisht nga qëndrimi i mëparshëm për t’u akorduar atyre pagesa të barabarta me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni tha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë se të gjithë anëtarët e rivlerësimit do të trajtoheshin me pagesa shtesë në masën 50 për qind.

Qeveria shqiptare, ashtu siç ka premtuar se do të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në aspektin buxhetor dhe atë infrastrukturor, me vendimin e sotëm  konfirmoi edhe njëherë angazhimin e saj serioz,” tha ministrja Gjoni.

“ Mbështetja nga ana e qeverisë përsa i përket buxhetit është një detyrim sa kushtetues edhe ligjor, aq sa edhe shprehja e një vullneti të plotë për rritjen e pagesës me 50 për qind më shumë,” shtoi Gjoni.

Reduktimi i kërkesave të drejtuesve të institucioneve të vetingut shkaktoi debate të forta në mbledhjet e 19 dhe 25 shtatorit në Komisionin e Çështjeve Ligjore, ku deputetët socialistë i konsideruan propozimet për organikën të fryra. Kundërshtime pati gjithashtu edhe propozimi për nivelin e pagave me një shtesë për vështirësi në masën 200 %, i cili nuk u miratua.

Si rrjedhojë, Parlamenti votoi mëngjesin e 29 shtatorit një organikë të shkurtuar në masën 40 për qind nga propozimet fillestare si dhe nivelin G3 të pagës për komisionerët, e cila kap vlerën mesatare bruto të 302 mijë lekëve.

Këmbëngulja e deputetëve të mazhorancës për të reduktuar buxhetin e kërkuar nga institucioneve të vetingut u kundërshtuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në opozitë, të cilën akuzuan qeverinë se po tenton të kontrollojë procesin përmes buxhetit. Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile e panë këtë akt si ekspozim të mungesës së vullnetit politik për zbatimin e reformës në drejtësi.

Me vendimin e së hënës, qeveria ka korrektuar pjesërisht nivelin e pagave, por është ende larg nivelit të propozuar nga drejtuesit e këtyre institucioneve. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerëve Publikë dhe Kolegjit të Apelimit do të marrin një pagesë bruto mujore prej 453 mijë lekësh.

Në deklaratën për mediat, ministrja e Drejtësisë, Gjoni tha se institucionet e reja kanë tashmë infrastrukturën, strukturën dhe shtesën e pagës dhe janë gati që të fillojnë nga procesi.

“Qeveria për një periudhë tepër të shkurtër arriti të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme, pavarësisht vështirësive ligjore dhe atyre financiare. Por tani mbetet të tregohet nga vetë organet e vetingut vullneti dhe angazhimi për fillimin e këtij procesi,” përfundoi ministrja e Drejtësisë.(Birn)

SHKARKO APP