Qeveria shqiptare pa legjitimitet, po i largohet integrimit evropian

Prof. Lisen BASHKURTI –
Me 20 Prill 2020 Këshilli Evropian vendosi për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Republikën e Shqipërisë. Ky ishte një hap historik në rrugën e evropiane të vëndit. Vendimi i KE u bazua mbi përparimet e arritur në pesë prioritetet dhe pritej që do të nxisë më tej reformat në vend. Vendimi i Këshillit ishte, gjithashtu, një shenjë besimi dhe një përgjegjësi e madhe, të cilën Qeveria Shqiptare do të duhet ta realizojë duke përmbushur në kohë dhe cilësisht të gjitha kërkesat e procesit të anëtarësimit në BE.
Vendimi nga Këshilli Evropian për vazhdimin e procesit të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor është bazuar në Komunikatën e Komisionit për metodologjinë e re titulluar “Pasurimi i procesit të negociatave-Një perspektivë e besueshme në BE për Ballkanin Perëndimor”. Kjo metodologji e re do ta bëjë procesin më të besueshëm, të parashikueshëm, të rikthyeshëm dhe dinamik. Shqipëria është deklaruar e gatshme për të plotësuar kërkesat të cilat burojnë nga negociatat e anëtarësimit, sipas metodologjisë së re.
Pas vendimit të Këshillit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë bazuar në metodologjinë e re, Qeveria Shqiptare u deklarua se Shqipëria “…do të jetë e përkushtuar plotësisht në përmbushjen në kohë të kushteve të kërkuara deri në Konferencën e parë Ndërqeveritare…do të vijojë agjendën e saj të reformave me përkushtim të palëkundur… do të luajë një rol konstruktiv në rajon dhe do të vazhdojë te bashkohet me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. (MEPJ, 26 Prill 2020).
Që nga marrja e vendimit të KE për hapjen e negociatave për antarësim me Shqipërinë, në Shqipëri jo vetëm që nuk po vërehet kurrëfarë përparimi, por, në të kundërtën po braktisen parimet kryesore Evropiane të qeverisjes. Koha po kalon. Raporti i vlerësimit nga BE për Shqipërinë do dalë në shtator të këtij viti. Pra, vëndit iu hapën negociatat për antarësim në Bashkimin Evropian, por mënyra sesi Shqipëria po qeveriset aktualisht, po ngadalëson dinamikën e realizimit të reformave dhe detyrimeve të tjera ndaj BE dhe dukshëm po i shmanget agjendës Evropiane. Përgjegjësitë kryesore për këtë situatë bien mbi Qeverinë Rama, që po shkelë qartazi parimet Evropiane qeverisëse, të sanksionuara në Traktatin e Lisbonës.
Parimi kryesor i qeverisjes evropiane është legjitimiteti. Në shkencat politike është e drejta dhe pranimi i një autoriteti që zgjidhet nga populli dhe që qeveris bazuar në drejtësi dhe vlefshmëri në përputhje të plotë me ligjet, konstitucionalitetin dhe premtimet. “Legitimacy” in International Encyclopedia of the Social Sciences ,Vol. 9 (p. 244). Neë York: Macmillan, 1968)

Në demokraci, legjitimiteti është shumë i rëndësishëm sepse prodhon stabilitet politik dhe kohezion social që burojnë nga një qeveri që zgjidhet përmes zgjedhjeve demokratike, pluraliste, të lira e të ndershme dhe që ekziston bazuar në respekt të kushtetutës, ligjit dhe të mbajtjes së premtimeve të bëra përpara popullit. Pra legjitimiteti është ideologji e popullit dhe jo e sunduesve. Populli është burimi kryesor i legjitimitetit. Populli e jep dhe populli e heq legjitimitetin. Në sistemin demokratik legjitimiteti buron nga idetë, mbështetja popullore, përfaqësimi, zgjedhjet, drejtimi i mazhorancave, liritë civile dhe privilegje të vlefshme për popullin.
Analizuar mbi këto përcaktime shkencore të legjitimitetit qeverisja qëndrore dhe vendore në Shqipëri qartazi ka vënë në dyshim legjitimitetin saj. Së pari, në mënyrën sesi janë zgjedhur organet qëndrore dhe vendore. Së dyti në mënyrën sesi po qeveriset vëndi në nivel qëndror dhe vendor në respekt të kushtetutës dhe ligjit. Së treti, në sjelljen e qeverisë ndaj premtimeve të bëra përpara popullit gjatë zgjedhjeve.
Në aspektin e parë, në mënyrën sesi është zgjedhur, Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet në 2017 nëpërmjet një procesi zgjedhor mjaft të kontestuar, me shkelje dhe abuzime të shumta që janë konstatuar dhe kritikuar nga aktorë lokalë dhe ndërkombëtarë. (Shiko: OSCE/ODIHR Report mbi Zgjedhjet në Shqipëri, në Qershor 2017) Këto zgjedhje prodhuan një parlament jo përfaqësues, me element të shumtë të inkriminuar, të paaftë dhe të papërgjegjshëm për rolin e tyre në pushtetin legjislativ. Përballë një përfaqësimi të tillë, ekzekutivi qëndror rrëmbeu atributet e parlamentit, duke shndërruar sistemin politik në ‘republikë ekzekutive’, pra, duke deformuar themelet e legjitimitetit të demokracisë përfaqësuese. Kriza politike e vitit 2019 e la zbuluar parlamentin pa opozitë ose me një quazi opozitë si dhe me një numër deputetësh më pak se 140 që parashikon kushtetuta.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2019, u cënuan tërësisht parimet demokratike për zgjedhje pluraliste, të lira e të ndershme. Në ato zgjedhje mori pjesë vetëm partia në pushtet, pa konkurrencë, pa garë, pa alternativa politike. Madje, edhe në kushtet e zgjedhjeve moniste, vëzhguesit lokalë e ndërkombëtarë konstatuan shkelje dhe abuzime të shumta, që arritën kulmin me zgjedhjen e bashkiakëve me rekorde kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare. U vërejt qartazi, si në zgjedhjet qëndrore ashtu edhe në ato vendore lidhja e politikës me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Zgjedhjet vendore varrosën demokracinë e qeverisjes vendore. Pushtetet u vertikalizuan në mënyrë moniste. Sistemi i legjitimitetit demokratik u fut në kolaps. Këto zgjedhje i injoroi plotësisht Këshilli i Evropës dhe Kongresi i Autoriteteve Vëndore, që nuk dërgoi asnjë vëzhgues. (Announcement of The Congress of Local and Regional Authorities of the Council of Europe, June 26,2019)
Në aspektin e dytë, legjitimiteti ka të bëjë më mënyrën e qeverisjes, që presupozohet të mbështetet në drejtësi, sundimin e kushtetutës dhe ligjit. Edhe në këtë aspekt të legjitmitetit qeveria shqiptare po i largohet parimeve evropiane të qeverisjes. Ekzekutivi Rama, në të dy nivelet, qëndror dhe vendor po shkel abuzivisht rendin kushtetues dhe po zvarrit krijimin e organeve të reja të drejtësisë, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ekzekutivi në të dy nivelet po kalon ligje dhe vendime, po ndërmerr masa dhe veprime anti-kushtetuese.
Presidenti Republikës, Meta ka refuzuar dekretimin e një numëri shumë të madh ligjesh, por ‘parlamenti ekzekutiv’ i ka kaluar ato sërish. Vëndi po qeveriset në shkelje të plotë të kushtetueshmërisë, pra në injorim të plotë të shtetit ligjor, të të drejtave të njeriut, të lirisë së shprehjes dhe mediave dhe të zërit të shoqërisë civile. Po injorohet plotësisht opozita politike. Por jo vetëm. Institucione të rëndësishme kushtetuese si Presidenti i Republikës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit nuk po përfillen aspak nga Qeveria Rama në të dy nivelet. Cdo reformë po ngadalësohet, sic është reforma në drejtësi, ose po bllokohen reformat e tjera të kërkuara nga BE dhe Budestagu Gjerman.
Së treti, parimi i legjitimitetit është dinamik, varësisht edhe nga mbajtja e premtimeve të qeverisë të bëra gjatë fushatës elektorale. Akademiku amerikan i shkencave politike, Robert A. Dahl e shpjegon legjitimitetin si një rezevuar: për aq kohë sa uji është në nivelin e dhënë, stabiliteti politik qëndron, nëse ai bie nën nivelin e kërkuar legjitimiteti politik është i rrezikuar. (Robert A. Dahl, Polyarchy: Participation and Opposition (pp. 124–188). Neë Haven (Connecticut) and London: Yale University Press, 1971)
Vështruar mbi këtë koncept teorik, Qeveria Rama, qysh në zgjedhjet e 2017, doli me premtime në ajër, pa kurrëfarë programi të mirëfilltë. Më pas shkeli dukshëm cdo lloj premtimi, nga punësimi, rritja ekonomike, arsimi, shëndetsia e deri të integrimi Evropian. Kjo nëpërkëmbje premtimesh duket qartazi se e ka ulur së tepërmi mbështetjen popullore.
Treguesi më evident për këtë rënie të mbështetjes për Qeverinë Rama ishin zgjedhjet lokale të vitit 2019, ku kandidoi e vetme Partia Socialiste e drejtuar prej tij. Në këto zgjedhje morën pjesë vetëm 21.6 përqind e zgjedhësve, cka reflekton një rënie afro 25 përqind të mbështetjes popullore për mazhorancën e Qeverisë Rama. (Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, Shqiptarja.com, 01 Korrik 2019) Pas zgjedhjeve vendore, përformanca e qeverisë Rama ka ardhur duke u përkeqësuar, sidomos në rrafshin ekonomik e social dhe treguesit e tjera që rrjedhin prej tyre.
Pra, Qeveria Shqiptare nën drejtimin e z. Rama dukshëm po qeveris pa legjitimitet dhe madje po e thellon delegjitimitetin e saj nga dita në ditë. Mënyra sesi është zgjedhur në nivel qëndror dhe vendor, korrupsioni dhe krimi i organizuar që po rriten cdo ditë, qeverisja në shkelje flagrante të kushtetushmërisë dhe sundimit të ligjit, cënimi i rëndë i lirive dhe të drejtave të njeriut, shantazhimi i medias, injorimi i shoqërisë civile, shkelja në e rritje e premtimeve të bëra ndaj popullit në aspektin ekonomik e social, po demonstrojnë qartazi se Qeveria Rama e ka humbur legjitimitetin politik. Kjo, tanimë po bëhet gjithnjë e më e ditur nga aktorë dhe faktorë kredibël lokal dhe ndërkombëtar, mediatik dhe politik, të cilët po deklarohen që qeveria Rama është duke qeverisur pa legjitimitet dhe këshu po e largon Shqipërinë nga rruga e integrimit Evropian.

SHKARKO APP