Qosja

Nga Gëzim Mekuli

Sa akademikë shqiptarë, në këto dekada te fundit, i kanë dhënë përkrahje, cilësi e nxitje traditës, kritikës dhe hulumtimeve të shkencës së letërsisë, historisë dhe politikës? Mua nuk më kujtohen shumë, pos Rexhep Qosjes. Prodhimet shkencore dhe faktografike, si dhe debatet prej më shumë se katër dekadash mbi identitetin e shqiptarëve, ishin një sukses i tij pandalshëm.

Qosja jo vetëm që kritikon fotografinë eurocentrike të botës dhe tej thjeshtëzimin e stereotipave, të cilat e kanë dominuar rrëfimin rreth "të tjerëve", por Qosja është po ashtu edhe një humanist, i cili nuk lejoi të '"infektohet" nga relativizmi kulturor apo nga "fotografia e mbrapshtë" e armikut. Në debatet, veprat dhe kritikat e tij të hapura Qosja nuk e tha, as edhe një herë, se të gjitha të vërtetat janë barabarësisht të mira, apo që bota shqiptare dhe feja islame është më e mirë sesa "bota tjetër" dhe "fetë e tjera". Qosja e tha tjetrën: Në emër të drejtësisë do të ishte e natyrshme që të kolonializuarit dhe të pushtuarit të kenë rastin ta përcaktojnë veten dhe identitetin e vet.

Profesor Qosja e bëri "të vështirë" që të jesh historian, politikan dhe debutues në hapësirën politike e kulturore shqiptare. Dhe jo vetëm këtu… Qosja është skeptik në shumë deklarata, kritika, në simpoziume, në retushime ideologjike, në media dhe "hulumtime" antropologjike në "shkencën" e shoqërisë shqiptare, e që Qosja, jo rrallë, i dekodon dhe i kupton si ekzotikuese. Është një nuancë shumë e rëndësishme dhe gati e padukshme se si Qosja lehtë kritikon ata intelektualë e debatues, të cilët aq lehtë "infektohen e hallakaten" për secilën dukuri që është tjetërsuese, shkrirëse dhe tëhuajsuese, përderisa të njëjtit i largohen dhe i frikohen asaj që i bashkon "ATA" me "NE". Qosja, dorën në zemër, është edhe frymëzuesi dhe kritikuesi postkolonial shqiptar në raport me hegjemoninë diskursive serbe; ishte dhe është zëdhënësi i paepur i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Ky burrë malësie, ky intelektual me cilësi e profesionalitet europerëndimor, është kritik i mbrehtë i analizave diskursive dhe komentues i kthjellët politik. Më të mirat vepra, debate, intervista analiza e hulumtime shkencore që Qosja i shkroi, kishin të bënin me identitetin shqiptar. Dhe, Qosja ishte në "një pozitë" shumë më të mirë, sesa të tjerët, që ta bënte këtë. Qosja lindi në një trevë e familje me traditë të tejskajshme toleruese fetare. Katër gjenerata dhe breza e kultura e Qosjes puthej me katolicizmin. Por, Qosja u rrit edhe në ambientin e fesë islame. Intelektuali që studioi dhe njohu kulturën dhe gjuhën serbe. Pak, shumë pak shqiptarë i takojnë përnjëherazi dhe në të njëjtën kohë aq shumë kulturave dhe feve, sikur është profesor, Rexhep Qosja. Por, jo rrallë Qosja u ngjyros në të bardhë e në të zezë, e, kjo ngjyrosje varej shumë nga politikat në pushtet. E ngjyrosën në të zezë nacionalistët serbë, e qe besa edhe disa "intelektualë kosovarë". Edhe qeveritë në pushtet deshën ta "zezojnë". Por asnjëri nga këta nuk kishin "takat e as kondicion shkencor" që ta akuzonin për nacionalizëm. Sepse qëllimi parësor i "filozofisë qosjane" është humanizmi dhe fqinjësia shqiptaro – serbe. Qosja është një kritik kokëfortë kundër nacionalizmit serb dhe Akademisë së Shkencave serbe. Por asnjëherë urrejtës i kulturës, artit e letërsisë së pasur serbe. Qosja ishte dhe është kritik kundër "çoroditjes" së shoqërisë shqiptare, mungesës së liberalizmit dhe demokracisë debatuese në këto hapësira; është kritik kundër korrupsionit shkencor, politik e diplomatik. Qosja nuk e fshehu as edhe një herë të vërtetën shkencore dhe historike të shqiptareve për tu ribashkuar në një shtet shqiptar. Akademiku Qosja ishte ai që e luftoi maksimën e të tjerëve se "Shqiptarët nuk dinë të prezantojnë veten e tyre, shqiptarët duhet të prezantohen nga të tjerët". Ky qëndrim është çelësi që filozofia Qosjane dëshiron ta jetësojë në mentalitetin dhe kulturën shqiptare .

Habermasi ynë jo vetëm që ka një histori të madhe ndikuese përmes librave dhe debateve të tij. Ai, në mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejt "ka hapur dyert" për një jetë të re akademike, pro-perëndimore për shqiptarët. Duke iu falënderuar perspektivës të veprës së Qoses, në shumë ambiente diplomatike e kulturore, ne sot kemi një kredo më të lartë politike, kemi një përvojë më të madhe dhe një horizont tjetër të botës shqiptare, sesa asaj që dominonte nga dëshirat e të tjerëve. Qosja si intelektual i brumosur dhe i mirëndikuar nga kultura e fesë katolike dhe islame, dhe, si njohës i kulturave dhe gjuhëve sllave, në debatet e tij, nuk ishte as edhe një herë përjashtues e izolues kulturash, fesh, kombesh apo racash. "Filozofia Qosjane" ishte afruese dhe gjithëpërfshirëse. Nuk është "filozofi Qosiane" që përmes "ndërtimit të armikut" kërkon të ndërtohet identiteti. Nëse lexon Qosjen në qetësi, dhe jashtë ndikimeve partiake e klanore, kupton sesi "ndërtohet" një fotografi e një njeriu të ngrohtë, dhe të një njeriu miqësor në bisedime. Në veprat e tij përfaqësohen idealet më të larta humane të qytetërimit tonë dhe të një pikëpamjeje ekumenike të vlerave kulturore. 

SHKARKO APP