Radio gjermane “DW”:Rusët marrin arratinë nga rubla

Që prej rënies drastike të vlerës së rublës në Rusi njerëzit blejnë me panik. Blihen shumë më tepër makina, pajisje eletronike dhe elektroshtëpiake. Ata përpiqen të shpëtojnë kursimet e tyre.

Qëkur nisi e tatëpjeta e rublës, shumë rusë janë turrur të blejnë mallra nga më të ndryshmet. Në Moskë njerëzit "të martën e zezë" rrinin në radhë deri në dy orë para dyqaneve me mobilje dhe elektroshtëpiake. Mediet ruse informojnë për kërkesë të madhe për pajisje elektronike dhe automobilë. Gazeta "Wedomosti" njofton se në tregun rus të automobilëve shihet një panik i vërtetë. "Që tani ka mungesë. Shiten edhe makinat çmimet e të cilave janë rritur tashmë", shkruante gazeta.

"Një kërkesë në rritje për makina vihet re që prej muajit nëntor", thotë Andrej Rodionov, i cili punon në Rusi në një filialin e një kompanie që shet makina. Rritja e shitjeve shihet në të gjitha segmentet e çmimeve. "Ky është prej kohësh një mallkim nga rubla. Klientët e shohin makinën si investim", thotë Rodionov. Njerëzit përpiqen të shpëtojnë kështu kursimet e tyre nga rënia e vlerës së parasë.

Jo kushdo mund t'i lejojë vetes një makinë të re

Menaxherja e personelit Jevegenija Bolgarova ka blerë që në nëntor një makinë të re. Për këtë tani është e gëzuar: "Pata shumë fat. Nëse do ta kisha shtyrë blerjen tani nuk do të kisha makinë!" Pasi prodhuesit tani ose rrisin çmimet ose i ndalojnë plotësisht shitjet.

Por shumë rusë nuk janë në gjendje të blejnë makinë. Kursimet e saj përpiqet t'i shpëtojë edhe mësuesja e anglishtes Vera Kastrel. Ajo ka blerë një kompjuter të ri, një tablet të ri, një printer si dhe çizme dhe rroba për fëmijën e saj. "Me rrogën e mësuesit nuk mund t'i lejosh vetes shumë. Por para pak kohësh mora një shpërblim për kërkime", thotë ajo. Më parë Vera i shpenzonte me qejf paratë për udhëtime në Evropë. Tani nuk ia lejon më dot vetes ato. "Kjo është e trishtueshme. Por tani do të udhëtoj më shumë nëpër Rusi", thotë Vera.

Vetëm blerje të shtuara para Krishtlindjeve?

Anton Pantelejev është zëdhënës shtypi i firmës "M.video", ofruesit më të madh të elektronikës zbavitëse në Rusi. Ai bën thirrje që të mos ngjallet panik. "Vërtet vihet re një dyndje e klientëve. Por kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Së shpejti vjen viti i ri dhe njerëzit tradicionalisht blejnë më shumë", thekson ai.

Sipas tij nuk ka asnjë arsye për shqetësim. "Çmimet tona deri në janar nuk do të rriten", thotë ai. Kontratat e tregtarëve me prodhuesit, ndër ta edhe të huaj, do të rishikohen sipas planit tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. "Por një pjesë e madhe e aparateve të elektronikës dhe elektroshtëpiakeve prodhohen në Rusi. 75 për qind e televizorëve të shitur nga ne prodhohen nga sipërmarrjet vendase. Këto mallra do të shtrenjtohen vetëm pak", beson ai.

Ka probleme edhe më të mëdha

Menaxheri farmaceutik Aleksandr Gukov nuk dëshron të shkojë në dyqane. "Në situata të tilla njerëzit blejnë nga shqetësimi sende që nuk iu duhen fare", thotë ai dhe thekson se ka shqetësime të tjera: rrogën ai e merr në rubla, ndërsa studimin e dy djemve të tij në Evropë duhet ta paguajë në euro. "Rezervat që kemi në euro mjaftojnë edhe për vetëm pak muaj", ankohet ai.

Pensionistja Ljudmila Sergejeva nuk ka qenë kurrë jashtë vendit. Asaj nuk i nevojitet valutë e huaj. "Më parë në një situatë të tillë do të kisha vrapuar për të blerë një peliçe apo një frigorifer. Sot nuk e bëj dot. Pensioni im mjafton vetëm për gjërat më të domosdoshme", thotë ajo me trishtim. Ljudmila është e shqetësuar për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe kostove të banimit: "Nuk dua të ushqehem me bukë të thatë si në luftë, apo të ruaj si në kohën e Bashkimit Sovjetik konserva."

Fotografi Valerij Pahomov e kupton pse njerëzit duan të blejnë tani shpejt sende me çmimet e vjetra. "Kjo është një mundësi e mirë për të shpëtuar vlerën e kursimeve", thotë ai. Në verë ai donte të blinte një kamera të re. Por sot nuk e blen dot. "Në atë kohë kamera kushtonte ende 150.000 rubla, sot 250.000. Pra nuk më mbetet gjë tjetër veçse t'i kthej kursimet në dollarë amerikanë dhe të pres për kohë më të mira", shpreh frikë Pahomov. 

SHKARKO APP