Rama, Basha apo Macron-i?

 

Nga Haris Vongli

Rastësisht lexova një lajm mbi protestat në Francë kundër Macron-it. Një lajm i thjeshtë, i pastër dhe i  qartë sa më s’ka! Populli shqiptar, i cili sot po stërmundohet e dhunohet gjer në palcë, nga pushteti i qeveritarëve e oligarkëve të pangopur, do më kuptojë, jam e bindur për këtë. Nuk na duhen fjalët e bukura, na duhet fare pak logjikë, fare pak. Atëherë, po e pasqyroj këtu lajmin në fjalë. Ju lutem, lexoni çdo fjalë, për mua është esenca e asaj që dua të trajtoj në këtë analizë. Në lajmin mbi Macron-in gjeta fjalët më të thjeshta e kuptimplotë, ku gjenden në fakt përgjigjet e shumë pyetjeve.

“Dhjetëra mijëra FRANCEZË dolën në rrugët e Parisit për të PROTESTUAR KUNDËR politikave të presidentit francez, Emmanuel Macron. PROTESTAT që duket se kanë qenë të PADHUNSHME bëhen kundër reformave të vendosura nga kreu i shtetit, i zgjedhur NJË VIT më parë. Menjëherë pas zgjedhjes ai nisi NDRYSHIME RADIKALE të sistemit ekonomik të vendit, duke përfshirë rregullat e forta të shtetit dhe ligjin e punës, për të rritur konkurrencën globale të vendit. Protestuesit pretendojnë se LËVIZJET KANË CËNUAR TË DREJTAT E PUNËTORËVE dhe KANË RRITUR KOMPETENCAT E POLICISË.

‘Është e pakëndshme, personalisht nuk kam votuar për të dhe idetë e tij, të cilat janë në favor të të pasurve. Jemi këtu, ne, masat, ‘njerëzit që nuk janë asgjë, të cilët janë më pak se asgjë “. NE JEMI KËTU DHE DO TË LUFTOJMË PËR TË DREJTAT TONA’, tha një qytetar francez.

Protesta e fundjavës është e fundit e një serie demonstratash të mëdha në rrugë kundër Macron-it…”

Tani, po e riprodhoj këtë lajm në përputhje me aktualitetin në Shqipëri. Edhe njëherë, ju bëj thirrje, me fjalë fare të thjeshta, të kuptojmë thelbin e përmbajtjes së lajmit, rolin e shoqërisë dhe mesazhin që kërkoj të jap. Rama, Basha, apo Macron-i? Le të fillojmë!

“Dhjetëra mijëra SHQIPTARË dolën në rrugët e Tiranës për të PROTESTUAR KUNDËR politikave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. PROTESTAT që duket se kanë qenë të PADHUNSHME, bëhen kundër politikave e reformave të vendosura nga kreu i shtetit, i zgjedhur PESË VJETË më parë. Menjëherë pas zgjedhjes, ai nisi NDRYSHIME “RADIKALE” në vend…Protestuesit pretendojnë SE POLITIKAT E RAMËS kanë cënuar jetët e të drejtat e tyre në kohë varfërie ekstreme, zhvillime të cilat kanë njohur përkeqësim se sa përmirësim.

‘Është e pakëndshme, personalisht nuk kam votuar për Ramën dhe idetë e tij, pavarësisht se premtimet e tij elektorale u hodhën hi syve shqiptarëve, të cilat janë në favor të të pasurve. Jemi këtu, ne, masat, ‘njerëzit që nuk janë asgjë, të cilët janë më pak se asgjë “. Ne jemi këtu dhe do të luftojmë për të drejtat tona’, tha një qytetar shqiptar.

Protesta e fundjavës është e fundit e një serie demonstratash të mëdha në rrugë kundër Ramës…”

Fatkeqësisht kjo nuk ndodh në Shqipëri!

Po cilat janë disa nga ndryshimet “radikale” që ka parë Shqipëria gjatë pesë vjetëve të Rilindjes? Rama rriti taksat për të gjithë shqiptarët, nuk ka bërë asnjë investim veçse atyre që e kanë zhytur Shqipërinë në koçensione e borxhe të panumërta. Rriti energjinë elektrike, ujin, vuri taksë për shtëpinë ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarve i kanë banesat e tyre ende në proces legalizimi. Mijëra familjeve në nevojë iu hoq ndihma ekonomike, ndërsa pagesa më e ulët për parkimin e një makine është 2 mijë lekë të vjetra ora.  Fasadat llustrohen përpara çdo fushate zgjedhore, ndërsa pak ditë më parë u inagurua për të disatën herë “Bulevardi i Tiranës”, po i njëjti projekt, nga ata që ia bllokuan punimet administratës së Bashës gjatë kohës kur ai kishte pushtetin vendor në dorë. Projekti që u inagurua sot, do kishte përfunduar tre vjetë më parë. Në lumin e Tiranës, i cili nuk përmbyt më, në 2015-n u përfunduan mbi 60% e punimeve, por eskavatorët e pushtetit qendror bllokonin shumë projekte të cilat sot mbajnë firmën e Rilindjes, skicat e të cilave, si dhe projektet në fazën finale të tyre, janë në fakt disi më të vjetra, janë pra të njëjtat që me dhunë bllokoheshin nga qeveria e sot inagurohen po nga e njëjta qeveri.

Në vitet e fundit shqiptarët kanë humbur vendet e punës dhe janë larguar drejt kurbetit, duke u renditur të parët në rradhët e azilkërkuesve në Europë, duke lënë pas afganët e sirianët. Gjatë qeversjes Rama, vendin e ka mbytur krimi i organizuar dhe parcelizimi me kanabis i mbarë vendit, duke nxjerrë në sipërfaqe të llumit, gjithnjë e më shumë, emra pushtetarësh të bërë një me krimin, të cilët ligji nuk i dënoi dhe as nuk do i dënojë, pasi ligji është vetë Ai, i plotfuqishmi, lideri suprem i Shqipërisë. Ai është aq i plotfuqishëm saqë dërgon policinë Bashkiake të heqë zvarrë pleqtë ambulantë që shesin mallra mbijetese, trotuarëve të Tiranës endacake, për një kothere bukë. Po përse dhuna e terrori policor ka plakosur gjithandej? Sepse në 2018-n, i plotfuqishmi, vendosi, pa bërë asnjë konsultim me qytetarët dhe interesat e tyre, të mbjellë kioskat në Tiranë, për interesa të pastra klienteliste, heqjen e të cilave, shumë vite më parë, ai e shiti si histori suksesi të tijën.

Pse është Ai ligji dora vetë? Sepse me matemiatikë ai është politikani që ka ndënjur më gjatë në pushtet, më gjatë edhe se Berisha, nëse është ky emri që iu vjen ndërmend. Jo nuk është Berisha. Bëni llogaritë, që nga koha kur Rama ishte ministër i Kulturës, pastaj kryetar Bashkie (kujtoni çfarë i ndodhi Tiranës me ndërtimet me dhe pa leje për 11 vjetë me rradhë), më pas kryetar i Partisë Socialiste, demokracia e brendshme e së cilës është kalbur me kohë e me vaft, duke vijuar me Kryeministër i vendit e deri sot që vendi, nën qeverisjen e tij, është kthyer në diktaturë absolute e kohëve moderne.

Pse ësthë ai i plotfuqishëm? Sepse qytetarët e varfër të Kuksit, të cilët protestuan për mosvënien e taksës për Rrugën e Kombit, jo se nuk duan të paguajnë taksa, por sepse nuk kanë bukë të hanë, pasi jemi populli më i varfër në Europë e më gjerë, u dhunuan nga shteti dhe u dënuan me burg. Burg, Burg, Burg, pasi tentuan të ngrinin zërin për të drejtat e tyre. Vu taksat! Po nuk ka bukë të hanë! Si ë paguajnë? Jo, vu taksat, sepse duhet mbushur buxheti i shtetit nga ku vidhet me thasë. Po shëndetësia, drejtsia, arsimi, energjitika, bujqësia, blektoria, administrata etj? Po e përshkruaj me një fjalë. Mjerim! Shqipëria ndodhet në ditët e saj më të zeza.  Reforma? Asnjë reformë! Gjithçka është bërë vetëm e vetëm për interesa të oligarkëve.

Por përse nuk protestohet edhe në Shqipëri si në Francë? Fatkeqësisht kjo nuk, shoqëria shqiptare nuk reagon, e për të reaguar nuk duhet pritur nga ngacmimi i asnjë partie opozitare. Është shkelur mbi çdo ligj e normë e askush nuk ngrihet, sepse ka frikë. Shqipëria ka burra e gra, të rinj e të reja, të cilët kërcënohen me çdo formë, edhe me jetë qoftë, nëse kundërshtojnë liderat supremë të qeverisë sonë, por nuk ngrihen të protestojnë sepse i plotfuqishmi ka treguar se ka në dorë të të vërë përfund.

Një grup të djathtish fajësojnë Bashën se pse nuk e ngre popullin në këmbë? Tani, unë i kuptoj shumë prej tyre. Ata nuk u vunë në lista për deputetë nga Basha dhe kjo i revoltoi. Kanë revoltë kundër tij, por revoltë kundër fundosjes së vendit nuk duket se kanë. Por Partia Demokratike, si parti e lirive, është aq e lirë saqë i lejon kujdo të shprehë mendimin e tij si të dojë. Para daljes së listës, ky grup i rëndësishëm demokratësh, shpreheshin se Basha është lider perëndimor, i kulturuar dhe ka hapur dyert e PD-së për të gjithë, ku pas shumë vitesh mosfunksionimi, u ngrit Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, u votua Kryesia e Partisë, u ringrit (më në fund) Forumi Rinor i Partisë Demokratike, Forumi i Gruas, e pati takime e konsultime të njëpasnjëshme me qytetarë në mbarë vendin, procese zgjedhore të prekshme nga kushdo në përpjekjen për ristrukturimin e Partisë Demokratike që nuk i hapte dyert prej kohësh, se të vjetrit nuk i duan edhe aq shumë të rinjtë etj, etj, etj. Pas daljes së listës për karriget parlamentare, ata të palumturit, e nisën me sulme ndaj Bashës dhe harruan Ramën. Tani, Basha, lideri i qytetëruar, vizionari e miku i tyre, nuk besoj se ndryshoi brenda natës. Partia Demokratike nuk është Basha, Partia Demokratike është çdo demokrat, dhe mëngët nuk përvishen vetëm nga foltorja e Parlamentit, por nga çdo cep i vendit që nuk ka të bëjë me pushtetin. Protestat nuk duhet t’i organizojë Basha, nuk shkon, nuk është etike, nuk është roli i tij. Protestat duhet t’i organizojë ÇDO SHQIPTAR, çdo demokrat, në listë apo jo në listë.

Një qytetar i thjeshtë në facebook shkruan: “Mua më duket se këtu fle populli, sepse mbi popullin rëndojnë taksat, papunësia, droga, tallja dhe cinizmi që i bën ky i Rilindjes dhe gjithë maskarada që ai eksperimenton nën diktaturë. Të gjitha këto z. Basha i ka denoncuar dhe vazhdon ta bëjë çdo ditë. Por është turma popull që nuk ngrihet për të drejtat e tij. Ju po thoni siç ka thënë njëri në një fshat të thellë malor që kishte 7 fëmijë dhe s’kishte bukë t’u jepte, dhe kur u pyet si ia bën për të rritur fëmijët, ai u përgjigj: ‘Kur se çan kokën Kryetari i Këshillit që mban përgjegjësi për këtë punë, po e çaj kokën unë…? Kjo histori i përkiste monizmit dhe ju po kërkoni një gjë të huazuar nga monizmi. Në demokraci fatet e veta i vendos popull”. Gjithçka që sot kërkojnë ndërkombëtarët si kusht për negociatat, vijon ai, “droga, korrupsioni, Tahiri, Habilajt, Roshi, Dako, Sejdini etj, janë pasqyra e rezultateve të denoncimeve të z. Basha në mënyrë permanente dhe kjo është puna më e shkëlqyer e një lideri, me gjithë pengesat e disave”… etj.

Pra, kjo ishte thjeshtë një përmbledhje lajmesh, situatash aktuale, opinione qytetarësh të thjeshtë, që nga Parisi e deri në Tiranë. Të tjerat duhet t’i gjykojë populli sovran, larg partive. Boll janë blerë votat, boll janë blerë mediat, boll është blerë çdo mendim. Mos e shisni shpirtin, ju lutem.

SHKARKO APP