Rama dhe ata që e nënvleftësuan…
Tani ai ka në duart e veta një pushtet të madh, është i krahasueshëm vetëm me ato plakat e lezetshme të Veriut apo të Jugut, që tjerrin lesh dhe kanë dhjetëra fije nëpër duar, e që pastaj thurin triko, kapuçë e çorape…
Nga Artur Zheji
Padyshim të gjithë ata që e duan dhe nuk e duan, flasin çdo ditë për të. Për të mirë apo për të keq. Dhe këtë, i zoti i punës, Rama pra, e di shumë mirë dhe e shijon pa masë.
Tani ai ka në duart e veta një pushtet të madh, është i krahasueshëm vetëm me ato plakat e lezetshme të Veriut apo të Jugut, që tjerrin lesh dhe kanë dhjetëra fije nëpër duar, e që pastaj thurin triko, kapuçë e çorape.
Sigurisht në vend të fijeve të leshit të dredhur, ai, kryeministri, ka qindra fije njerëzore të shtrënguar si lëmsh në duart e veta, ku secila nga këto fije ka qindra fije të tjera, e secila nga këto qindra fije, ka përsëri qindra fije të tjera njerëzish, biznesesh, klanesh dhe interesash, e kështu me radhë.
Dhe të gjithë presin nga Shtatori e mbrapa se çfarë trikosh, kapuçësh dhe çorapesh, do të na thurë, kryetepsixhiu ynë, kryeministër për herë të dytë, me tepsinë dhe timonin të gjithë për vete.
Por nuk ishte e aspak e lehtë për Ramën të mbërrinte deri këtu, në majë të pemës më të lartë të katundit shqiptar.
Gjëja më fatlume për të ka qenë “Nënvleftësimi” që kundërshtarët e tij kanë patur sistematikisht për aftësitë e tija organizative si edhe njohjen e thellë të realitetit dhe kontrollin e territorit.
Në vitin 2015, ai përvetësoi bindjen se përmes parave të fuqishme, mund të vendoste raportin e forcave gjithmonë në favor të vetes. Dhe plani për mbjellje massive të Shqipërisë me kanabis, kishte dy pikësynime kryesore, e para rritjen e qarkullimit të parasë në tregun e varfër shqiptar dhe krijimin e një super kapitali financiar, për tu shpenzuar lirisht dhe pa dhimbje në zgjedhjet e përgjithshme.
Dhe ky plan dhe kjo super skemë financiare, e thjeshtë dhe në sytë të të gjithëve u vu në zbatim, në mënyrë të përsosur dhe efiçente. Dhe rezultati foli qartë për suksesin e kësaj skeme, që të gjithë ju trembën dhe të gjithë e nënvleftësuan në finish.
Sipas shumë dëshmish të mbledhura ditë pas dite, edhe bojkoti i zgjedhjeve ka qenë një bojkot i subvencionuar fuqishëm. Në rastet kur koordinatorët e kryeministrit nëpër qarqe, kishin pasiguri, për votën e mjaft familjeve, aplikuan skemën e mbrojtjes, duke “sekuestruar” përkohësisht dhe kundrejt pagesës, qindra e mijëra karta identiteti, për 50$ e deri në 100$ për copë.
Dhe ndërkohë kishin blerë përmes marrëveshjes së 17 majit, heshtjen e Opozitës, të cilës ju dhanë çelësat e kashtës së pushtetit, të cilat çelësa kashte i përdori mjaft mirë, duke i siguruar kryeministrit alibinë e duhur për krimin elektoral që u krye.
Mirëpo edhe kjo tashmë duket një film i vjetër, kryeministri u rikonfirmua.
Çështja shtrohet se çfarë do të bëjë Rama me gjithë këtë pushtet? Do të jetë ai si krijues i skemës së mijëra fijeve në një dorë të vetme, i aftë për të mos qenë ai vetë, plotësisht rob i atyre që i shërbyen për të mbërritur këtë superpushtet?
Ekuacionet politike vërtetojnë matematikisht se ai, nuk mund të bëjë dot ndryshe, sepse ai duhet të paguajë së pari qindra e mijëra faturat e shërbimeve zgjedhore, që kanë bërë mijëra kapterrat e mbledhjes së votave në terren. Dhe këto fatura janë në vetvete një deformim dhe një kushtëzim i stërmadh, për punën e tij të nesërme si kryeministër për të dytën herë.
Dhe kështu, ky kryeministër borxhli ndaj kapterrave dhe jo ndaj popullit, do të mbajë gjithmonë e më shumë fjalime në emër të popullit, duke përligjur punën e përditshme, në favor të kapterrave, që do të jetë shqetësimi parësor i shtabit të gjeneralëve, të Fushatës zgjedhore 2017. /360grade.al/