“Rama dhe Berisha, si dy dashnorë të vjetër, ndryshuan Kushtetutën”
Ajo që po ndodh sot në buzë të liqenit artificial nuk është gjë e re. Tani i ka ardhur Ramës radha për ta kafshuar atë, por që prej dhjetë vjetësh, socialistë dhe demokratë, herë kacafyten dhe herë bashkëpunojnë për të gllabëruar këtë kafashatë të madhe. Historia daton në nëntor të vitit 2006 kur kryeministri Berisha, një një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit e kaloi këtë zonë në shesh ndërtimi. Madje ai e akuzoi atëherë Edi Ramën se nuk liberalizon sheshet e ndërtimit për të pasur vetë përfitime më të mëdha (shikoni ironinë).
Gati një vit më pas, në verën e vitit 2008, Parlamenti miratoi edhe disa ndryshime në ligjin për sportin, me anë të të cilave i hapej rrugë shndërrimit të terreneve sportive në troje ndërtimi. Kuadri ligjor po bëhej gati. Ata që qëndronin pas kuintave me sa duket lëviznin gjithçka. Nuk zgjati shumë dhe një juri ndërkombëtare shpalli fituesin e një konkursi për zonën e ndërtimeve tek liqeni (tre fotot e para poshte).
Natyrisht për të arritur një mirëkuptim të tillë, për të ndërtuar në kryeqytet, duheshin dy palë: Edhe pushteti qendror edhe ai bashkiak. Zërat që gumëzhinin atëherë në Tiranë ishin se marrëveshja qe arritur pas një lobingu të fortë të një biznesmeni shumë pranë Berishës dhe të një tjetri shumë pranë Ramës. Këtë aferë parash e kish lehtësuar së tepërmi edhe klima çuditërisht e zbutur pas ngjarjes së Gërdecit. Menjëherë pas saj, Rama dhe Berisha, si dy dashnorë të vjetër, madje tani dhe me interesa të përbashkëta, ndryshuan brenda natës kushtetutën e vendit dhe ligjin elektoral.
Dhe Edi Rama e hodhi firmën e tij mbi këtë projekt si kryetar Bashkie, në vitin 2008. Ai veproi ashtu siç di të bëjë ai, duke i vënë gjoksin, duke e mbrojtur atë si një kryevepër të arkitekturës moderne, të projektuar nga studioja me famë botërore e ëinny Maas. Ai thoshte atëhere se ky projekt nuk do të prishte, por përkundrazi, do të rikualifikonte mjediset ekzistuese duke i kthyer ato në hapësira publike të cilësisë më të lartë europiane.
Por nuk kaloi shume kohë palët po përgatiteshin për betejën mes Ramës dhe Bashës për Tiranën dhe Berisha ndryshoi qëndrim. Ai filloi ta përdorë këtë projekt për të cilin kishin rënë dakord së bashku për të goditur kundërshtarin.
Në vitin 2010, Partia Demokratike e akuzoi Edi Ramën se kish marrë 20% të vlerës. Që atëhere dhe për shumë muaj me radhë, Rama nuk thirrej me emrin e tij të vërtetë, por me “Mister 20%-shi” apo “Edi Lepri”.
Lulzim Basha e fitoi me mënyrat e tij garën për Tiranën dhe nga fundi i mandatit të vet iu rikthye si kryebashkiak ëndrrës për të dhënë leje tek liqeni. Ndërkohë ishte bërë rokada e pushtetit qëndror dhe socialistët tani në qeverisje filluan të sulmojnë Bashën në gusht të vitit 2014.
Po tani, kush e mori 20%-shin? Pse Basha nuk i mbajti premtimet që bëri gjatë fushatës së tij për këtë zonë? A është ai një kryebashkiak i korruptuar apo një kryebashkiak peng?
Edhe këto argumenta shërbyen për ti humbur disa vota demokratëve në zgjedhjet e gjysëm viti më parë.
Por sapo futën në dorë edhe pushtetin qëndror edhe atë lokal në Tiranë, dyshja Rama Veliaj iu sul përsëri Liqenit. Menjëherë sapo kishin fituar Tiranën me premtimin zero ndërtime ata shpallën konkursin e tmerrshëm për hyrjen e parkut të liqenit (4 fotot poshtë).
Presioni publik i bëri që të tërhiqeshin përkohësisht, por pa harruar qëllimin final: masakrën mbi të vetmen hapsirë të gjerbër në Tiranë. Kështu Rama firmosi me dorën e tij një leje përballë fakultetit ekonomik, ndërsa tani Veliaj po betonizon në emër të një këndi lojrash për fëmijë. Tani janë demokratët ata që protestojnë përsëri dhe ironia nuk ka fund. Kronika vazhdon….(lapsi.al)