Rama e Basha, për pasojën më parë se shkakun

Nga Lorenc Vangjeli

E shkuara tashmë është shndërruar vetëm në histori: tentativa për një votim gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike të reformës në drejtësi, maxhorancë plus opozitë, dështoi të hënën. Takimi i gjatë i Pallatit të Kongreseve nuk prodhoi as kompromis dhe as shpresë që çfarë dështoi dje në bisedime, të ketë mundësi që të funksionojë nesër me votim.

Minutat dhe orët pas takimit të duhur me përfundim të “gabuar”, sollën një diferencim edhe më të madh mes palëve. Pa mbushur 24 orë nga takimi, Rama, duke folur për reformën në shëndetësi, tha me ironi se pavarësisht sukseseve, do t’i duhej të duronte gjuhën e baltës nga kundërshtarët. Kurse Basha duke kërkuar largimin e ministrit Tahiri për çështjen e përgjimeve, tha se ai duhej të pasohej nga largimi i vetë Ramës.

Po kështu, në të njëjtin hark 24 orësh, është diskutuar për mundësinë e Planit B të Ramës, që parasheh bashkim të votave me individë nga opozita, jashtë vullnetit të saj politik. Një plan që merr si përgjigje, kërcënimin ekstrem të PD­së se një gjë e tillë do të thotë bojkot përfundimtar me djegie mandatesh nga deputetët e tjerë të saj.

Edhe PS, me Ramën, edhe PD me Bashën duke nisur me momentet e para të dështimit të tryezës, u morën me shpjegimin e arsyeve të dështimit. Edhe Rama, edhe Basha, sikundër ishte e lehtë të mendohej, u angazhuan personalisht që faturën e dështimit ta personalizonin me emrin, fytyrën dhe logon e kundërshtarit. “…më vjen shumë mirë që t’u them sot të gjithë shqiptarëve që i bëmë të gjithë përpjekjet e mundshme për t’ia dhënë kundërshtarëve tanë politikë një mundësi reale kompromisi, pa cenuar përmbajtjen thelbësore të kësaj reforme. …Partia Demokratike nuk ka lënë gur pa luajtur, marifet pa përdorur, justifikim pa nxjerrë për ta zvarritur këtë reformë dhe për të ndryshuar thelbin e saj”, tha Rama të hënën rreth orës 20.00.

Si një pasqyrë e përmbysur e të njëjtit realitet, Basha përdor të njëjtat fjalë për ta hedhur pataten e nxehtë të dështimit në prehërin e kundërshtarit. “Kam keqardhje të madhe të konstatoj se pala tjetër erdhi në tryezë me konkluzione të parapërgatitura, me një fjalim të përgatitur, jo për të kërkuar zgjidhje, jo për t’i dhënë vendit një reformë në drejtësi, por për të krijuar alibinë se pse nuk mund të ketë reformë konsensuale dhe mundësisht, t’i hidhet faji kundërshtarit”, tha Basha, po të hënën, rreth orës 20.15.

Nëse do të krijohej një distancë nga tryeza, do të vihej re lehtësisht se i vetmi lajm që ajo prodhoi, ishte se dhe vijimi i javës, muajit apo ca më shumë vitit në vijim që është dhe vit elektoral, do të kenë të njëjtën fytyrë: palët më shumë se për suksesin e përbashkët, investohen për të gjetur adresën për dështimin vetjak.

Dhe kjo ndodh sipas një mendësie ende të pakapërcyer në politikën shqiptare, e cila i ngjan ngulmit të zakonshëm në Ballkan, ku dikush preferon të jetojë me një sy, me kusht që fqinjit t’i hiqen të dy sytë. Sado që ndryshon në formë dhe në thelb, edhe Reforma në Drejtësi apo shumë çka tjetër në Shqipërti, me këtë përplasje të mbartur egërsisht në vite mes shumicave dhe pakicave që bëjnë rotacion në vend, për fat të keq nuk pati fat tjetër. Së paku kësaj here, po aq i rëndësishëm sa të gjendet shkaku se pse ndodhi, duhet të indetifikohen pasojat e asaj që ndodhi dhe që do të ndikojnë mbi të gjithë shqiptarët. Të majtë e të djathtë, të cilët dhe këtë herë, si pothuaj përherë, patën mundësi që të identifikojnë një klasë politike të paaftë të luajë lojën e fortë, të mençur e euroatlantike të kompromisit. Vetëm në Ballkanin tradicional kompromisi konsiderohet si dobësi, kur në fakt është tërësisht ndryshe! Gjetkë barazimi i mundëshëm është fitore e dyfishtë. Sepse vetëm humbja e kundërshtarit nuk do të thotë kurrsesi se është fitore e palës tjetër. Siç konsiderohet gabimisht në Tiranë. (Javanews.al)

SHKARKO APP