Rama hidhet nga dega në degë për kërkesat e studentëve dhe pedagogëve
Nga Shezai Rrokaj*
Kryeministri hidhet nga dega në degë me kërkesat e studentëve dhe profesoratit.
As fjalët e bukura për plotësim kërkesash e as arroganca ndaj profesoratit nuk e shpëtojnë kryeministrin nga përgjegjësia për përgjysmimin e tarifave për të dyja ciklet e studimit. Fjalë vetëm fjalë, por asnjë hap drejt kompensimit financiar të IAL-ve për arkën e mbetur bosh nga mospagesa e tarifave të studentëve.
Duke qenë se qeveria subvencionon vetëm 10 muaj rrogë, me të ardhurat nga tarifat universitetet mbulojnë shpenzimet operative si ujë, drita, kancelari, laboratorë e ekspedita. Me këto të ardhura ato mbulojnë gjithashtu orët mbingarkesë të pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm. Nga këto të ardhura bëhen investimet, konferencat shkencore dhe botimet e revistave si dhe paguhen 2 muaj paga për pedagogët.
Qeveria bën mirë të mos bëjë sofizma me ‘pakte’ llafesh e me ‘patronazhe’. Të realizojë kërkesat e studentëve dhe të kompensojë IAL-të për humbjet financiare që po i shpien ato pas muajit shkurt drejt kolapsit financiar.
Ligji i arsimit të lartë ishte një ligj klientelist, i cili ngushton lirinë akademike dhe autonominë administrative e financiare, ku qeveria ka kapur bordet e administrimit dhe ka krijuar dualizma të panevojshme në universitete, duke marrë role akdemike dhe duke cënuar autonominë nëpërmjet agjensive si: QSHA, KALKSH, AKFAL, AKSH, ASCAL dhe VKM-ve të fundit. Në vend të rolit politikëbërës dhe auditues qeveria po shkel hapur lirinë akademike deri te kurrikula dhe vlerësimi i profesoratit. Universitet duhet ta bëjnë vetë transparencën në të gjitha nivelet duke ndëshkuar këdo që shklel ligjin.
Ato nuk janë institucione të varësisë për t’i marrë nën patronazh. Duke qenë autonome universitetet janë partnere zhvillimi me qeverisjet e radhës. Ndaj, realizoni 5% të PBB-së për arsim cilësor, Kartë Studenti reale, përgjegjësi e kujdo që shkel ligjin, duke filluar me ndëshkimin e atyre që dhunuan me polici universitetet e deri te ryshfeti dhe papërgjegjshmëria akademike në procesin e mësimdhënies.
*Deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim