“Rama i hapi listat, por vetëm për ata që nuk fitojnë”

Nga Leonard Karaj

U faktua: Edi Rama nuk synon për asnjë çast dhe për asnjë arsye që të hapë listat e kandidatëve për deputet. Në referencë të një shkrimi të para disa ditëve, theksoja faktin se halli i kryeministrit, përtej togfjalëshit “listë e hapur” apo “listë e mbyllur”, ishte vetëm ndalimi me ligj i koalicioneve zgjedhore.

Dhe me draftin e miratuar, është vulosur përfundimisht hileja e Ramës, i cili, ashtu sikundër në të gjitha rastet e tjera, kur ka marrë një vendim, pavarësisht nëse ka qenë i drejtë apo jo, i ka shkuar deri në fund, pa marrë parasysh kostot (përjashtim këtu bën tërheqja për armët kimike dhe deri diku, edhe shkarkimi i presidentit).

Madje, nga njëra anë, thekson se nuk ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit, duke mbajtur me “penicilina” ndërkombëtarët dhe, nga ana tjetër, po shtron terrenin për mandatin e tretë qeverisës, i cili në 2022-shin, me ndonjë ujdi “alla shqiptarçe” mund ta çojë edhe drejt kolltukut të presidentit.

Në draftin e miratuar, të ashtuquajturat “Lista të hapura”, të kërkuara me kaq ngulm nga opozita parlamentare, shtrihen vetëm në 65-70% të listës së kandidatëve. Ndërsa nga 30-35%, përsëri do të caktohen nga kryetari i partisë. Thënë më shkoqur: nëse në Tiranë zgjidhen 34 deputetë, 12-13 prej tyre vendosen në listë sipas renditjes dhe dëshirës së kryetarit (thuhet, sipas verdiktit të kryesisë së partisë), ndërsa pjesa tjetër, pra rreth 20 deputetë vendosen në listë të hapur, “të lirë” të konkurrojnë mes vedit për të marrë sa më shumë vota.

Pra, sërish kryetari vë veton se cili do të jetë deputet, duke qenë se në Tiranë, për shembull, qoftë Partia Socialiste, qoftë ajo Demokratike, nuk nxjerrin më shumë se 15 deputetë. Nga këta 12 ose 13 do t’i vendosë sërish Rama në një listë të mbyllur rendore dhe të pandryshueshme. Pastaj pjesa tjetër do të jetë listë e hapur, ku kandidatët për deputetë mund të lobojë pa hesap për veten e tyre, dhe në fund, gjithsesi, zor se do të mund të zënë një vend në Kuvend. Ky variant i Ramës i ndihmon opozitarët parlamentarë që të garojnë në një listë të hapur, duke pasur këta të fundit një shans më shumë për të qenë sërish deputetë, por, nga ana tjetër, vetvetiu bie një pjesë e nenit 68 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku flitet për koalicionet zgjedhore.

Kështu, Rama në pamje të parë, ka bërë babaxhanin me Murrizi & CO, teksa, nga ana tjetër, ka marrë pikërisht atë që synonte: ndalimin e koalicioneve. Sigurisht, nëse ky draft kalon në Kuvend, atëherë vetvetiu bie edhe hipoteza e koalicioneve, pasi, nëse garohet me një listë të hapur (pavarësisht se sa e hapur është), nuk ke mundësi të bësh koalicion parazgjedhor.

Ndaj, nuk është fare çudi që në seancën e 23 korrikut Kuvendi të miratojë heqjen e togfjalëshit “koalicione zgjedhore” dhe njëkohësisht të miratojë ashtu sikundër është dakordësuar edhe marrëveshja e 5 qershorit, në të cilën faktikisht nuk u futën si pjesë e saj qofshin listat e hapura, qofshin koalicionet.

Kështu, Rama me një gur vret dy zogj: sepse, nga njëra anë, u “bën” qejfin ndërkombëtarëve që kanë kërkuar vazhdimisht firmosjen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe, nga ana tjetër, ndryshon aq pjesë të kodit sa ç’i duhen atij për të qenë në një avantazh teorik në zgjedhjet e 2021-shit.

Në të tilla kushte PD-ja dhe blloku opozitar janë të detyruar që ose të dalin me një listë të vetme emërore me 140 emra kandidatësh për deputet, përbërja e së cilës duhet të jetë me pjesëmarrje nga të gjitha partitë, kjo në referencë të peshës që ato kanë në elektorat, ose të dalin secila me siglat e tyre.

Gjasat më të mëdha janë zgjedhje ku secila parti të garojë më vete, pasi së pari është shumë e vështirë, për të mos thënë gati e pamundur, që të gjendet një konsensus mes opozitarëve për një listë emërore të përbashkët dhe renditjen e kandidatëve në të.

Së dyti, parti si ajo Agrare Ambientaliste, por edhe LSI-ja kanë shprehur prej kohësh idenë për të mos qenë në një listë me PD-në. Kësisoj, nëse votohen ndryshimet kushtetuese (dhe me shumë gjasa po), Rama do të tentojë të prishë rregullin e pashkruar të këtyre 3 dekadave, teksa asnjë parti nuk ka mundur të fitojë mandatin e tretë …

SHKARKO APP