Rama i ”la topin” Metës për Buxhetin, vjen lëvizja e papritur e Presidentit
Presidenti i vendit Ilir Meta ka kthyer në Kuvend Buxhetin për vitin e ardhshëm, pas protestave studentore.
Kjo lëvizje e presidentit vjen në një kohë kur Rama iu drejtua në Kuvend opozitës së nuk mund të bëhen ndryshime në Buxhet, pasi ky ishte dërguar te Ilir Meta.
Meta thotë se është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet, dhe për këtë ai ka kthyer ligjin, që ti japë kohë dhe qeverisë të reagojë për kërkesat e studentëve.
REAGIMI I PRESIDENCËS: Presidenti i Republikës Ilir Meta, thotë se duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe në garantimin e stabilitetit në vend, me dekretin nr. 10997, datë 13.12.2018 ka vendosur “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me qëllim rishqyrtimin e tij.
Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.
Buxheti për vitin 2019 ishte votuar në Parlament një javë më parë dhe pritej të dekretohej nga Presidenti i Republikës. Por, për shkak se rritja me 5% e buxhetit për arsimin është një nga kërkesat e studentëve, kreu i shtetit e ka kthyer në Parlament për t’u rishqyrtuar.