Rama i tradhëtuar nga të vetët apo nervat që tradhëtojnë në epilog
“PS ra sërish në kurthin e brezit të shkelur dhe të nervave të lodhura. Duke përjashtuar Berishën dhe PDnë ajo riktheu dhe njëherë tensionet e panevojshme në politikë, që e bëjnë edhe më të paqartë votimin për reformën në drejtësi. Në mes të javës, duke ftuar gjithë xhentilesë Bashën në takim në rrugën e ishBllokut që bashkon kryeministrinë me godinën e kryesisë së Kuvendit”…
Nga Lorenc Vangjeli
Është ripërsëritja identike e një skene të ndodhur pak më shumë se një muaj më parë. Deputeti Sali Berisha, ishkryetar i PDsë përjashtohet nga punimet e parlamentit për një periudhë dhjetë ditore. Bashkë me të, bojkoton apo për të përdorur një fjalë më të butë, vetëpezullohet po për kaq ditë edhe grupi parlamentar i PDsë. Si rrjedhojë, qëndron pezull edhe çdo proces tjetër politik që kërkon bashkëveprim, bashkëpunim apo bashkëvotim të shumicës me pakicën politike në vend.
Duke nisur me reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi është nevoja më urgjente në kohë e kësaj kohe, për të cilën ka shumë pak kohë në dispozicion që të miratohet. Një reformë, të cilën kryeministri Rama, përkundër gjuhës së tij të zakonshme, i është lutur në mënyrë të pazakontë PDsë që të mos tërhiqet nga procesi. Bëhet fjalë po për të njëjtën reformë urgjente e cila duhej të ishte miratuar dje, siç ka përsëritur e përsëritur Ilir Meta, bashkëqeverisësi në maxhorancë.
Por në dhjetë ditët e ardhshme edhe fryma për fatin e reformës, edhe vetë reforma do të qëndrojë pezull: së paku në pjesën që ka të bëjë me bashkëveprimin, bashkëpunimin e bashkëvotimin e mundshëm të pozitës me opozitën. Sepse opozita nuk është. Sido që ta shohësh dhe nga cilado anë ta shohësh, ky është përfundimi logjik i asaj që ka ndodhur duke u nisur nga e enjtja. Ora që numëron ditët për afatin e nevojshëm për miratimin e reformës u kurdis mbrapsht edhe për dhjetë ditë të tjera.
Në kushte normale, shkaku pse ndodhi një gjë e tillë, fjalimi i errët i zotit Berisha dhe fjalori i të njëjtës ngjyrë që ai përdor zakonisht në Kuvend, do të ishte anormal. Të enjten Doktori nuk tha gjë më shumë apo më rëndë se në të tjera fjalime që ai ka mbajtur pafund e pambarim në këto tre vjet me kostumin e deputetit dhe me CVnë e deputetit më aktiv të parlamentit. Me një logjikë puritane, të themi, me etikë të standartit minimal evropian, ai duhej të përjashtohej mbas çdo fjalimi që mban në Parlament. Si në rastet kur flet për zogjtë shtegëtarë, si kur flet për pasardhësin e tij që është ulur në karrigen që mbajti tetë vjet me radhë. Por me standardin e zakonshëm shqiptar dhe për hir të hallit të madh shqiptar që po qahet për muaj të tërë bashkë me miqtë e huaj, amerikanë e evropianë – reformën në drejtësi – ndoshta do të duhej një reagim i ndryshëm ndaj tij. Dhe bashkë me të, për rrjedhojë, edhe me gjithë partinë demokratike dhe opozitën në tërësi, do të duhej një reagim tjetër.
Me nerva të përmbajtura. Me dhëmbë të shtrënguar. Madje, madje, edhe me magjinë që bën nevoja, e cila shndërron në dajë të dashur edhe derrin e urryer. Në Evropë, me gjasë, një akt i tillë quhet realpolitikë.
Në një sherr politik, zakonisht faji është i më të fortit. Edhe kur më i forti – në numra – nuk ka pikën e fajit, ai është fajtor nëse situata politike tensionohet në ekstrem. Qeverisjes i intereson qetësia që të qeverisë. Opozita lutet për rrëmujë që të mos lejojë qeverisje “normale”. Edhe në rastin kur opozita si në anekdodën e vjetër me Nastradin lëshon brezin përdhe dhe lutet që t’ja shkelin për të kërkuar pastaj llogari se pse i shkelën brezin.
PS ra sërish në kurthin e brezit të shkelur dhe të nervave të lodhura. Duke përjashtuar Berishën dhe PDnë ajo riktheu dhe njëherë tensionet e panevojshme në politikë, që e bëjnë edhe më të paqartë votimin për reformën në drejtësi. Në mes të javës, duke ftuar gjithë xhentilesë Bashën në takim në rrugën e ishBllokut që bashkon kryeministrinë me godinën e kryesisë së Kuvendit, Rama realizon një akt të fortë të realpolitikës. Por duke nisur me këtë të enjte e më pas, kur lejoi që nga selia e PSsë Berisha i përjashtuar të jetë “… kryetari i SHQUP” dhe Basha, i ftuari i tij, të jetë “…kukulla e Berishës”, bëri që akti i tij të marrë vlerën e zeros po në realpolitikë. Pavarësisht shkakut, pasoja është e vetmja gjë e dukshme që dëmton shqiptarët. Që dëmton shumicën dërmuese të tyre, të masës mbi 90 për qind, të cilët janë “…të pakënaqur me gjendjen e sistemit të drejtësisë” dhe për rrjedhojë, duan një reformë serioze në drejtësi. Dhe kjo është partia më e madhe në vend, e ndarë në mes partive kryesore në vend dhe në partinë e indiferentëve që nuk duan asnjë nga partitë tradicionale të vendit.
Vota abstenim e Ilir Metës në procesin e paracaktuar të përjashtimit të Berishës nga punimet e Kuvendit shërbeu të premten vetëm për të kujtuar të njëjtin detaj që harrohet rregullisht në Tiranë: realpolitikën. Atë tërësi aktesh, sjelljesh e qëndrimesh që dikur latinët e vjetër e shprehnin në formën e një këshille që pakkush e njeh në Tiranën e mbushur me plot amatorë të zellshëm politikë: Edhe armikun më të egër mos e rretho kurrë nga të katër anët. Leri të paktën një shteg që të shpëtojë! Nesër, ai do ta bëjë të njëjtën gjë me ty. Si pasojë dhe jo si shkak, kësaj here, Rama në mos nga vetja, u tradhtua nga miqtë e tij më të afërt në PS. Dhe viktimë, si zakonisht në këto kohët e fundit, është sërish reforma në drejtësi që duhet të ishte miratuar dje. (Java News)