Rama, Meta e Basha, zakonisht nuk është ashtu siç duket

Tendosja kryesore mes dy pjesëve që bëjnë të tërën në maxhorancë, PS & LSI, ndodhi mbas zgjedhjeve lokale, por dhe atëherë pakkush kuptoi të vërtetën e asaj që kishte ndodhur.

Nga Lorenc Vangjeli

Ekspertët e kriminalistikës kanë një shprehje të preferuar: kurrë mos i beso provave që duket se ulërijnë përpara syve! Sepse një gjë e tillë mund të afrojë shumë lehtë një realitet të gënjeshtërt. Kjo vlen kryesisht për ata që duan të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe më të thjeshtë. Dhe çfarë ndodh që është e vërtetë për një krim të zakontë, mund të jetë gjithashtu e vërtetë edhe për një zeje sipërore të njeriut dhe një art më vete siç është politika.

Në Shqipëri, politika, kjo zeje dhe ky art është ende i papëkryer. Është spontan dhe amator. Janë ende shumë të rrallë njerëzit që merren me të, ndonëse ata që paguhen si të tillë janë me dhjetëra. Nuk është fjala për ata që, fjala vjen kanë një mandat deputeti në xhep dhe që kur ndodh të flasin, i nisin fjalitë me: “Ne, tani që jemi në politikë, mendojmë se…”. Këta janë aksidenti. Janë ata që shohin në sipërfaqe dhe vetëm sipërfaqen e fakteve dhe diskutimin për reformën në drejtësi – sa për të marrë një shembull – e konsiderojnë të ngjashme me përplasjen e gurëve që bëjnë zhurmë dhe ekzekutimin e një koncerti në piano. Janë ata që nuk kanë asnjë dilemë dhe nuk kanë dyshuar kurrë se midis opinionit dhe faktit ka një diferencë të madhe. Duke qenë të sinqertë në këtë kuptim, ata nuk kanë pikën e fajit, kur gjithë lëvizjet e mundshme dhe të mundimshme politike, i shohin vetëm si një cirkuit mes aleancave të mundshme mes tre forcave kryesore politike PS, LSI e PD. Një lloj loje fëmijërore “E ka kush e ka” pushtetin!

Në vjeshtën e dy vjetëve më parë, në Tiranë flitej shpesh e madje me detaje për një skemë të çuditshme në politikë, sipas të cilës, edhe PS, edhe PD, të zemëruara nga kushtëzimi në shifra që u bënte LSI, mund të realizonin një bashkëqeverisje me stafetë, që do të nxirrte jashtë loje njerëzit e Ilir Metës.

Optimistë, konspiracionistë dhe “shahistë” politikë, përveç lojtarëve të vërtetë, e kishin me qejf të madh të afronin dhe detaje të kësaj skeme, që nisnin me një dashuri të madhe e të papritur mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Në kushtet kur sovraniteti i atij që quhet rëndom sovran – publikut që voton – është tejet i reduktuar dhe përfundon në ditën e votimit, pa arritur madje edhe në momentin e numërimit të votave, një gjë e tillë as do të habiste njeri dhe as nuk mund ta shmangte njeri, nëse do të ishte vërtet vullnet i Ramës dhe Bashës. Dhe gjithashtu, jo më pak e rëndësishmja, përkundrazi, nëse Basha do të kishte edhe “izën” (një fjalë turke që e përdorin ende të moshuarit në vend të fjalës “leje), e Doktorit, asgjë nuk mund ta habiste më shumë se tre ditë qeverisjen me bazë të gjerë e majtë dhe e djathtë bashkë.

Se çfarë ka ndodhur në vjeshtën e dy vjetëve më parë, në pranverën e një viti më parë dhe në vijim, tashmë është pjesë e kronikës. Tendosja kryesore mes dy pjesëve që bëjnë të tërën në maxhorancë, PS & LSI, ndodhi mbas zgjedhjeve lokale, por dhe atëherë pakkush kuptoi të vërtetën e asaj që kishte ndodhur.

Partizanët e sipërfaqes, të dashuruarit mes mungesës së diferencës ndërmjet faktit dhe opinionit, gjykuan me tërsëllëmë dhe bindje (njëlloj siç shfaqet zakonisht portreti i padijes) se mes aleatëve kishte ndodhur gjëma për shkak të Pogradecit, Lezhës apo Livadhjasë e Vorës. Shumë ju hakërryen fotos së çastit duke harruar dhe duke mos kuptuar se qershori i 2015­ës ishte projeksioni i dinamikave që po përgatiteshin për në 2017­ën. Kur vlerat politike të tre partive kryesore në vend, PS, LSI, PD e madje edhe PDIU, vazhdonin të luheshin e luhen në bursën e paqëdndrueshme të dashurisë, urrejtjes apo indiferentizmit të publikut që voton. Që shpërblen njërën palë apo do të ndëshkon tjetrën.

Së paku në këtë pikë, kryetarët e partive dhe një grusht shumë i ngushtë njerëzish pranë tyre, politikanë, gazetarë apo miq të tyre, janë jashtëzakonisht të qartë me sondazhe që ju thonë të vërtetën për temperaturën gjithashtu shumë të ndryshueshme të publikut. Dhe mbi të cilën projektojnë, ngrejnë dhe ndërtojnë skema “matematike” të politikës. Vetë politika në të gjitha rrethanat është më shumë se mbledhje e zbritje shifrash që mësohen në tabelën e aritmetikës së klasës së tretë. Është dhe moral. Është dhe traditë. Është dhe filozofi. Pranimi i aksiomës se mes faktit dhe opinionit ka një diferencë mjaft të madhe është një hap i duhur, në drejtimin e duhur për të kuptuar më shumë. Në politikë ka një rëndësi të dorës së parë që të mos i besohen kurrë provave që duket se flejnë si lepuj të trishtuar përpara syve!

Zakonisht gënjen ajo që duket dhe gënjehen kryesisht ata që duan të gjejnë rrugën më të shkurtër dhe më të thjeshtë duke besuar qoftë tek Zana e Dhëmbit, qoftë tek Lepuri i Pashkëve. Por në momentin që zbulohet se ato nuk ekzistojnë ka ndodhur një metamorfozë shumë e rëndësishme: nga fëmija është prodhuar së paku një adoleshent. Dhe në politikën shqiptare, një gjë e tillë nuk është pak. Përkundrazi! (Javanews.al)

SHKARKO APP