Rama si Berisha dikur: Paratë e bankave (fajdeve) janë të pastra!

Placeholder Image

Skema që denoncoi Lulzim Basha nga oborri i Partisë Demokratike, sipas të cilës Programi “1 Miliard për Rindërtim” është një nga shtyllat e pastrimit të parave të kanabisit, u prit me ironi dhe humor nga Edi Rama. Kërkesa e Bashës që FBI dhe DEA amerikane të marrin në dorë buxhetin e Shqipërisë si provë për implikimin e qeverisë në pastrimin e parave të drogës ngjan e ekzagjeruar, por përgjigjia që i dha Rama opozitës lë hapësirë për dyshime.
Rama mblodhi bankierët në takim dhe ia nisi nga humori dhe batutat. “Ju të gjithë këtu jeni në duart e krimit” duke vazhduar “Edhe ata me kufje, madje ata me kufje janë më shumë”.
Bankierët kanë shumë arsye për të qeshur. Jo thjesht se kryeministri i Shqipërisë është gati të bëjë bufonin me një çështje delikate si ajo e pastrimit të parave, por edhe se në 6 muajt e parë të vitit 2017, bankat kanë arritur fitime rekord në Shqipëri, të panjohura që nga viti 1999.
Por për t’i qetësuar se paratë që qarkullojnë shqiptarët janë të pastra, kryeministri shkoi më tej duke dalë garant se “në aspektin e luftës kundër pastrimit të parave, Shqipëria është një vend me të gjitha standartet më të larta të Bashkimit Europian”, se “nuk ka asnjë shans që të pastrohen para në Shqipëri përmes sistemit bankar” dhe se “nëse ka një system ku ekonomia informale apo ajo e zeza nuk ka shans të penetrojë, ky është sistemi banker”. Për të kuptuar më mirë të vërtetën e këtyre deklaratave, ia vlen t’i rikthehesh raporteve të Shteteve të Bashkuara dhe të Këshillit Europian për pastrimin e parave në Shqipëri. Të dhënat nuk mungojnë për vitin 2017, por në këto raporte Shqipëria nxin, si një nga parajsat e pastrimit të parave të pista.
1) Departamenti amerikan i Shtetit e riktheu Shqipërinë në listën e vendeve kryesore të botës sa i përket pastrimit të parave për vitin 2016, ndërkohë që një vit më parë vendi ynë nuk bënte pjesë në të. Raporti i DASH bëri lidhjen direkte të lëvizjes së parave të pista nga Shqipëria me trafikun e drogës dhe korrupsionin.
Sipas SHBA, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia kanë hyrë në listën më të re të shteteve kryesore që pastrojnë para në botë, pasi institucionet e tyre financiare janë të përfshirë në transaksione në valutë, që përfshijnë të ardhurat të konsiderueshme nga trafiku i drogës.
“Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm burimi për marihuanë, si dhe një rrugë tranzite për kokainë dhe heroinë e destinuar për tregjet evropiane. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara dhe kontrabanda lehtësohet nga kontrollet kufitare dhe procedurat doganore të dobëta. Shqipëria shërben si një bazë e operacioneve rajonale për organizatat e krimit të organizuar. Të ardhurat e paligjshme mund të pastrohen lehtë”, shkruhej në raportin e publikuar në mars të këtij viti.
2) Instituti i Bazelit e riktheu Shqipërinë në verën e këtij viti, në listën problematike të 15 vendeve me rrezikun më të lartë për pastrim parash. Në tabelat e raportit, Shqipëria renditet mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, së bashku me Bosnjë Hercegovinën e Serbinë.
Instituti i Bazelit për Qeverisje publikoi të dhënat si çdo vit, pasi mori në analizë 146 vende mes të cilëve edhe Shqipërinë. Indeksi mati rrezikun e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste, pazuar në të dhëna publike.
3) Një raport i Këshillit të Europës I publikuar disa ditë më parë shpjegoi në mënyrë të detajuar burimin e parave të pista në Shqipëri, duke vënë në dukje se, dënimet dhe sekuestrimi i aseteve të krimit janë të pakta. Sipas tij, në sistemin financiar dy janë rrugët kryesore, transaksionet brenda sistemit dhe hapja e llogarive bankare në emër të personave të afërm të familjes, ose rrethit shoqëror. Sipas Këshillit të Europës, një pjesë e parave pastrohen duke bërë blerje të bizneseve të ligjshme, ose duke hyrë në partneritet me to. Paralelisht blerja e pasurive të patundshme si trojet, apartamentet, hotelet dhe stacionet e karburanteve janë po ashtu metoda gjerësisht të përdorura, siç është edhe ajo e blerjes së mallrave të luksit.

Për të kuptuar më mirë raportet e huaja, vlen të kujtohet se nga buron paraja e pisët në Shqipëri. Sipas deklaratës së ambasadorit të OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt në Shqipëri qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para e pisët që vjen nga trafiku i drogës. Diplomati e shprehu shqetësimin në mars të këtij viti.
Një e dhënë tjetër, janë raportet e Guardia Di Finanza. Në dy vitet e fundit italianët u bombarduan nga lumenjtë e drogës që vinin nga Shqipëria. Drejtuesit e Guardia di Finanza raportojnë se në Shqipëri u mbollën gati 219 mijë hektarë me kanabis. Sasitë gjigande të drogës që u trafikuan e kanë vënë shtetit italian në dilemë, ta legalizojë apo jo marijuanën.

Duke lexuar raportet e SHBA dhe BE, duke dëgjuar Guardia di Finanza-n dhe duke ditur historinë e implikimit të qeverisë në trafikun e drogës, natyrshëm del në përfundimin se garancia që i dha Edi Rama bankierëve për paratë e krimit, e implikon atë vetë të parin. Për më tepër, vlen të kujtohet se garancia se paratë e shqiptarëve janë të pastra, nuk është hera e parë që dëgjohet në Shqipëri dhe herën e parë që u tha, dihet si përfundoi

SHKARKO APP