Rama-Vuçiç, rikthimi i debatit që iu bën mirë palëve
Nga Skënder Minxhozi
Duket se Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç tashmë e kanë për zemër të debatojnë “live” me njëri-tjetrin. Që na vizita e parë e kreut të qeverisë shqiptare në Serbi, kjo është kthyer në një aksiomë që nuk ka nevojë të provohet. Dhe “betejat” verbale në tokën serbe kanë qenë rregullisht më interesante, kryesisht për shkak të sensit të batutës dhe të riskut diplomatik, që kryeministri shqiptar përdor në këto raste.
Rama ka lënë pas Tiranën, ku sherret parlamentare dhe debatet për vizitën e Ilir Metës në Athinë, kanë krijuar edhe një herë të enjten e ndezur të rradhës. Madje, në pamje të parë duket se vetë Rama e ka kërkuar momentin e përplasjes me Vuçiç, si për të treguar tërthorazi se ai di të flasë fort edhe në tokën serbe, në antitezë me të folurën e butë të Metës në tokën greke. Megjithatë replikat Rama-Vuçiç kanë qenë një histori më vete sot në mediat e dy vendeve, duke përfshirë tema të nxehta si marrëdhëniet me Rusinë, Perëndimin dhe para së gjithash dosjen e “përvëluar” kosovare.
Ka qenë përherë një përplasje me vështrimin drejt politikës së brendshme, kjo mes kryeministrit shqiptar dhe atij serb. Si çdo takim i këtij formati, edhe ky nuk ka bërë përjashtim nga rregulli i pashkruar, se kur dy vende me probleme mes tyre takohen, palët mbajnë qëndrime “të kalibruara” për llogaritë e brendshme të secilit vend. Përmendja e Trepçes (që doni ta transportoni në Serbi!), nuk ka qenë e rastësishme nga ana e Edi Ramës, ashtu si edhe replika e Aleksandër Vuçiç nuk ka qenë kurrsesi e tillë. E meqë ftesa për të njohur Kosovën, nga ana e kryeministrit shqiptar, nuk përbën më një rrufe në qiell të pastër për homologun serb, dy kryeministrat kanë debatuar për tema më të gjera sesa ajo e marrëdhënieve shqiptaro-serbe.
Rama dhe Vuçiç kanë shprehur në pak minuta, atë që është sot sinteza e lidhjeve mes Serbisë dhe Perëndimit dhe vendit tonë dhe BE e NATO-s. Janë dy botëkuptime që ndryshojnë qartësisht, jo vetëm nga prezenca e fortë e elementit rus (në rastin serb), por edhe nga shkalla e optimizmit me të cilin dy vendet e shohin afrimin me Bashkimin Europian. Pa harruar Kosovën, e cila i jep pozicionit serb një format krejt të veçantë dhe unikal, edhe në raport me Brukselin e Uashingtonin.
Megjithatë, përtej gjithçkaje, përballja e përsëritur e dy kryeministrave përbën një ushtrim të domosdoshëm komunikimi dhe demokracie. Le të grinden, le të mos bien dakord, le të ironizojnë njëri-tjetrin, vetëm të mos rrinë pa u takuar. Sepse është provuar historikisht se mungesa e komunikimit sjell me vete edhe të këqiat e tjera të mëdha, si paragjykimi, moskuptimet dhe agresivitetin e ndërsjellë. Çka vlen natyrshëm edhe për dialogun Beograd-Prishtinë, i cili gjithashtu zuri vend në takimin e kryeministrave.
Sado larg të jenë serbët dhe shqiptarët, kur Tirana e Prishtina komunikojnë me Beogradin, egziston ura e duhur e shkëmbimit të qëndrimeve e ideve, të cilat në mos sot, nesër do sjellin me patjetër uljen e nervave, qetësimin e shpirtrave dhe kompromiset e duhura. Rama dhe Vuçiç e kanë kuptuar drejt këtë deficit historik mes dy kombeve. (Javanews)