Rasti Vlorës nuk është punë rrugaçësh, është sistemi i të fortit
Dy burrecë që fryheshin si gjela përballë një fëmije në punë, janë pamja ekzakte e Shqipërisë prej disa dekadash:
Të fortit – përballë të dobëtve
Të veshurit me pushtet – përballë hallexhinjve
Shteti – përballë qytetarëve
Drejtësia – përballë atyre pa para
Dhuna – përballë edukatës…
Në çdo rast, për dekada me radhë kanë fituar të parët: ata që peshojnë një herë në njërën këmbë, pastaj në tjetrën; që fryhen, që hapen nëpër lagje, pallate, qytet, pastaj rrjete sociale, deri në emisione televizive. Ata që janë mbrojtur përherë nga shteti dhe nga shokët me pushtet. Ata që bëjnë gjithçka, sepse janë mësuar të paguajnë dhe të zgjidhin çdo gjë, dhe përherë gjendet dikush që i merr ato para.
Dhe jo, nuk është e neveritshme, e dhimbshme dhe frustruese ajo që pamë (shyqyr që ishin kamerat), por gjithçka që ndodhi më pas: mijëra njerëz që i gëzohen “hakmarrjes” nga pronari në mungesë të ligjeve, zbatimit të tyre, dëshirës për zbatimin, neglizhencës, apo çfarëdo tjetër.
Ndërhyrja e pavend e kryeministrit, sikur kërkonte të marrë “bekimet” e njerëzve, teksa në vend të bënte edhe ky “të fortin” që shkarkon e pushon njerëzit nga puna me fjalë goje, duhej të kërkojë llogari se si rekrutohen këta policë, si i marrin gradat, si ngrihen në përgjegjësi.
Ashtu siç është e turpshme që për një rast si ai i Vlorës, ta ekuilibrosh me rastin e Delvinës.
Nuk është punë rrugaçësh. Është punë sistemi. Sistemi i të fortit, ku më “trimat” janë ata me pushtet.
KOHA JONË SONDAZH

