Re të zeza mbi zgjedhjet lokale

Pak ditë më parë Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, një organizatë ombrellë e disa shoqatave që merren me monitorimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri, deklaronte me shqetësim se po kalon me shpejtësi koha për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale të verës së vitit të ardhshëm. Sipas KVV “Aktualisht, vetëm pak më shumë se 6 muaj nga Zgjedhjet Lokale të Qershorit 2015, kuadri ligjor është i paplotë dhe alarmues. Pavarësisht domosdoshmërisë së shprehur nga të gjithë aktorët për përmirësim të Kodit Zgjedhor dhe reflektim në të të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por edhe të ndryshimeve që i detyrohen ndryshimeve territorialo-administrative dhe decentralizimit, ende nuk ka asnjë hap institucional apo ligjor të ndërmarrë. Madje, edhe për vetë reformën e decentralizimit, pavarësisht prononcimeve publike të qeverisë[1], ende nuk ka asnjë hap ligjor apo institucional[2], megjithëse ligji parashikon ndarjen e gjithë vendit në 61 njësi të reja territoriale dhe funksionimin e tyre menjëherë pas zgjedhjeve të Qershorit 2015. Kanë ngelur vetëm 12 ditë në dispozicion të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe menjëherë më pas ligji zgjedhor parashikon nisjen e një sërë procesesh për përgatitjen e infrastrukturës parazgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve”.

Nga ky parashtrim kronologjik i problemit, kuptohet qartë se në ç’pikë të vdekur ka hyrë procesi i përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme administrative. Reforma administrative fshiu nga harta mbi 300 njësi vendore, për të kaluar nga 370 të tilla, në vetëm 61. E miratuar vetëm me votat e së majtës në Parlament, ajo ka qenë e mbështetur politikisht dhe financiarisht nga bashkësia ndërkombëtare, por të anatemuar qysh në krye të herës nga opozita. Kjo e fundit, nuk pranoi të ofrojë asnjë draft konkret pranë komisionit të posaçëm parlamentar në lidhje me reformën, duke u përpjekur që të dëmtojë procesin dhe të arrijë qëllimin e vetëm strategjik: atë të hyrjes në zgjedhjet e ardhshme lokale, me sistemin e vjetër të ndarjes territoriale.

Edhe pas miratimit të reformës, opozita nuk vonoi për ta ankimuar atë në Gjykatën Kushtetuese. Brenda një afati kohor të shkurtër, kjo gjykatë duhet të japë përgjigje për kushtetutshmërinë e këtij ligji, ndërkohë që pozita ka nisur të mendojë konkretisht për modifikimet që duhet t’i bëjë ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Fjalët që qarkullojnë këto ditë, flasin për një presion mjaft të lartë mbi anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin që reforma të rrëzohet me votën e tyre. Është një luftë e ftohtë, e cila po zhvillohet e ashpër pas kuintave dhe ku opozita duket se ka vendosur shpresa të mëdha. Çka tingëllon normale, nëse shihet përmbysja e madhe që do të sillte rrëzimi eventual i reformës në të gjithë kalendarin politik dhe elektoral të vitit 2015. Një sinjal i qartë u dha pak ditë më parë nga anëtari i Kushtetuese Vladimir Kristo, i cili deklaroi se bojkoti parlamentar i opozitës, ve në pikëpyetje ankimimet e saj. Çka pasqyron humorin e keq të Gjykatës Kushtetuese, ndaj valës së ankimimeve që opozita ka paraqitur në dyert e këtij institucioni, duke e vënë atë në një pozitë tejet të vështirë.

Opozita ka një synim të qartë, në lidhje me zgjedhjet administrative të vitit të ardhshëm. Ajo po kërkon me çdo kusht, përmes goditjes së procesit në disa hallka njëherësh, që të provokojë anulimin dhe pamundësimin e planeve të qeverisë, për të shkuar në votimet lokale të verës së ardhshme, me skemën e re të riorganizimit të qeverisjes vendore. Në një strategji të ndërtuar në disa rrafshe, PD është përkujdesur këto muaj, larg syve të mediave dhe vëmendjes së opinionit publik, që nga njëra anë të lobojë për rrëzimin tërësor të reformës territoriale nga ana e Gjykatës Kushtetuese, kurse nga ana tjetër, të shtyjë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që të pranojë nismën e autoriteteve vendore të PD, për mbajtjen e një numri të pakontrolluar referendumesh lokale në të gjithë Shqipërinë. Kjo do të prodhonte jo vetëm banalizimin e procesit, por bashkë me të, do të vinte në rrezik serioz zgjedhjet dhe sistemin e ri të organizimit të qeverisjes administrative. Në këtë mes, edhe kreu i shtetit duket se ka një rol jo të vogël potencial, për të luajtur. Në më pak se dhjetë ditë, Bujar Nishani do të duhet të shpallë datën e zgjedhjeve të reja administrative. Të cilat, në kushtet konkrete ku ndodhet procesi i kontestimit të tyre nga ana e opozitës, bëhen të vështira. Aq më tepër që vetë kreu i shtetit është shprehur negativisht për reformën administrative, në harmoni të plotë me linjën e opozitës së djathtë.

Ndërkaq, opozita po vazhdon të avancojë me disa pista njëherësh. Ajo ka reklamuar zhvillimin e referendumeve lokale në të gjithë Shqipërinë, me justifikimin se maxhoranca nuk e ka zhvilluar reformën administrative konform kërkesave të nenit 108 të Kushtetutës (pika 2), ku përcaktohet se kufinjtë e njësive admninistrative “nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”. Këtij pretendimi qeveria i përgjigjet duke u shprehur se para miratimit të ligjit, është ndërmarrë një proces i gjatë konsultimesh në të gjitha bashkitë e komunat kryesore të vendit.

Nisma për referendume e opozitës, ka marrë formë konkrete, kur mbi njëqind grupe nismëtare kanë paraqitur pranë KQZ kërkesën për t’u paisur me formularë, për organizimin e referendumeve në njësitë e tyre vendore. Kjo ka ndodhur megjithëse ka precedentë ku i njëjti institucion ka hedhur poshtë kërkesat për organizimin e referendumeve lokale. Një rast i tillë ka qenë ai i Vlorës, i vitit 2007, ku KQZ hodhi poshtë kërkesën e banorëve lokalë, për të organizuar referendum për ndërtimin e Petroliferës. KQZ ka afat deri në mars për vendimin ndaj referendumeve. Nëse ajo vendos të marrë në shqyrtim listat e firmëtarëve që do të paraqiten, duhet parë sesi do të zhvillohet konkretisht kjo procedurë dhe nëse do të përfundojë para kësaj date.

Duhet përmendur gjithashtu fakti tjetër jo pak i rëndësishëm. Ai i fragmentimit të pushtetit vendor sipas partive që përfaqësohen në territor. Kjo bën që, për shembull, në një ambient si ai i Tiranës, disa njësi vendore janë për referendumin, kurse të tjera nuk e aprovojnë atë. E gjitha kjo panoramë veçse shton pikëpyetjet dhe retë, në qiellin e zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. E kjo evokon edhe një herë zgjidhjet e “minutës së fundit”, në të cilat politika shqiptare ka qenë e specializuar, sa herë që i është dashur të hyjë në një proces elektoral.

Revista “Java”

SHKARKO APP