Reagime për sharjet tek emisioni i Blendi Fevziut

 

 

Sherri mes Preç Zogajt dhe Andrea Stefanit  tek emisioni i Blendi Fevziut ku degjenroi në supërfyerje dhe sharje ta padëgjuara ka sjellë plot reagime në publik. Në rrjetet sociale ka mbi 90 % e komenteve se ishte një e shëmtuar ajo çka panë e dëgjuan. Redaksia po sjelle shkrimet e Mero Bazes dhe Enkel Demit për këtë ngjarje.

 

Nga Mero Baze

Ka pasur një degradim ekstrem të debatit në emisionin e Blendi Fevziut, mes dy të ftuarëve të përhershëm, Andrea Stefani dhe Preç Zogaj. Nuk dua të ndalem në argumentet e përdorura për të fyer njëri­ tjetrin, por tek degradimi që ka pësuar debati publik në emisionin “Opinion”, për shkak të shterpësisë së temave dhe drejtuesit të emisionit tmerrësisht sipërfaqësor. Ajo që ndodhi mes të ftuarëve, që janë të dy miq të mi të vjetër, nuk është faji i tyre, por faji i atij që drejton emisionin. Tema e emisionit ishte diçka tjetër dhe jo diskutimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit, por duke qenë se i zoti emisionit, më së paku ka punë me temën që lajmëron, nxit të ftuarit e përhershëm, të përfshihen në debate jashtë teme, për të tërhequr audiencën që nuk vjen nga thellësia e fakteve, por nga degradimi i debatit. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Andrea Stefani dhe Preç Zogaj, janë dy personazhe të paguara nga emisioni “Opinion” për të qenë aty. D.m.th, në një farë mënyrë janë aktorët e Blendi Fevziut në emision, dhe jo persona që përfaqësojnë aty kauza publike. Janë të dy gazetarë, njëri ka shkëlqyer në gazetarinë ekonomike dhe tjetri, Preçi, ka shkëlqyer në publicistikën politike, por atje janë si aktorë. Dhe si të tillë, ata kanë dorëzuar fatin e tyre dhe personalitetin e tyre, në mëshirën e aftësisë që ka drejtuesi i emisionit për të kuptuar temën që diskuton. Degradimi i djeshëm i debatit tek fyerjet ndaj njëri­ tjetrit, tek shpërthimi i Stefanit duke i thënë Zogajt “spiun” dhe tek kërcënimi i Zogajt për t’ia ngulur vendimin e Gjykatës me gozhdë në ballë, ishte i dhimbshëm, jo për çfarë ata thoshin jashtë kontrollit, por për qetësinë me të cilën i sodiste drejtuesi i emisionit.

Të lejosh dy aktorë të emisionit tënd të përditshëm të degjenerojnë në fyerje dhe sulme të tilla ndaj njëri­ tjetrit, dhe të nesërmen t’i ulësh përsëri sikur nuk ka ndodhur gjë, është një fyerje dyfish për opinionin publik, dhe një ngulitje e kulturës së talljes me publikun që ekziston në Shqipëri, si në politikë, ashtu dhe në debatin publik.

Konkretisht askush aty nuk tha ndonjë gjë që nuk e dinte njeri. I pari njeri që ka denoncuar Preç Zogajn që ka pas një bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, ka qenë Preç Zogaj në vitin 1992. Dhe për ironi të fatit, është i pari dhe i fundit shqiptar, nga rreth 300 mijë të tillë, që e ka pranuar me kurajo këtë gjë, dhe është ballafaquar pastaj në gjykatat shqiptare, që kjo gjë të mos pengojë karrierën e tij politike. Andrea Stefani, po ashtu është një publicist partizan, që nuk ka arsye ta sulmosh për shkak të pozicionit të tij pro qeverisë, por për shkak të argumentave që mund të kesh kundër ti. Zogaj thjesht e tepëroi duke e paragjykuar apriori si pa personalitet, për shkak të pozicionit të tij. Mos ndërhryja e drejtuesit të emisionit dhe lejimi i dialogut degradues mes tyre, pa kurrfarë vlerë, është një kulturë e re e rrezikshme në debatet publike, për të fituar shikueshmëri me çdo çmim në mungesë të një debati serioz dhe me vlerë për qytetarët shqiptarë.

Por, për t’u kthyer dhe një herë tek ajo çfarë përçon në publik një degardim shterues i një debati në këtë formë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos kthehemi në një lloj viagre për impotencën e drejtuesve të tillë televiziv, që në pamundësi për të bërë një debat të thellë për një temë, ndërsejnë aktorët e paguar kundër njëri­ tjetrit me ligësi dhe pastaj kur mbaron debati, askush nuk mban mend përse ishte tema, por si fyen aktorët njëri­ tjetrin. Përleshja mes Stefanit dhe Zogajt ishte e tepërt, fyese, dhe e pamerituar për asnjërin prej tyre. Ata u bënë viktima të pafuqisë së një

gazetari impotent për të bërë punën e tij dhe për ta mbajtur debatin tke tema për të cilën e ka nisur. Ndërkohë që të dy aktorët e tij përlesheshin, ai shikonte kopsat e këmishës dhe orën e shtrenjtë, se si i dukeshin në kamera. Problemi është se të hënën, të dy aktorët do të jenë sërisht në studi, për të folur ndoshta për ndonjë temë rozë, dhe shqiptarët që i shikojnë, do të thonë të dëshpëruar se “kjo qenka lojë” dhe nuk duhet marrë seriozisht. Në fakt seriozisht nuk duhet marrë emsioni dhe ai që e drejton, pasi ata po përhapin si standart publik, faktin që nuk ka rëndësi çfarë thua në studio, rëndësi ka të ketë një sherr.

Ky është një mesazh pervers, që zhvlerëson fjalën dhe debatin publik, dhe rrit mercenarizimin dhe aktrimin në emisione. Pas asaj që ka ndodhur, së paku ata të dy, nuk duhet të shfaqen sërish bashkë duke e quajtur punë të zakonshme fyerjen publike. Nëse shfaqen, pastaj nuk është vetëm problem i Fevziut, por dhe i tyre.

 

Nga Enkel Demi

Preç Zogaj e kërcënon Andrea Stefanin se ka një vendim gjykate që do ia ngulë me gozhdë në lule të ballit. Më parë Andrea i ka thënë shkrimtarit se është spiun i Sigurimit. Kjo skenë e dhunshme, që të shtie krupën, zhvillohet në emisionin e Blendi Fevziut, le të themi piazza më e rëndësishme e debatit politik në Shqipëri. Ky është emisioni që gëzon popullaritetin më të madh, i cili në shifra përkthehet në audiencë.

Gazetari që drejton bisedën është gati i pafuqishëm për ta ndalur histerinë që i ka përfshirë  mysafirët e tij.Ka çaste tek bëhet lutës që ata mos ta marrin personale,por tashmë zgjidhja e vetme e konfliktit është marria e grushtave. Kjo për fat nuk ndodh, dhe biseda tërhiqet tek çështja e CEZ­it. Emisioni ia del dhe shkon deri në fund. Qëllimi i programit është skandali i CEZ­it, por të nesërmen mbahet mend vetëm kërleshja e të ftuarve dhe ajo gozhda në ballë, e cila shoqërohej me refrenin “maskara”. Në fakt, duhej të flisnim për punën e CEZ­it, por këtë e harroi tollovia e studios, e cila në talk show­un shqiptar është kthyer qëllim në vetvete. Madje, edhe kur intervistat janë sy më sy, gazetari kërcen si i pickuar prej mizës së kalit dhe ndërpret, bën oponencën, ka nevojë ta thotë ashiqare që po bën kundërshtinë, nuk e lë bashkëbiseduesin ta çojë në mbarim fjalinë, dhe në fund del një bisedë tip alfabeti mors, pikë, vizë, pikë. Në televizor, kudo ku ka biseda në grup, sheh njerëz që përpiqen t’u dalë e tyrja jo vetëm në politikë, por edhe tek temat e modës, sportit, kuzhinës, shijuesve të verës, kronikës rozë. Gjithandej ka bujtës që grinden, që janë harbutë, me gozhdë e dëshmi me vete. Për vite të tëra më qëllon të shoh Vespën në RAI 1. Besoj se formati i tij është tëpkë si i Blendit. Të dy moderatorët e mirënjohur ngjajnë shumë në mënyrën si drejtojnë, në thellësinë e taruar të trajtimit të temës, madje edhe në mënyrën si përpiqen të bëjnë P.R.­në e librave të tyre. Por, mysafirët e Vespës janë më të duruar, dëgjojnë shoqishoqin; janë të ashpër shumë shpesh, ama nuk bien a çohen nga kolltuku që të marrin fjalën.

Rrallë, shumë rrallë, ndodh që të ketë prishje të një rregulli të artë të komunikimit: “në fillim dëgjoj, pastaj flas”. Nëse kjo ndodh, mikpritësi ndërhyn, tërheq vëmendjen, e pse jo, përcjell reklamat derisa të qetohen gjakrat. Kjo, sepse duhet patur një fije respekt për atë anonimin që të sheh. Kam frikë se çka po them tingëllon skolastike, sepse, në fakt, e tillë është. Debatet televizive të një peshe të lartë, si ato të Fevziut, ndërtohen në bazë të këtij rregulli, dhe jo të ligjit të xhunglës, ngase i zoti i shtëpisë, moderator, ndërton një bisedë për një qëllim më të lartë se sherri, i cili herën e fundit ishte CEZ­i. Në këtë këndvështrim, emisioni dështon, ndërsa në pikëpamjen e audiencës fiton, sepse kur kërcet karrigia kokës ka përherë shikueshmëri. Jerry Springer e bënte një talk show të tillë në SHBA, por nuk besoj se gëzonte respektin popullor, kurse shikueshmërinë, pa dyshim. Në fund mysafirët zgjidhen. Për një fjali tek një libër i Ismail Kadaresë, Mitrush Kutelin po dëshirojmë ta vëmë në diskutim, ta fshijmë nga historia e letërsisë shqipe, se ndoshta ka qenë i mobilizuar në ushtrinë naziste. Po ky tjetri, me këtë vendimin e gjykatës, pse paska gozhdë që ta ngul në lule të ballit? Dhe të mendosh se është i njëjti që do emisione të mëparshme nuk kishte besim tek gjykatat dhe drejtësia shqiptare!

Në këtë rast ka gjasa të shkojë një shprehje e psikologut amerikan, Abraham Maslow­it, të cilën e gjeta në faqen Gegnishtja: “Kur në dorë të ka ngelë vetëm çekiçi, atëherë çdo gjâ që sheh të duket si gozhdë.

SHKARKO APP