Rebelët serbë të artit dhe droni i shqiptarëve e kanë ftohur Beogradin

E nisën si aventurë të thjeshtë, por tashmë Lëvizja e tyre për pushtimin e kinemave po kthehet në një trend në Beograd. Qëllimi i të rinjve është t’u mësojë politikanëve serbë se kanë bërë privatizime të gabuara dhe se e katandisën artin serb në hiç. Ndaj, ata ia mësynë “Zvezda”-ës në njërën nga rrugët kryesore të Beogradit, si shembullin më të mirë, sesi të rinjtë mund të bëjnë akte për të sensibilizuar. Ndërkohë që të gjithë nuk e përtypin dot dronin e shqiptarëve: Na e bëtë me të pabesë, thonë rëndom…

Nga Ben Andoni, JAVA

Besa është një fjalë që shumë nga serbët, të cilët kanë njohuri për Shqipërinë, e dinë mirë. Dhe, e vlerësojnë. Syresh, të ardhur nga Kosova, e mbajnë si asetin më me vlerë të shqiptarëve. Vetëm se pas asaj që ndodhi në Tetor, në ndeshjen e futbollit mes përfaqësueseve të dy vendeve tona, të gjithë e kanë të qartë: Serbët e kanë të vështirë të jetojnë me shqiptarët dhe anasjelltas. “Na e bëtë me të pabesë”, më thotë në fund një bullafiq, gati 1.90 cm, kur e pyes për një pult televizori. Pasi më ka pyetur për origjinën dhe duke hamendësuar të gjithë federatën, habitet që përballë ka një shqiptar. “Ke apo s’ke pult Samsung?”- e pyes disa herë i lodhur. “Edhe sikur të kisha, nuk do të ta jepja”. Është i ri dhe ia kuptoj budallallëkun. Iki i qetë, por një ngatërresë më ka ndodhur pak orë më parë në një klub alla-Tito, me një patriot të ri. Kam ngatërruar paratë dhe kam nxjerrë dhe një 200 Lek. “Çfarë paraje është”, më pyet kurioz kamerieri. “Shqiptare”. Ia zgjas dhe ai e merr kurioz. Ia fal. Pronari i vet, 20 minuta më vonë teksa iki me një mikun tim, më thërret nëpër natë. “Të lutem, nuk je më i mirëpritur në lokalin tim. Nuk i duam paratë tuaja”. Në fakt, s’do ishte keq të më kthente edhe paratë e veta. E marr monedhën me Naimin, që ndjek i habitur diskursin në serbisht me burrin e ri. Sherri sërish afër. Shmangemi të dy. “Droni ka bërë atë që s’e bëjnë dot ushtritë, më pëshpërit miku im. A mund të largohemi? Janë çmendur të gjithë”. Jemi vetëm nëpër natë dhe i drejtohemi “Bristolit”. Hoteli, që mbajti Zogun në vitet ’20, hesht dhe po degradon nga dita në ditë, por nga jashtë mbetet impozant, me një stil ku përzihet baroku i vonët vendas dhe novacionet e kohëve të shkuara. “Nuk janë këta Beogradi, më thotë shoku im, nesër do shkojmë të takojmë dy aktivistë të rinj, që po bëjnë një lloj lëvizjeje të habitshme”. E quaj si një lloj Mea Culpa të tij për incidentin, por s’i them dot që jam kënaqur në klub. Kam pirë raki dhe kam vëzhguar imazhet e vjetra të Titos, që më rrethonin dhe më sillnin në mendje një copë historie tonën, të përzier pas sikleteve të kanoçeve të famshme.

 

Kinema Zvezda

“Pau”. Zhurma e kanoçes që përcjell goditjen e shkelmit së një pijaniku të zbehtë, veshur si repist zhuls, e çan në mes mbrëmjen e athët.  “Nuk është larg dhe do shikoni se ku kemi arritur”. Një aktivist i ri i kulturës serbe më ka fryrë kokën gjithë rrugën për të më bindur sesa të angazhuar janë. Në fakt, vërtetë nuk jemi larg, por as afër, që do të thotë se na duhet të ecim pak me këmbë pas Trg “Nikola Pashiç” nën një shi të shtruar sllav me një erë bezdisëse e nuk të lë rehat të flasësh. Kur pas pak minutash gjendemi aty, hyrja e kinema Zvezdës, njërës prej kinemave më të njohura të Beogradit, nuk më thotë asgjë. Ah, përveçse e kam parë në një film. Kam kaluar shumë herë, por habitshmërisht, nuk më ka bërë kurrë përshtypje. Në korridorin e errët që pason hyrjen e ndërtesës, rri e vendosur një kuti për kontribute bamirëse. Më tutje, një grup të rinjsh, rrinë pa folur sikur të jenë të rregulluar paq. Një vajzë shfaqet sakaq dhe e ka marrë njoftimin, që do vijnë ca gazetarë. E reja, e veshur jo mirë dhe tejet e sigurt, na këqyr indiferente. S’e shohim fare. “Çfarë do t’i flas”, i thotë mikut tim. “Çfarë të duash”, ia pret ai. Pak më tej, një nga organizatorët po i shpjegon një grupi miks racash, gjatësish dhe kureshtjesh, lëvizjen e tyre të angazhimit qytetar për të pushtuar kinematë. Bëhen dy pas pak dhe na ftojnë të dëgjojmë. Duhet që të gjithë beogradasit të nënshkruajnë dhe të na ndihmojnë me ç’të munden, pasi këto janë të nevojshme për aktivistët, dëgjohet zëri që i flet turmës. E ndërtuar në vitin 1960, Bioskop Zvezda, të sjell sak atë imazhin e kinemave të vjetra të socializmit. Por, të mos harrojmë në këto karrige, që bashkërisht bëjnë kapacitetin prej dz mijë njerëzish, janë projektuar filma, shfaqje dhe jo pak koncerte të njohura. Zyrtarisht është ende “Qendra për kulturë e Borit”.

 

Iniciativa

Ndërsa ne dëgjojmë, katër metra më tutje, grupi i aktivistëve rri në qejf të vet. Një 40 vjeçar dhe një vajzë e re me një palë geta të grisura, poshtë pantallonave të shkurtra, e që prek vazhdimisht këpucët e larta mashkullore, këqyrin njëri-tjetrin pa folur. Një rom përballë, që mban një jelek stjuarti sipër një xhupi, menaxhon situatën, kurse grupi i seminaristëve, që ia kanë behur pas nesh, janë ngulur te organizatorët. Vajza fare e re, veshur si konsomolase, drejton gjithçka. Kinemaja “Zvezda”, prej pak javësh, është bërë epiqendra e kulturës rinore serbe. Ose si thonë qytetarët: nuk kishim fare kinema, po tani kemi një më shumë. Te legjenda ”Zvezda”, grupi i përkrahësve të rinj të Lëvizjes e ka pushtuar kinemanë dhe tashmë transmetojnë filma, në një përpjekje alla-serbi për të shpëtuar filmin, që pas privatizimit ishte futur në një kolaps të plotë. “Nuk jemi vetëm, pasi Aksioni ynë mbështetet prej artistëve, deputetëve dhe zyrtarëve të qytetit”, u thotë djali që i duket vetja si Çe-ja, e i mban sytë ngulur në korridorin e gjatë dhe u flet i përhumbur seminaristëve, që e fotografojnë nga të gjitha anët. Kinemaja e ndërtuar herët, në një datë tjetër  jepet si e themeluar në vitin 1960. U la të kalbet, edhe pse ishte një objekt që vëzhgohej prej Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës. Dhe, tashmë kullon nga të gjitha anët, era e mykut të çan hundët, kurse një shkatërrim i paparë të ndjek kudo. Një kompleks i tërë masiv me dy salla gjigande dhe me një kinema verore, ndoshta më të madhen në Serbi, është fiks për të treguar historinë serbe. E gjej veten te një raft që e kontrolloj imtësisht. “E ke kot, e kanë parë të tjerë para teje”, më thotë miku im Nemanja nga pas.

 

Kinemaja

Pohoj dhe nxjerr një program të 2007-ës. “Kot”, – më thotë Nemanja. Pohoj sërish. Historia e kinemasë “Zvezda” i ngjan si dy pika uji privatizimeve, që janë bërë vitet e fundit në Serbi. I kanë marrë ata që kanë pasur lidhje me politikanët, pasi objektet janë lënë të bjerren. Çatitë që rrjedhin nga kudo, shkatërrime, instalimet në shumë vende të djegur, objektet që duhet të pastrohen nga pluhur kilometrik, karrige të prishura, një shkatërrim, si pas një lufte, kanë qenë aty. Megjithatë një sallë, ajo kryesorja është bërë gati. Bisedoj me një djalë, që po përgatit projektimin e filmit t’vet. “Projektoj filma këtu. Nuk ka punë dhe jeta është e vështirë. Për fat kemi këtë mundësi, që po na merr pak kohë dhe na kënaq”. Po e projekton dot me këtë, i them nga ajo që ai shpërndan me laptopin e vet. “Do kemi një film pas pak dhe do e shikosh që do ia dal” më thotë. Zvezda u rigjallërua më 21 nëntor, kur rreth 200 persona, kryesisht artistë, kineastë të rinj dhe autorë, hynë me forcë në kinema në orët e mbrëmjes dhe improvizuan shfaqjen e filmit “Neposlušni”. Për t’i përkrahur artistët e rinj erdhën njerëzit e filmit dhe shumë qytetarë.  Që atëherë, grupi ka pasur vazhdimisht klientë në kinema. Shfaqjet mbahen në pasdite dhe në mbrëmje. Tani ajo shërben dhe si hostel, por mos harroni se nuk ka vend ku të laheni apo banjë mirëfilli, këtë më thotë konsomolosja.

 

Retrospektivë

Pak vite më parë, më 2007 kinemaja iu shit biznesmenit të njohur Gjivanoviç që bleu bashkë me të edhe plot 13 salla të filmit në Beograd. Pas blerjes, ai shiti fillimisht pajisjet dhe dyert e kinemave të mëdha mbetën të mbyllura ose u përshtatën për qëllime të tjera. Anipse historia ka edhe një faqe tjetër. Nikolla Gjivanoviç u arrestua në 2011 për mashtrim dhe u dënua më pas me tre vjet burg dhe një gjobë të majme, pasi u gjend fajtor se kish shitur direkt pesë kinema dhe i dëmtoi të gjithë aksionerët. Vetëm këto ditë, në mos gaboj, Komisioni Parlamentar për Kulturë njofton se do të dërgojë një letër për autoritetet kombëtare me kërkesën për ta rishikuar privatizimin e kinemasë së Beogradit. Kjo ishte fitorja e parë e Lëvizjes për pushtimin e kinemasë, përkrahësit e të cilit frymëzuam një jetë të re të kinemasë së vjetër. Po ç’bëni pastaj? -i them pas një bisedë të shkurtër një biondeje, që më ndjek me foto. Konsomolosja, që çuditet kur më sheh se dal nga një vend, ku pak më parë u fut edhe biondja që fotografon pandalur, mundohet të më hetojë. “ Gjatë ditës organizohemi. Pastrojmë çatinë dhe ujin, kurse pasdite emëtojmë filmat klasikë dhe artistët e rinj”. E lë me seminaristët dhe i kërkoj mikut të ikim. Por ai më çon vëmendjen në një fletë-slogan: “Kështu e duam Serbinë. Ne jemi këtu, dhe kjo është kinema jonë… Ne kemi marrë vetëm hapin e parë. Serbia, pa kulturë…”. A ikim?

 

Serbia sot, shqiptarët

“E di që brezi im, shumë nga gjërat e artit modern dhe klasik, i ka parë falë televizionit tuaj”, i them rrugës. Jo, ma pret tjetri. Ndahemi diku afër Ambasadës Çeke, një godinë e mrekullueshme, ndoshta mbetur që në kohën e ish republikës me dy shtete. Iki i vetëm nëpër mbrëmje, t’i shmangem shiut.

Beogradi i sotëm është bjerrur nga disa anë por më shumë tepër ndjen peshën e krizës, që ia ka lënë thellë vragat. Në të njëjtën ditë, presidenti Nikoliç thotë i pezmatuar: Të futemi në Evropë duhet të njohim Kosovën! Serbët e politikës duken të dorëzuar. Nuk mund të jetojnë pa Evropën, por nuk jetojnë dot dhe pa krenarinë e tyre, që shpesh ka mbetur në flamujt e shkuar. Për ata që ushqejnë nostalgjitë e dikurshme, Beogradi i sotëm po humbet vazhdimisht terren falë problemeve të panumërta ekonomike, por edhe në varfërinë kulturore. Kinema të tëra në shitje, muzeume të kalbur, biblioteka të prishura dhe prona kulturore e shnëdrruar e tëra në duar private. Dhe, zhgënjimi nga diaspora e tyre. Një nga këta ishte ky Gjivanoviqi i famshëm, që erdhi nga Londra dhe falë lidhjeve politike bëri atë që bëri, duke rrënuar të gjithë sistemin e kinemave në Beograd.

 

Beogradi

Por, jeta s’është vetëm film. Serbia ka bërë një hap të vogël për investime, ku përfshihet FIAT, industria e metalit (US Steel), materialet e ndërtimit (Lafarge), ushqimet dhe birra (Carlsberg, Coca Cola dhe Nestle), tekstilet (Golden Lady, Pompea), lëkura (Progetti Company, Falc East), dhe ICT (Microsoft dhe Siemens). Paratë më të mëdha në këtë vend janë të investuara nga Italia, Austria dhe Norvegjia, kurse në rritje janë dhe amerikanët me izraaelitët por që nuk llogariten pasi ata investojnë nga filialet e tyre evropiane. E megjithatë, ka papunësi të madhe dhe të rinj të zhgënjyer që duan të ikin. Jo më kot, lëvizjet e shumta rinore, janë thjesht shfaqje e këtij zhgënjimi, që nuk e prishin bukurinë e qytetit me arkitekturën fine. Me njerëzit, që sërish shëtitin në “Knjez Mihailovo” deri te kështjella më Kalemegdan. E shqiptarët? Ka fare pak. Mbeten rreth 1.500 dhe shumë më pak nga ata kanë ardhur prej Shqipërisë. Janë pothuaj të padukshëm në Serbi përveç atyre të Vojvodinës, ku kanë marrë dyqane kudo dhe punojnë në hallin e tyre. Shumë vite të shkuara, në kohën e Titos bënin punët e rëndomta, kurse më vonë erdhi brezi i atyre që do bënin histori. Ndër ta ishte Bekim Fehmiu, Sinan Hasani, Zana Nimani, Petrit Imami etj.

Nuk kaloj më afër pronarit, me të cilin kemi shkëmbyer fjalë, por kur e përshkoj për çdo mëngjes Zagrebaçkën, ai gjithmonë bën sikur pastron. Më ndjek me inat, por s’ia var. Nuk e di do muhabet, apo çfarë! Shikohemi pastaj nga larg kur kthehem dhe sërish nuk flasim, por as e duam njëri-tjetrin afër. “Droni ka shkatërruar gjithçka mes nesh, më thotë miku im serb. Po këta djemtë e filmit kanë ndryshuar shumë. Erë tjetër është në Beograd”. Nuk i besoj. Ndryshimi fillon kur ka mirëqenie dhe Ballkani duket se i ka larg dhe të darovitura retë e zeza. Si ta përkthej Besa, i them. A mund t’i them Poverenja? “S’është tamam besa”. Ke të drejtë: Besa është besë, i them mikut serb. “Si droni”, më thotë duke qeshur. “Jo tamam”, ia pres. Dimër 2014.

SHKARKO APP