Redi Muçi: Qeveria teknike është bashkëqeverisja e rendit të vjetër
Nga Redi Muçi, deputet i Lëvizja Bashkë
“Bota e vjetër po vdes dhe një botë e re përpiqet të lindë: e tashmja është koha e përbindshave.”
Shprehja e mendimtarit të së majtës italiane, Antonio Gramsci-t, nga burgu ku e kishte mbyllur regjimi fashist i Musolinit, kapte thelbin e ngjarjeve tragjike të fillimishekullit të shkuar. Momentin kur legjitimiteti i rendit të vjetër zhbëhet, por inercia e pushtetit të kalbur e shtyn atë përpara në mënyrë disfunksionale. Lëvizjet dhe idetë e reja artikulojnë alternativën, por u mungon strukturimi kapilar në shoqëri për të zëvendësuar sistemin e vjetër. Pikërisht kjo është koha e përbindshave – e liderëve autoritarë e populistë që përfitojnë nga çekuilibrimi i pushtetit.
Një panoramë e tillë duket se po shpërfaqet aktualisht në mbarë Evropën. Sidoqoftë, në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Shqipëri vlen të dallojmë “të vjetrën” nga “e reja”, qartazi jo në termat e moshës biologjike e as të jetëgjatësisë në politikë, por përmes analizës së interesave që përfaqësojnë partitë politike në vend dhe pse Lëvizja BASHKË është i vetmi subjekt që qëndron në anën e kundërt të këtyre interesave.
Së pari, duhet të kujtojmë se korriku i vitit 2026 do të shenjojë 10 vite që nga votimi në kuvend i reformës në drejtësi, një reformë e cila, me gjithë mangësitë, është faktori kryesor që e ka delegjitimuar totalisht qeverinë e Edi Ramës duke nxjerrë në pah korrupsionin endemik që e karakterizon pushtetin që drejtohet prej tij. Por cili është interesi i Berishës në raport me drejtësinë? Po aq i kompromentuar sa edhe vetë Rama. Përtej deklaratave në dukje të kundërta (Berisha se do ta shkrijë SKAP-in dhe Rama si flamurtari i drejtësisë së re) interesi thellësisht i përbashkët i dyshes Rama-Berisha është paprekshmëria e tyre, por interesi i popullit shqiptar dhe i Lëvizjes BASHKË është një drejtësi e pavarur nga pushteti politik që i shkon deri në fund hetimeve të politikanëve të korruptuar dhe të oligarkëve korruptues, konfiskimit të pasurive të tyre dhe rikthimit te populli.
Së dyti, meqenëse flasim për sistemin, interesi i të gjithë pushtetarëve në 35 vjet ka qenë ngritja e mekanizmit të oligarkisë ekonomike dhe mediatike në vend të demokracisë. Karrigia e pushtetit ka shërbyer si mënyra për të ushqyer oligarkinë, në dëm të popullit dhe të sipërmarrësve që konkurrojnë ndershëm në treg, që më pas oligarkia të rikthente borxhin duke aktivizuar pushtetin mediatik dhe atë të parasë për ta ruajtur karrigen e pushtetarit. Qartazi, Edi Rama e ka perfeksionuar këtë mekanizëm, por nuk e ka shpikur ai. E ka gjetur këtu, mes Berishës e Nanos, për ta çuar një hap para. Nëse ka një subjekt politik që e ka demaskuar vazhdimisht sistemin e ngritur, ai subjekt ka qenë Lëvizja BASHKË.
Delegjitimi i PS i intereson PD sa për të kërcyer në pushtet, por ato të dyja përfaqësojnë thelbësisht të njëjtin rend të vjetër të cilit po i vjen fundi.
Çdo parti tjetër opozitare në botë që do ndodhej përballë një qeverie kaq të korruptuar dhe kaq të diskredituar, do të kërkonte menjëherë zgjedhje të parakohshme. Pse PD dhe karvani që e ndjek pas kërkojnë qeveri teknike dhe çfarë nënkupton qeveria teknike:
1. Qeveria teknike nënkupton se populli shqiptar është impotent, është i tredhur politikisht dhe s’mund ta rrezojë dot kurrë Ramën nga qeveria përmes vullnetit të votës. Narrativa disfatiste e rregjimit të Edi Ramës që nuk përmbyset me votë i intereson PD dhe Sali Berishës, sepse fsheh faktin se impotentë politikë janë vetë PD dhe Sali Berisha; fsheh faktin që një pjesë e madhe e elektoratit mbyll hundën dhe voton Edi Ramën sepse nuk do të shohë kurrë Sali Berishën kryeministër; fsheh faktin se Sali Berisha është paterica kryesore e Edi Ramës, dhe këtë e di Saliu po aq sa edhe Edi.
2. Përderisa nuk ka zgjedhje me Ramën, qeveria teknike supozohet se do sigurojë “zgjedhje të lira e të ndershme”. Empirikisht kjo ka rezultuar e pavërtetë, e dëshmuar me qeverinë teknike të Lulzim Bashës të vitit 2017. Nëse shtrojmë pyetjen se si Edi Rama e manipulon vullnetin e votuesve (pra përtej atyre që e votojnë nga antipatia për Berishën) atëherë do të listonim: a) përmes oligarkisë ekonomike (dhe këtu lidhjet i ka më të forta Edi Rama për shkak të kohës së gjatë në pushtet), b) përmes punësimeve në administratë (a pritet të shkarkojë gjysmën e administratës qeveria teknike, e nëse po, mbi cilin kriter do diferencojë mes “patronazhistëve” dhe profesionistëve që bëjnë punën?!), c) përmes lidhjeve me botën e krimit (a do luftojë krimin e organizuar me Delta Force ministri i brendshem i Sali Berishes?!), ç) përmes presioneve të institucioneve shtetërore, pra lejeve, hipotekave, gjobave, taksave, këtij shkopi që kushdo nga partitë e vjetra ta ketë në dorë do ta përdorë për interesin e vet, siç kanë bërë gjithmonë.
3. “Teknicienët” që do të marrin postet ministrore nuk do kontrollohen nga Rama dhe Berisha… Pra do zbresin nga Marsi dhe do bëjnë detyrën teknike, njësoj si këta “kandidatët e pavarur” në zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën në nëntor. Meqenëse kjo është një barcaletë jo fort e këndshme dhe se, qartazi, ministrat do jenë të Ramës, të Berishes, e të ndonjë bishti, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me qeveri teknike, por me bashkëqeverisje.
Cilat janë rreziqet nga kjo bashkëqeverisje:
a. Që Edi Rama ‘de facto’ e shtyn kohën e vet në pushtet me 1 vit, rehabilitohet prapë si figurë politike dhe i rifiton zgjedhjet si në vitin 2017, e bashkë me to edhe legjitimitetin që nuk e gëzon sot.
b. Që bashkëqeverisja e interesave të përbashkët PS-PD të ndryshojë kushtetutën duke sjellë kufizimin e kompetencave të sistemit të drejtësisë në raport me politikanët.
c. Që bashkëqeverisja e interesave të përbashkët PS-PD të ndryshojë kushtetutën për të ndryshuar reformën zgjedhore drejt një modeli mazhoritar që i nxjerr jashtë partitë e vogla, ose proporcional por me prag të lartë, ose ndonjë sajesë tjetër që ul numrin e deputetëve duke e vështirësuar përfaqësimin.
Cila është rruga që duhet ndjekur:
a. Zgjedhje të parakohshme! Kriza e legjitimitetit PS-PD do të manifestohet pashmangshmërisht edhe në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme, duke e pamundësuar qeverisjen e një prej partive të vjetra me 71 mandate parlamentare.
b. Shtysa për të mbijetuar në pushtet do t’i shtyjë partitë e vjetra drejt bashkëqeverisjes, kësaj here më pak të lavdishme sesa me “qeveri teknike”.
c. Duke pasur përballë një opozitë të ndershme dhe të papërlyer, bashkëqeverisja e sistemit të vjetër do të ndajë njëherë e mirë shapin nga sheqeri në sytë e popullit dhe do të hapë horizontin e drejtimit të ri për vendin tonë.
#BASHKË jemi në rrugën e duhur!
KOHA JONË SONDAZH

