Referendum për Sistemin Zgjedhor….?!

Nga Kastriot Islami –

Ka në këto momente një debat, me shumë të drejtë mund të thuhet edhe deri të nxehtë, për sistemin zgjedhor. Produkti i tij, si në rastin e cilësisë së deputetëve ashtu edhe të kryetarëve të bashkive, me të drejtë apo pa të drejtë, perceptohet ilegjitim…

Janë bërë shumë propozime për ndryshimin e tij, nga aktorë politikë dhe ‘spektatorë’ të të gjithë llojeve , por duket se asgjë s’po lëviz. Politika mesa duket s’ka mundur ende të gjejë forcat apo mirëkuptimin për të dhënë një përgjigje të argumentuar e shteruese për këtë çështje sa delikate aq edhe të rëndësishme për të tashmen e mbi të gjitha për të ardhmen e zhvillimeve demokratike. Të kritikosh apo vetëm të lëshosh sharje mesa duket s’mjafton për të ndryshuar gjendjen, e cila po degradon me shpejtësi kohët e fundit.

A mund të ndryshojë sistemi zgjedhor me firmat e 50 mijë qytetarëve?

Pasi është depozituar një kërkesë me 50 mijë firma për ndryshimin e sistemit zgjedhor ekzistojnë dy mundësi; ose të miratohet nga 2/3 e kuvendit ky propozim, duke e zgjidhur kështu këtë shqetësim. Ose te refuzohet?! Në këtë rast mbetet të elaborohet nëse mund të shpreheshin qytetarët përmes një ‘referendumi’!?

Por meqenëse sistemi zgjedhor është i ‘fiksuar’ në Kushtetutë, atëherë sipas neneve të saj, çdo ndryshim i saj do të duhet të kalonte përmes një ndryshimi kushtetues. Por nëse s’mund të arrihet një shumicë kushtetuese prej 2/3 të kuvendit për ndryshimin e sistemit zgjedhor në Kushtetutë (gjë që mbetet për tu testuar) atëherë shtrohet pyetja nëse kjo nismë e refuzuar nga Kuvendi (pra e pa miratuar nga 2/3 e anëtarëve të tij) mund të kalonte përmes një referendum?

Mesa kuptohet nga analiza e bazës kushtetuese-ligjore duhet që ky lloj referendumi të jetë detyrimisht ‘referendum kushtetues’. Po a mund të kryhet një referendum kushtetues bazuar vetëm në kërkesën e 50 mijë firmëtarëve dhe si mund të arrihej në këtë rast qëllimi i miratimit të propozimit të këtyre 50 mijë firmëtarëve vetëm përmes referendumit kushtetues, pra në kushtet kur kuvendi s’e miraton atë me 2/3 e votave? Mbetet të elaborohet kjo mundësi..!

Ç’duhet bërë me sistemin zgjedhor?

Përshtypja publike e politike është se sistemet zgjedhorë kanë humbur përgjithësisht legjitimitetin, qoftë ai për zgjedhjet e parlamentit, proporcional rajonal me ‘lista të mbyllura’, qoftë ai për zgjedhjet e kryetarëve të bashkive, mazhoritar me një raund. Prandaj mesa duket ka ardhur koha që të dy sistemet zgjedhore të merren në shqyrtim (shënim: insistoj, duhen marrë në ‘shqyrtim’ ndërkohë që vendimi nëse duhen ndryshuar apo jo, mbetet për tu marrë pas shqyrtimit) dhe për këtë çështje do të duhet të bëhet një diskutim i hapur, politik, publik e mediatik.

Gjatë këtyre diskutimeve duhet ti jepen përgjigje të gjitha çështjeve që mendohet se kanë prekur rëndë legjitimitetin e tyre, sidomos ato çështje për të cilat publiku kërkon një përgjigje shteruese dhe më konkretisht çështjes së ‘listave të mbyllura’, e arsyeve të tjera që kanë ndikuar eventualisht në cilësinë e deputetëve apo të kryetarëve të bashkive.

Përse duhet shqyrtuar sistemi zgjedhor?

Sistemi zgjedhor për kuvendin, pasi është aplikuar në 3 zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të vitit 2009, 2013 e 2017, është bërë shumë vulnerabël dhe i vështirë për të qëndruar në këmbë. Si argument kryesor përdoret fakti që cilësia e parlamentit ka pësuar regres me kalimin e viteve, ‘është mbushur me kriminelë dhe injorantë’ dhe se ‘kryetarët e partive nuk i japin mundësi votuesve të zgjedhin deputetët sepse listat janë të mbyllura’. Ndërkohë që edhe në zgjedhjet vendore me sistemin mazhoritar, cilësia e kryetarëve të bashkive është përkeqësuar dhe s’ndryshon nga ajo e deputetëve të kuvendit që zgjidhen me sistem proporcional më lista të mbyllura.

Madje, duke patur parasysh se në të dy rastet, janë po të njëjtët kryetarë të partive që përcaktojnë si ‘listat e mbyllura’ po ashtu edhe ‘kandidatët për kryetarët e bashkive’, duket sikur sistemi zgjedhor s’ka fare ndikim në vendimmarrjet/përzgjedhjet që bëjnë kryetarët e partive pa pyetur fare as forumet partiake në respekt të statutit të partive të tyre dhe as votuesit që mbështesin partitë e tyre???!!

Thënë më shkoqur, qytetarët i kritikojnë në shumë aspekte të dy sistemet zgjedhore, edhe proporcionalin edhe mazhoritarin, duke lënë të kuptohet se ato e kanë humbur legjitimitetin, por pa mundur të gjejnë arsyet e thella përse në Shqipëri kanë dështuar të dy këto sisteme zgjedhore (në literaturën e sistemeve zgjedhore ekzistojnë dy familje të mëdha, me sisteme mazhoritare e proporcionale, ndërkohë që në vendet e tjera këto sisteme zgjedhore funksionojnë).

Qytetarët janë të shqetësuar veçanërisht për shumë aspekte, por veçanërisht për ato që kanë të bëjnë me përcaktimin e listës se kandidaturave si për deputetë nga partitë politike apo ato që ndryshe quhen ‘lista të mbyllura’ si ato të individëve për kandidatë për kryetarë bashkie.

Duke gjykuar se sistemi me lista të mbyllura i ka dhënë mundësi kryetarëve të partive të bëhen autoritarë ndërkohë që po të njëjtët kryetarë të partive sillen në të njëjtën mënyrë edhe me kandidatët për kryetarë të bashkive që konkurrojnë me sistem mazhoritar; kjo sjellje veçse vërteton tezën se autoritarizmi i kryetarëve të partive është invariant nga sistemi zgjedhor dhe njëkohësisht s’do të mund të zgjidhej duke ndryshuar vetëm sistemin zgjedhor.

Si duhet bërë shqyrtimi i sistemit zgjedhor?

Literatura për sistemet zgjedhore përcakton hapat që duhen hedhur për ti dhënë përgjigje kësaj pyetjeje:

Së pari duhet hartuar një dokument analize përmes të cilit do të mund të evidentohen të gjithë arsyet që eventualisht mund të kenë çuar në deligjitimimin e sistemit zgjedhor. Duke i dhënë ndërkohë përgjigje pyetjes përse ka degraduar cilësia e parlamentit. E ndoshta duke bërë një analizë më të thellë e më të gjerë përse ka ndodhur ky degradim.

Për shembull duke bërë edhe pyetje të tilla si ‘mos vallë në këtë degjenerim të përzgjedhjes së kandidatëve ka ndikuar keqfunksionimi i partive politike, sjelljet autoritare të kryetarit të partisë apo e një kupole të ngushte rreth tij, apo mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike?’.

Së dyti, mbi bazën e këtij dokumenti analize, duhet të merret vendimi nëse duhet të korrektohet/përmirësohet sistemi aktual zgjedhor apo duhet hartuar një sistem i ri zgjedhor, apo mos vallë paralelisht me këto duhen marrë edhe vendime të tjera edhe për tju përgjigjur gjetjeve për rolin e demokracisë së brendshme të partive në përcaktimin e kandidaturave, si për deputetë ashtu edhe për kryetarë të bashkive.

Këto vendime duhet të merren pas një debati publik transparent dhe diskutimesh me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas e të huaj. Nëse s’arrihet konsensusi i nevojshëm politik e kushtetues për marrjen e këtyre vendimeve, mund të merret evantualisht edhe mendimi i qytetarëve përmes referendumit, e drejtë të cilën sipas kushtetutës e zotërojnë jo vetëm 28 deputetë të kuvendit (20% e kuvendit) por edhe 50 mijë qytetarë firmëtarë.

Së treti, në kushtet kur deputetë të partive politike opozitare të zgjedhur në zgjedhjet e 2017 janë larguar nga parlamenti duke dorëzuar mandatet dhe një pjesë e vendeve të tyre është zënë nga kandidatë të këtyre partive që kanë qenë në listat e të njëjtave partive, duke mos iu bindur vendimit politik, dhe kur parlamenti nuk arrin dot të plotësojë numrin e 140 deputetëve të përcaktuar me Kushtetutë, shtrohet çështja e gjetjes së mekanizmit dhe mënyrës për marrjen e vendimeve adekuate për ndryshimin/korrektimin/përmirësimin e sistemeve zgjedhorë, ndërkohë që i gjithë ky proces duhet të jetë jo vetëm thjesht kushtetuese por edhe gjithëpërfshirës, veçanërisht duke përfshirë edhe opozitën që ndodhet jashtë kuvendit.

Cilat janë gjasat që ky proces të jetë i suksesshëm?

Në kontekstin e krizës së thellë politike dhe kur pjesa kryesore e opozitës gjendet jashtë kuvendit, gjasat që ky proces të jetë i suksesshëm janë pothuajse zero. Sepse një proces kaq kompleks kërkon gjithnjë vullnet të palëve apo besim reciprok mes palëve që në kontekstin aktual të një konflikti të ashpër politik nuk ekzistojnë.

Duhet patur parasysh gjithashtu se Edi Rama s’do të pranojë të merret në asnjë rast me çështjen e sistemit zgjedhor sepse ai është i bindur që statukuoja është në favorin e tij. Madje, këtë radhë, nuk ka as energji të bëjë lodra politike sikur gjoja dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi duke tentuar t’ia hedhë përgjegjësinë opozitës.

Ai është gati të hedhë në erë edhe të gjithë reformën zgjedhore nëse ndokush do të ketë kërkesa që lidhen me ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të cilin është i bindur se nuk duhet të preket dhe është i vendosur të mos e marrë fare në shqyrtim. Rama është i prirur të fokusohet në një reformë zgjedhore minore e cila merr në shqyrtim vetëm rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe këtë gjë ta bëjë pa opozitën jashtë kuvendit, gjë që nuk jep mundësi që vendi të dalë nga rrethi vicioz i krizës së thellë, madje të zhytet thellë e më thellë në këtë spirale krize (dhe për këtë qasje të tij totalisht të gabuar ka çuditërisht edhe mbështetjen e një segmenti të vogël faktorit diplomatik në Tiranë, por jo vetëm…).

Ç’mund të bëhet në këtë rast?

Sigurisht që gjithnjë ekziston një zgjidhje përfshi edhe rastin aktual. Edhe individët adekuatë, politikisht e profesionalisht, që mund të gjenerojnë në këtë rast zgjidhjen e duhur ekzistojnë në të gjithë partitë kryesore politike. Përgjigjen e saktë e të plotë ndaj kësaj sfide apo më saktë gjetjen e kësaj zgjidhjeje duhet ta bëjnë lidershipet e partive kryesore përmes një marrëveshjeje politike dhe nëse kjo nuk arrihet atëherë zgjidhjen do të duhet ta jepnin vetë qytetarët përmes veprimeve të tyre, referendum apo diçka tjetër.

Mos zgjidhja e krizës, qoftë përmes një marrëveshjeje politike, qoftë përmes veprimit qytetar, do të çonte me shumë gjasa në vendosjen e një regjimi autoritar e represiv, me shumë pasoja për të gjithë e veçanërisht për të ardhmen e vendit e të shqiptarëve.

SHKARKO APP