Referendumi katalanas , kriza më e rëndë që nga rënia e Murit të Berlinit
Ndërsa kriza e referendumit të pavarësisë së Katalonjës thellohet, zyrtarët e BE-së po qëndrojnë gojëmbyllur, edhe pse diplomatët privatisht shprehin shqetësim serioz në një situatë që e konsiderojnë një sfidë ndaj vlerave thelbësore evropiane. Planet e qeverisë katalanase për të mbajtur një votim më 1 tetor, në kundërshtim me urdhërin e gjykatës që e konsideron atë të paligjshëm, kanë shkaktuar protesta të mëdha në Barcelonë dhe një goditje të fortë nga Madridi.
Presidenti katalanas Carles Puigdemont ka dënuar “qëndrimin totalitar dhe jodemokratik të shtetit spanjoll”, pasi policia arrestoi mbi një duzinë zyrtarësh qeveritarë katalanas dhe sekuestroi gati 10 milionë fletë votimi. Por Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka refuzuar të komentojë hollësisht, për atë që ai e konsideron një çështje e brendshme të Spanjës.
Zëdhënësi i Komisionit, Margaritis Schinas i bëri pritë një duzine pyetjesh mbi krizën katalanase në një konferencë shtypi të enjten, duke dhënë të njëjtën përgjigje: “Komisioni respekton rendin kushtetues të Spanjës dhe kuadrin ligjor të saj”. Nga Parisi në Bratislavë, anëtarët e BE përsëritën të njëjtin formulë pasi shtrënguan publikisht renditjen në krah të Madridit, në një qëndrim që ish-presidenti i Parlamentit Europian Josep Borrell tha se ka potencialin të bëhet “kriza më e madhe kushtetuese evropiane, që nga rënia e Murit të Berlinit”.
Minë me sahat
Jeremy Dodeigne, profesor i shkencave politike në Universitetin e Namurit të Belgjikës, tha për AFP se ndërsa BE nuk mund të dalë kundër qeverisë spanjolle, ajo gjithashtu do të ngurronte të armiqësonte grupimet rajonale si Katalonja, të cilat janë të rëndësishme për programet e zhvillimit. “Në këtë moment kriza është shumë e thellë dhe kjo është shumë e rrezikshme për BE-në që të marrë anët ose të ndërhyjë – është shumë e ndjeshme në këtë moment”, tha ai. Për më tepër, lëvizjet separatiste rajonale janë një temë e ndjeshme për një numër anëtarësh të BE.
Kriza ka shkaktuar alarm edhe më të madh sesa referendumi i pavarësisë skoceze i vitit 2014 – i cili së paku u mbajt me pëlqimin e Londrës. “Njohja e Katalonjës do të krijonte një precedent të tmerrshëm për BE-në, të cilin Brukseli do ta kishte shumë vështirë ta menaxhonte dhe çdo lëvizje separatiste do të mundohej ta përdorte në të ardhmen”, tha për AFP Dan Dungaciu, kreu i Institutit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Akademisë Rumune.
“Heshtja e BE-së është një përgjigje në vetvete: Brukseli as që dëshiron ta marrë në konsideratë çështjen. Është një minë me sahat”. Një keqpërdorim i thjeshtë i një komenti nga Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker mbi krizën javën e kaluar, shkaktoi ditë të tëra pyetje dhe sqarime në Bruksel, kur u tha gabimisht se ai kishte deklaruar se do të respektonte një “Po”.
Në fakt, ai kish thënë se do të “respektojë vendimet e gjykatës kushtetuese spanjolle dhe parlamentin spanjoll” – me fjalë të tjera BE do të njohë vetëm një votim të pavarësisë katalanase, nëse ai do të bëhej me bekimin e Madridit.
Ndjeshmëria e çështjes u tregua edhe kur zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltan Kovacs duhej të sprapsej shpejt, pasi tha se “vullneti i popullit” duhet të respektohet në Katalonjë. Zoltan Kovacs fillimisht u tha gazetarëve të hënën, kur u pyet për referendumin e Katalonjës: “Vullneti i popullit është ai që ka rëndësi” përpara se të theksonte me shpejtësi se ishte një “çështje e brendshme për popullin spanjoll dhe katalanas”. Pas frontit të bashkuar publik, vala e arrestimeve të policisë spanjolle të Guardia Civil këtë javë ka shkaktuar alarm mes shteteve të BE. “Edhe nëse veprojnë brenda ligjit, qeveria spanjolle po e trajton këtë situatë shumë keq. Dërgimi i Guardia Civil për të bërë arrestime dërgon një sinjal shumë të keq”, tha për AFP një diplomat europan në Bruksel. Një tjetër diplomat i rangut të lartë tha se ndërsa çështja ishte e brendshme për Spanjën, “ne po ndjekim tërë procesin me një shqetësim gjithnjë e më të madh”.
‘Të drejtat themelore’
Por Amadeu Altafaj, përfaqësuesi i qeverisë katalanase në BE, tha se duke e refuzuar ta konsiderojë, si një çështje e brendshme, Brukseli dështoi në detyrën e tij për të mbështetur parime më të gjera demokratike. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me pavarësinë, po apo jo, jo vetëm me marrëdhëniet midis Katalonjës dhe Spanjës … përtej këtij debati, kjo është në të vërtetë për standardet demokratike në BE”, u tha ai gazetarëve. / France 24 – Bota.al