Reforma e Arsimit të Lartë, “aktorët e kaosit” dhe politika!

Nga Aranit Muraçi

Reforma për Arsimin e Lartë pritet të kalojë pasditen e sotme (21 korrik 2015) në parlament me votat e maxhorancës, ndonëse janë paralajmëruar protesta para dyerve të Kuvendit, nga një “grup i interesuar” prej kohësh që reforma të mos kalojë. Para se ajo ta marrë miratimin nga parlamenti, në rrjetet sociale kundërshtarët e kësaj reforme i bëjnë thirrje studentëve e të interesuarve të tjerë, që të mblidhen dhe të kundërshtojnë atë.   

Ka dy vjet që e majta ka ardhur në pushtet dhe në fakt ishin paralajmëruar reformat prej saj si një premtim para elektoratit të gjerë, zhgënjimi i të cilit nuk është vështirë të konstatohet sot mbi gjendjen kaotike që mbizotëron aktualisht në arsim, sidomos në Arsimin e Lartë. Dhe para presionit të publikut për të ndryshuar këtë situatë, qeveria një vit më parë ndërmori aksionin e parë. Kundërshtime pati nga “grupet e para të interesit”, kur u realizua mbyllja e rreth 18 universiteteve private, disa prej të cilëve ishin kthyer në “magazina diplomimi për mediokër” me qëllim për të bërë thjesht “biznes” madje oborre të ashtuquajtura akademike mirëprisnin edhe kontingjentin e botës së krimit të cilët nuk kishin pasur shansin të ndiqnin as shkollën e mesme. Para dhe një vit pas mbylljes së tyre, askush nga të shqetësuarit aktualë të Reformës së Arsimit të Lartë nuk është shprehur dhe as ka ndonjë dëshirë të shprehet i shqetësuar mbi ekzistencën e tyre. Mbi këtë turp të madh kombëtar, për degradimin e Arsimit të Lartë, Migjeni po të ishte sot gjallë me siguri nuk do t’i përkushtohej mjerimit. “Kafshatë që nuk kapërdihet” mund të quhej prej tij dhënia e diplomave dhe madje të gradave shkencore të një kategorie pa asnjë lidhje me arsimin në tërë këto vite, ku nuk bën përjashtim as ai publik. Dhe nga përgjegjësia që ka ky i fundit, Shqipëria duhet pranuar se sot ndodhet para një fatkeqësie të madhe kombëtare. 

Për ta nxjerrë  nga gjendja aktuale kaotike ku është katandisur Arsimi i Lartë, është detyrë e vështirë dhe do të duhen ndoshta vite e dekada. Por është e lehtë të konstatohen përgjegjësit, që e kanë kthyer në këtë gjendje nga ku përfitojnë prej saj, aq sa e konsiderojnë diplomimin e studentëve edhe te universiteti publik, thjesht si një çështje “biznesi”. Ata kuptohet lehtësisht pse e duan kështu siç është arsimin, pa ndryshime, ndaj edhe nuk kanë dhënë asnjëherë asnjë ide për përmirësimin e tij dhe madje kundërshtojnë çdo nismë për çdo ndryshim. Ata që kundërshtojnë çdo nismë për reforma e ndryshim në arsim, duhet t’i japin më parë përgjigje pyetjes: a ka pasur ndonjë student që rrjedh nga familjet e lidhura me politikën, biznesin apo të lidhura me trafikun e drogës e të prostitucionit, që ka hasur ndonjë vështirësi për t’u diplomuar në Shqipëri, në universitete publike e private, gjatë dy dekadave të fundit?! Përgjigja është e hidhur: asnjë prej tyre, përveç të tjerëve që kanë dashur thjesht e vetëm të studiojnë dhe kanë merituar të paktën shpërblimin e mundit të tyre. Rezulton dhe nuk është i vështirë konstatimi, se çdo ditë e më shumë njerëzit më të denjë të këtij vendi, ata që duan të punojnë dhe jetojnë me  punë dhe dinjitet, fatkeqësisht po largohen të zhgënjyer për një të ardhme më të mirë në perëndim, pasi janë lënë të braktisur rrugëve të Shqipërisë, pa asnjë të ardhme. Arsimi nuk mund të bëjë kurrsesi diferencë me sektorët të tjerë, në Shqipëri dhe për t’i dhënë të drejtë mjafton krahasimi me një sektor tjetër, më delikat. Edhe aktorët e drejtësisë në Shqipëri nuk duan të ndërmerret asnjë reformë, në sektorin e tyre. Ata e duan drejtësinë në Shqipëri kështu siç është, krejt ndryshe nga ç’e do publiku i gjerë, apo edhe Europa e zhvilluar.  Dhe pas reformës në Arsimin e Lartë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një reformë tjetër edhe më radikale që do të ndërmerret në vjeshtë, atë “në sistemin e kalbur të drejtësisë”. “Të drejtën që shitet e blihet me keq se me diplomat në arsim”, ndryshimin radikal edhe të këtij sistemi, Kryeministri e paralajmëroi gjatë takimit të fundit me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Pavarësisht kundërshtimeve “të grupeve të interesuara” për të mos ndryshuar gjendja, me mbështetjen që mori në zgjedhjet e fundit lokale nga elektorati dhe sidomos të presionit ndërkombëtar për t’i çuar deri në fund reformat sado të hidhura qofshin ato për përfituesit që e “gatuan këtë çorbë” dhe jo pa qëllim,  dhe që Shqipërisë t’i hapen sa më shpejt dyert e Europës, kryeministri Rama duket më i vendosur se kurrë se ndoshta “aktorët e kaosit” do të largohen nga skena bashkë me “dimrin e fundit”. Sa më të forta qofshin kundërshtimet që u vijnë reformave të ndërmarra nga “aktorët e kaosit”, aq më tepër kryeministri dhe qeveria e tij duket se po fiton kapital politik në elektorat.        

Por çdo reformë sikurse kjo në arsim, duhet parë sesa është në shërbim të publikut dhe zhvillimit të vendit. Qeveria mund edhe të gabojë (siç tregon eksperienca e kaluar) me njerëzit e përzgjedhur për t’i nisur, zbatuar dhe çuar deri në fund ato. E djathta e ka kundërshtuar dhe do ta kundërshtojë reformën e Arsimit të Lartë gjatë miratimit në parlament, ashtu siç ka ndodhur me çdo reformë tjetër deri tani, për të bërë logjikisht detyrën e saj. Por nëse kërkon të fitojë mbështetje më të gjerë të elektoratit që e dënoi dhe e rrëzoi atë nga pushteti më 29 qershor 2013, si dhe për t’i dhënë fund këtij “kaosi” që mbizotëron ende sot, gjatë kundërshtimit të reformës në arsim dhe çdo reforme tjetër, asaj i kërkohet të jetë e besueshme para publikut. Denoncimi i çdo parregullsie mbi reformat e ndërmarra nga qeverisja e majtë, qëllimi për përfitimet personale të grupeve të caktuara që ndoshta synojnë të ndryshojnë “klientelë”, si dhe shkëputja një herë e mirë nga “aktorët që gatuan këtë çorbë në arsim e drejtësi” do të ishte shërbimi më i mirë ndaj publikut të gjerë dhe  kapitalit të saj politik para zgjedhjeve të ardhshme. Nëse qeveria e majtë nuk ia del me reformat e nisura, atëherë e djathta ka shansin në dy vitet e ardhshme të propozojë ide dhe programe të reja, të afrojë njerëz sa më të besueshëm para publikut, për ta ndryshuar gjendjen aktuale, për ta përmirësuar atë, që ëndrra e largët e viteve 90’, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të mos mbetet ëndërr për dekada të tjera edhe për brezin e të rinjve që studiojnë sot dhe kërkojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë nesër, “këtu në mes të Europës”, ose në vendin tonë.

SHKARKO APP