Reforma zgjedhore nuk duhet të ketë fatin e Reformës në Drejtësi
Nga Agron Duka
Javën e shkuar, organizuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, u zhvillua një konferencë me temë “Për Reformën Zgjedhore”. Konferenca kishte në fokus përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për rregullimin e financimit të partive politike dhe fushatës zgjedhore.
Sikur ka ndodhur rëndom kohët e fundit nga ana e ndërkombëtarëve, përfaqësuesit e Bashkimit Europian shprehën zhgënjimin e tyre për moszbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe të Komisionit Europian gjatë zgjedhjeve të 25 qershorit.
Le të kujtojmë se një prej 12 kritereve të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit për Shqipërinë në BE thotë: “Reforma Zgjedhore të zbatohet pa vonesë, bazuar te rekomandimet e OSBE për të rivendosur besimin e publikut në integritetin e procesit zgjedhor; kujtojmë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë”.
Ndonëse në dukje konferenca të tilla shprehin një vullnet për të hedhur hapa përpara drejt Reformës Zgjedhore, duhet pranuar se kjo e fundit nuk po ecën me shpejtësinë e duhur.
Komisioni i posaçëm Parlamentar për Reformën zgjedhore, ka hyrë në muajin e katërt të krijimit të tij, ka zhvilluar një numër të limituar mbledhjesh, ndoshta 2-3, por nuk ka prodhuar vendime të ndonjë impakti relevant.
Mund të jetë ende shpejt për të gjykuar veprimtarinë dhe vullnetin e palëve, duket se kjo reformë mund të ketë fatin e Reformës në Drejtësi. Një çështje që nuk rrezikon vetëm të mbetet për në momentin e fundit, të mos prodhojë ndryshimet e pritura nga qytetarët dhe të krijohet një klimë mosbesimi mbi atë; por, të rrezikojë integrimin e vendit në BE.
Reforma thelbësore, siç është ajo e sistemit zgjedhor, kërkojnë jo vetëm bashkëpunimin e palëve, një pjesëmarrje aktive në të gjithë hapat e ndërtimit të Kodit të ri, por edhe transparencë ndaj angazhimeve që kërkojnë partnerët ndërkombëtarë, partitë politike alternative dhe shoqëria civile.
Nëse partitë kryesore, të cilat po udhëheqin këtë Komision, do të kenë të njëjtën qasje me të cilën ndërmorën Reformën në Drejtësi, vota e shqiptarëve nuk do të marrë kurrë vlerën që ajo meriton.
Një shembull i mirë për të ilustruar mënyrën se si kjo Reformë po çon palët drejt një përplasjeje dhe mban në ngërç zhvillimet konkrete, është çështja e votimit elektronik.
Negociatori i Partisë Socialiste për reformën zgjedhore, dhe bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm z. Bledi Çuçi, ka deklaruar në fillim të këtij muaji se pala tjetër, Partia Demokratike, ka hequr dorë nga kërkesa e opozitës për votim elektronik në zgjedhje. Ndaj këtij pohimi, i cili krijoi mjaft debat, është kundërpërgjigjur menjëherë z. Oerd Bylykbashi, bashkëkryetari i Komisionit, për ta cilësuar si të rremë deklaratën e PS-së.
Sigurisht, kjo përballje midis dy palëve ndezi keqkuptime, por në fakt të dy bashkëkryetarët e Komisionit ishin duke folur për të njëjtën gjë. Nuk bëhej fjalë për heqjen dorë nga përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, por një debat midis përdorimit të një votimi që kryhet online, pra në rrjet; ose një votim që regjistrohet në aparatin në të cilin votohet, duke shmangur rreziqet kibernetike. Ky debat shterpë, në të cilin dy persona flasin për të njëjtën gjë dhe nuk kuptohen, rrezikon të krijojë keqkuptime mbi përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, gjithashtu, edhe vonesa të panevojshme.
Votimi elektronik është ndoshta pika më e nxehtë e gjithë kësaj Reforme, dhe mbi këtë çështje, palët duhet të tregohen jo vetëm të përgjegjshme, por të vendosura dhe serioze.
Madje, përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, sidomos numërimi elektronik, mund të konsiderohet vija e kuqe për të vlerësuar vullnetin e palëve për t’i dhënë jetë një Reforme që do të krijojë realisht kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Financimi i partive, lobimi, dekriminalizimi, sistemi proporcional apo mazhoritar, listat e hapura, depolitizimi i administratës zgjedhore etj., përbëjnë sigurisht segmente të rëndësishme të Reformës, por jo sa çlirimi nga komisionerë dhe numërues që ngjasojnë më shumë me varrmihësit e votës se sa zbardhësit e saj.
Nga pikëpamja e poleve ose aleancave politike, mënyra sesi sistemi elektoral do të adresohet, mund të jetë përcaktuese në zgjedhjet e partive të vogla, të cilat ndjekin me vëmendje çdo zhvillim në këtë drejtim. Vullneti për të përfaqësuar elektoratin e tyre, mund të sjellë realitete të reja të organizimit elektoral të këtyre forcave.
Megjithatë, ndonëse zgjedhjet lokale janë në derë, ka ende shumë punë për t’u bërë.
Për këtë arsye, këto çështje duhen adresuar dhe diskutuar që tani, sidomos me një agjendë të qartë. Nëse nuk fillon një orë e më parë një bashkëpunimi transparent, konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, do të pengojmë jo vetëm procesin e integrimit, por do të vazhdojmë ende me të njëjtat histori që kemi dëgjuar këto tri dekada.