Reformat në Bankën e Shqipërisë
Nga Genti Sejko
Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Në konferencën e përbashkët për shtyp me misionin e FMN-së, MF-në dhe MZHETTS-në, bi Përfundimin e Rishikimit të Pestë të Marrëveshjes me FMN-në
Në përputhje me praktikën e stabilizuar tashmë, gjatë dy javëve të fundit kemi pasur takime dhe shkëmbime të vazhdueshme opinionesh me përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Si gjithnjë, këto takime shërbejnë për të bërë një analizë të plotë të zhvillimeve ekonomike e financiare, në funksion të identifikimit të masave të nevojshme për zhvillimin e qëndrushëm të vendit. Në vazhdim, do të bëj një përmbledhje të opinionit të Bankës së Shqipërisë.
Ekonomia shqiptare është në një trajektore pozitive zhvillimi, pavarësisht goditjeve me të cilat jemi përballur në gjysmën e parë të vitit. Ekuilibrat ekonomikë e financiarë të vendit shfaqen të shëndetshëm. Sistemi bankar ka një bilanc likuid dhe të mirë-kapitalizuar; borxhi publik i vendit është nën kontroll; dhe, biznesi dhe familjet shqiptare kanë një gjendje financiare në përmirësim. Burimet e zhvillimit afatgjatë të vendit mbeten të qëndrueshëm.
Kjo situatë është rrjedhojë e politikave ekonomike të orientuara drejt stabilitetit që kemi ndërmarrë. Duke marrë shkas nga zhvillimet më të fundit në Greqi, dëshiroj të theksoj se ambienti i jashtëm paraqitet sfidues, por ekonomia e sistemi financiar i vendit janë në gjendje të përballojnë edhe goditje ekstreme. Kostot afatshkurtra që kemi paguar për reformat strukturore dhe konsolidimin fiskal, i shfaqin përfitimet e tyre pikërisht në momente të tilla.
Në rrethanat aktuale, është më se e nevojshme që politikat ekonomike e financiare të vendit të vazhdojnë të orientohen nga filozofia e kujdesit. Ne jemi në gjendje dhe të gatshëm të marrim masa shtesë nëse është e nevojshme. Sa më sipër, dëshiroj të siguroj sektorin privat se perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare janë pozitive. Biznesi dhe familjet shqiptare duhet të vazhdojnë të pandikuar në planet e tyre të konsumit, të investimit dhe të zhvillimit.
Më lejoni të jem më konkret në ato që parashtrova më sipër.
Zhvillimet ekonomike e financiare kanë qenë përgjithësisht në përputhje me parashikimet tona të fillimvitit, por informacioni i ri ka rezultuar në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka bërë një rishikim për poshtë të rritjes së pritur ekonomike të vitit 2015. Megjithatë, në gjykimin tonë, goditjet pritet të kenë vetëm një efekt kalimtar në treguesit e aktivitetit ekonomik dhe të mos cënojnë trendet afatmesme e afatgjata të zhvillimit. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gjatë gjysmës së dytë të vitit aktual dhe në dy vitet e ardhshme, çka do të mundësojë edhe kthimin e inflacionit në ekuilibër.
Pavarësisht sa më sipër, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet nën potencial dhe inflacioni të mbetet nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Këto zhvillime kërkojnë ruajtjen e kahut stimulues të politikave makroekonomike edhe të paktën përgjatë disa tremujorëve.
Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe ka mbështetur kahun e konsolidimit fiskal të ndjekur nga financat publike. Të dhënat fiskale janë përgjithësisht në linjë me këtë objektiv, por mbetet përsëri punë për të bërë në drejtim të zbatimit më rigoroz të planit të huamarrjes dhe të shpenzimeve publike.
Nga ana e saj, politika monetare e ndjekur nga ne është në parametra tejet stimulues. Normat e interesit dhe kostot e financimit janë në nivele të ulëta historike, ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka siguruar furnizimin e plotë të tregut me likuiditet dhe ka ofruar edhe orientim afatgjatë të kahut të politikës monetare.
Në përputhje me kahun e politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka vazhduar aplikimin e masave lehtësuese mbikëqyrëse e rregullatorë. Gjithashtu, së shpejti do të lançojmë një projekt madhor, i cili synon të adresojë përfundimisht çështjet e lidhura me trajtimin dhe reduktimin e kredive me probleme. Të gjitha këto masa, kanë ndihmuar dhe pritet të sjellin një mbështetje më të mirë me fonde të ekonomisë shqiptare.
Sikurse e thashë dhe më parë, ekuilibrat ekonomikë e financiarë të vendit janë solidë. Deficiti i llogarisë korrente shënoi përmirësim në tremujorin e parë dhe pozicioni valutor i ekonomisë shqiptare është mjaft pozitiv. Treguesit e likuiditetit dhe të kapitalizimit të sistemit bankar kanë ardhur në përmirësim, rritja e kredive me probleme është frenuar dhe sistemi bankar shqiptar rezulton fitimprurës.
Duke u nisur nga konteksti ndërkombëtar, dëshiroj të garantoj publikun se sistemi bankar nuk ka asnjë ekspozim direkt ndaj krizës greke. Analizat tona, në nivel banke dhe në nivel sistemi, konfirmojnë ruajtjen e shëndetit dhe të veprimit normal të tij edhe brenda skenarëve ekstremë. Së fundi, zbatimi i marrëveshjes me FMN-në garanton jo vetëm qëndrueshmërinë e borxhit publik, por na jep edhe mundësinë e sigurimit të fondeve shtesë për të përballuar çdo zhvillim të papritur e të padëshiruar. Kjo marrëveshje është një policë sigurie, e cila duhet të garantojë të gjithë aktorët ekonomikë për shëndetin financiar të vendit.
Të nderuar përfaqësues të medias,
Në mbyllje dëshiroj të ritheksoj edhe një herë angazhimin e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit ekonomik e monetar të vendit. Në gjykimin tonë, kuadri i politikave të miratuara ofron një platformë të mirë dhe të koordinuar zhvillimi.
Në zbatim të detyrave tona ligjore dhe programit të zhvillimit, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë për:
Ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbështetjen e zhvillimit të vendit. Në skenarët aktualë, politika monetare do të vazhdojë të mbetet stimuluese edhe për disa tremujorë në vazhdim. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të marrim çdo masë shtesë që të jetë e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të fuqisë blerëse të familjeve shqiptare.
Mbështetjen e stabilitetit financiar të vendit, në bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e tjera publike.Analizat tona tregojnë se sistemi bankar është i qëndrueshëm. Megjithatë, edhe në rast të goditjeve, ne disponojmë plane të detajuara masash për shmangien e problemeve financiare.
Zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar, nëpërmjet zbatimit të masave të dakorduara në marrëveshjen FSAP dhe të parashikuara në bashkëpunim edhe me asistencën e vazhduar të FMN-së.
Përsosjen e vazhdueshme të institucionit të Bankës së Shqipërisë, në funksion të rritjes së profesionalizimit, reputacionit dhe pavarësisë. Sa më sipër, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e sistemeve të kontrollit e të drejtimit, për reduktimin e rreziqeve operacionale, por edhe për përmirësimin e komunikimit e të transparencës.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë thekson nevojën për vazhdimin e reformave strukturore, të cilat do të mundësojnë një rritje më të shpejtë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse për shtresat e ndryshme sociale të shoqërisë.
Ju faleminderit!