Refuzimi i Francës lëndon
Preç Zogaj
Në harkun e pak javëve Franca na “godet” dy herë. Herën e parë gabimisht (shumë njerëz vazhdojnë të mendojnë se ishte një “gabim” i paramenduar), duke ngatërruar himnin tonë kombëtar me himnin e dy shteteve të tjera në ndeshjen Francë-Shqipëri për eliminatorët e kampionatit europian të futbollit. Herën e dytë duke na mbyllur derën e negociatave për anëtarësim në BE. Ndihet një hidhërim në mbarë vendin, majtas e djathtas. Po pse ndihemi më të prekur se herë të tjera, ndërkohë që ua kemi marrë dorën vonesave, jemi zhgënjyer e sfiduar shpesh edhe më parë në pritshmëritë tona, jemi frenuar e vetfrenuar disa herë, stacion me stacion, në rrugën e gjatë të ëndrrës për t’u bërë pjesë e BE-së?
Janë disa ndjesi që veprojnë sëbashku. Është ndjesia e kohës që shkon e shkon, përballë një dere që nuk na hapet edhe kur shumica dërmuese e pjesëtareve të familjes pritëse duan dhe kjo mund të përsëritet e të përsëritet në një stafetë pengimesh si në makthet kafkiane; është ndjesia e dështimit të përsëritur që zvogëlon vetëbesimin dhe godet vetë ëndrrën; është pandehma e të qenit të paragjykuar që, duam s’duan, zgjohet brenda nesh kur shohim se të tjerët që nuk janë më mirë se ne ose pak më mire se ne i kanë marrë prej vitesh negociatat, madje edhe anëtarësimin.
Por ato që lëndojnë më shumë janë shkaqet e refuzimit të Francës që nuk duken as të qarta, as të drejta, as bindëse dhe si të tilla lënë shijen e shkujdesjes apo edhe mosdashjesh për arsye të tjera që nuk thuhen. Presidenti Macron kërkon reformimin e BE-së para zgjerimit. Sipas tij, BE ka probleme të brendshme dhe për momentin nevojitet një reformim i procedurës së zgjerimit, pastaj të flitet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Reformimi dhe rregullimet brenda shtëpisë se përbashkët europiane janë tagri i liderëve europianë. Si vend kandidat ne vetëm gëzohemi që preokupimi i tyre është forcimi i BE-së.
E pakuptueshme për ne, në këtë moment është lidhja e reformimit të pritshëm, për të cilin nuk se ka ndonjë propozim konkret, me aplikimet në proces. Hapja e negociatave ka marrë vite pune qoftë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, qoftë nga vetë Komisioni Europian. Ndryshimet e menduara nuk mund të kenë fuqi në procese që kanë nisur e vijojnë sipas rregullave në fuqi. Me këto rregulla i janë hapur negociatat Serbisë dhe Malit të Zi. Të ndryshosh rregullat gjatë lojës do të thotë t’u bësh një padrejtësi Tiranës dhe Shkupit. Ideja se jemi viktima të objeksioneve që ka Presidenti i Francës për procedurat në fuqi është e papërtypshme, sidomos në kushtet kur shumica dërmuese e vendeve të tjera të BE-së nuk e shtrojnë fare këtë si pengesë. Negociatat nuk janë anëtarësim. Nëse përdorim një paralele me studimet e larta, janë si një e drejtë për provimet e masterit.
Presidenti Macon ka ngritur si pengesë për Shqipërinë edhe numrin e madh të azilkërkueseve shqiptarë në Francë. Ky është një argument tjetër që e kthen shigjetën te gjendja e brendshme në Shqipëri, të politikat dhe qeverisja që provokojnë azilkërkimin. Gjë që për koherencë do të kërkonte një qëndrim më të hapur ndaj azilkërkuesve.
Sot mund t’i turremi qeverisë duke i drejtuar gishtin: ti je përgjegjëse, ti e ke fajin, prej teje ikin njerëzit, prej teje na e mbylli derën Franca. Nuk na kushton asgjë ta bëjmë. Qeverisja e Shqipërisë ka më shumë se kaq për t’i thënë. Do të kishte qenë e ndershme dhe ndihmuese për vendin që Franca, fjala vjen, të na kishte refuzuar për mospërmbushjen e kritereve të caktuara nga Brukseli. Por nuk e thotë këtë. Përkundrazi, flet për Shqipërinë pothuajse njëlloj si Komisioni Europian që ka bërë rekomandimin pozitiv. Pra edhe qeverinë e shpëton, edhe negociatat nuk na i jep.
Sot mund nuk na kushton asgjë ta drejtojmë zemërimin tonë edhe nga ata azilantë që shkuan e kërkuan azil në Francë duke i dhënë atij vendi një argument për të na refuzuar. Por edhe kjo është kot, ata janë njerëz të lirë, kanë menduar për të mirën e tyre, pa parë më larg.
Në fakt, duhet ta themi, Franca është një vend, të cilin valët emigratore të shqiptarëve pas vitit 1990 e kanë prekur shumë pak, jashtë çdo krahasimi me vendet fqinjë si Italia dhe Greqia ku kemi mbi një milion emigrantë shumica me shtetësi italiane dhe greke, por jashtë krahasimit edhe me vende të mëdha jo fqinjë, po aq larg apo shumë me larg se Franca, siç janë Gjermania, Anglia, SHBA-ja. Emigracioni poskomunist në këto tre vendet e fundit është deri në pesëmbëdhjetë herë më i madh se në Francë, ku sipas censusit të vitit 2011 kishte rreth shtatë-tetë mijë shqiptarë bashkë me diasporën e pasluftës së dytë botërore.
Duket vërtetë ironike që pikërisht vendi që shqiptarët e kanë shkelur e trazuar me pak vendos veton me argumentin se e kemi tepruar. Historia i ka qejf nganjëherë shakatë e këtij lloji. Natyrisht, emigrantët dhe azilkëkruesit kanë dallime. Flukset azilkërkuese të shqiptarëve kishin si preferencë për disa vite me radhe Gjermaninë. Pasi Gjermania mori masa për dekurajimin dhe kthimin mbraposht brënda një kohe të shkurtër të përsonave që kërkonin azil, duke u dhënë ndërkaq mundësi punësimi me kontrata të rregullta mijëra shqiptarëve profesionistë, azilkërkimi si dukuri u spostuan drejt Francës. Fenomeni ekziston, por jo në ato përmasa që paraqitet dhe mbi të gjitha nuk mund të konsiderohet vitrina e shqiptarëve në Europë. Para se ti priste drutë shkurt me azilkërkuesit Franca mund të kujtohej çfarë bënë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të mbajtur mbi një milion shqiptarë etnikë të Kosovës që qenë dëbuar më dhunë nga rregjimi i Millosheviçit në vitin 1999. Këto viktima të spastrimit etnik milosheviçian do të merreshin nga Europa. Franca do të duhej të merrte pjesën e vet, por Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e mbajtën vëtë këtë barrë. Kanë merituar të shpërbleheshin që atëherë, përpara apo në një kohë me Serbinë. Franca nuk kujtohet për këtë dhe ndoshta nuk kujtohet as për tjetrën që duke ngritur pikpyetje e duke kërkuar dhënien e lëvizjes së lirë pas hapjes së negociatave, e dënon me një pritje akoma më të gjatë popullin shqiptar të Kosovës, i vetmi në Europën e sotme që nuk lëviz pa viza në hapësirën Shengen.
Por s’kemi çfarë t’i themi Francës. Ajo na mbyll derën sepse mund të na e mbyllë. Shumë frankofonë në Shqipëri janë pa fjalë.
“Në gjërat e paqarta gjej qartësi me të madhe se në gjerat e qarta”, thotë Fridrih Niqe. Në një këndveshtrim, refuzimi i Francës duket sikur shthur vetvetiu një pritje në Shqipëri, fashit optimizmin e forcave perëndimore dhe krijon një boshllëk që lejon gjallërimin dhe inkurajimin e vorbullimeve të kundërta me orjentimin perëndimor të vendit. Ka një përshtypje sikur u krijohet hapësirë për veprim influencave nga vende të treta, si Rusia, Turqia, Kina. Përpjekje ka e do të këtë, por busulla mbetet Perëndimi. Kryeministrit Rama ka bërë mirë që nuk është rrëmbyer nga dëshpërimi dhe ka vijuar të theksojë se Shqipëria nuk do të lëvizë nga kursi i integrimit europian. E gjithë kjo edhe në respekt të shumicës dërmuese të vendeve që na duan me vete si pjesë të familjes europiane.
Boshllëku është inekzistent për një arsye madhore. SHBA, për fatin tonë të mirë, janë këmbëkryq këtu, si në shtëpinë e tyre. Protagonizmit amerikan për zgjidhjen reale të problemeve të rajonit dhe forcimin e demokracisë në secilin vend vetëm po forcohet. Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë t’i ndajnë nga afër sfidat e tyre me aleatin strategjik. Njëherësh nuk do të lodhen së shërbyeri si mike të ngushta me SHBA ëndrrën europiane.
/Gazeta Liberale/