Reklama e shpifur e Ramës në RAI
Nga Enton Abilekaj –
Në përpjekjet për të shpjeguar pjesën e tretë të emisionit “Porta a Porta”, të Bruno Vespës, mund të shërbejë statusi lakonik i Andi Bejtes, apo analiza e zgjeruar e Andi Bushatit. “O ‘Kadri’ ku je? Shef këtë Bruno Vespën dhe të merr një mall i madh për ‘Kadriun’ tamam sikur ke ngrënë ushqim në një resort all inclusive jashtë dhe sa kthehesh në Tiranë mezi pret t’i fusësh nje pulë me pilaf dhe ndërkohë të shohësh ‘kadrinj’ në TV”, shkruan shkurt Bejtja.
Ndërsa Bushati shpreh dyshimet që ai ishte një emision i sponsorizuar, që nuk ishte për qëllim të sillte të vërtetën. Sipas tij, ishte një përpjekje e Ramës për të neutralizuar rrezikun që i vjen nga mediat perëndimore, tani që ato po kërkojnë të vërtetën e asaj që ndodh në Shqipëri. Kështu, sipas Bushatit, Rama po mundohet të shmangë një disfatë ndërkombëtare të ngjashme me atë të kanabisit. Atëherë, megjithëse e fitoi betejën me opozitën, mediat vendase dhe ambasadorët e huaj në Shqipëri, e humbi me median ndërkombëtare, që pasqyroi me objektivitet ngjarjet.
Zhurma e mediave perëndimore, shkaktoi edhe reagimin e qeverive, që nuk mund ta injoronin më këtë problem. Kjo solli kryqëzimin e Ramës dhe e detyroi atë të reagonte njëfarësoj për të përmirësuar imazhin. Sot me atë imazh të plagosur, Kryeministri nxiton të shuajë zjarret që ndez media në çdo vend perëndimor, operacion ky që nuk kërkon vetëm energji, nuk kërkon vetëm impenjim, nuk kërkon vetëm përdorimin e ambasadave si zyra partiake, por edhe shumë para për të fituar hapësira mediatike dhe influence.
Turi i Ramës në Itali, ishte i suksesshëm në këtë këndvështrim. Ai përdori gjithë miqtë e tij të interesit apo biznesit për ta fituar luftën e propagandës edhe në Itali. Proporcioni i shfaqjes së tij më atë të shfaqjes së opozitës, flet vetë. Ndërkohë që bashkë me fitoren e një beteje të Ramës, pyetja që lind është, a janë mediat në Itali ende një filtër për komunikimin e politikës me publikun, apo ashtu si në Shqipëri apo në ERTV, janë vetëm transmetues të reklamës që paguhet më shtrenjtë? Nëse Rama flet që në Shqipëri ka 20 mijë investitorë italianë, ndërkohë që nuk janë as 10 për qind e kësaj shifre, pse nuk u vu përballë fakteve?
Nëse Rama flet për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të klimës së biznesit, pse nuk u vu përballë raporteve të institucioneve ndërkombëtare financiare që flasin për polarizim dhe përkeqësim të klimës së biznesit? Nëse flet për pushtet legjitim, pse nuk u vu përballë provës për të shpjeguar blerjen e votes, që po faktohet me zbulimin e pjesëve të përgjimeve të strukura me frikë në Prokurori? Një grup i Porta a Porta, erdhi në Tiranë fundjavën që shkoi. Qeveria u kujdes që ata të orientoheshin në favor të saj. E vërteta u mbyt në Otranto.
Ajo që u pa ishte një reklamë e shpifur, për një qeverisje të përfshirë në dhjetra skandale dhe që, në vend të nxisë drejtësinë të sqarojë përgjësinë e anëtarëve të kabinetit, ushtron presion për mbylljen e çështjeve, në vend që të mbajë përgjegjësi akuzon opozitën, shpërndan tym në media duke iu shmangur kështu përgjegjësisë politike dhe ligjore. Me siguri që, nëse do të ishte kapur qeveria italiane në një skandal si ai i Unazës së Re ku, me dokumente amerikane të falsifikuara, një firmë merr 18 milionë euro për t’i zhdukur, ku me tender fiktiv 40 milionë euro për 2.2 kilometra kalojnë tek miqtë e Kryeministrit, Porta a Porta nuk do t’i bënte makiazhin.
Nëse do të kishin dalë copa përgjimesh për blerje vote nga funksionarë të lartë në bashkëpunim me bandat kriminale, Porta a Porta nuk do pranonte Kryeministrin të fliste për pushtet legjitim. Në Itali filtri funksionon, suksesi vazhdon edhe pas 23 vjetësh. Të humburit e vetëm mbeten shqiptarët. Ndjekja e lajmeve dhe gjetja e të vërtetës tek Rai ka qenë një zakon që nga diktatura. Nga dje ky do të bëhet një zakon i humbur./Dosja.al/