Renzi çon për skrap BE-në, italianët ia përplasën në surrat tepsinë dhe timonin

NGA ILIR KULLA

Askush më parë në historinë republikane të Italisë nuk ka pasur pushtet më shumë dhe më të pamerituar se Mateo Renzi. I ardhur gati nga hiçi, vetëm me një mandat Kryetari Bashkie në Firence dhe President Province, ai u ngrit deri në 42% me partinë e tij në zgjedhjet europiane të 2015. Në fakt, ajo ishte partia që ai ia mori atyre që fituan zgjedhjet e 2015 Bersanit dhe D’Alemës dhe në stilin më të shëmtuar të mundshëm, i përzuri ata nga politika dhe nga partia, duke i zëvendësuar me vajzën e një bankieri të korruptuar, zonjën Boschi, dhe me një çupëlinë pa asnjë kontribut, të cilën në fillim e bëri ministre të Jashtme të Italisë dhe më tej të BE-së, duke ia prerë rrugën Massimo D’Alemës, lider historik dhe Kryeministër i kësaj force politike.

2. Renzi e vodhi këtë forcë politike me premtimin se do çonte për skrap gjithçka të vjetër dhe të keqe të politikës italiane, por si përfundim çoi për skrap veten dhe partinë e tij. Në fillim rrëzoi Bersanin sepse ishte mik i Massimo D’Alemës, më vonë rrëzoi Enrico Letën, pavarësisht marrëveshjes politike që njëri nga të dy do ishte kryetar e tjetri Kryeministër, dhe pasi mori edhe qeverinë, vendosi të marrë gjithë Italinë. Për këtë, organizoi një referendum, ku kërkoi i vetëm të merrte edhe tepsinë, edhe timonin e Italisë bashkë me ishujt. E ndërkohë që kërkoi timonin dhe tepsinë bashkë, ato i përdori që të shpëtonte në mënyre korruptive bankat dhe kompanitë e oligarkisë italiane, duke filluar nga babai i ministres bukuroshe, që ishte edhe shoqja e tij.

3. Kur shkoi te Referendumi i famshëm aty përplasi turinjtë. Populli italian, popull antik që s’ka lejuar as perandorët romakë ia përplasi në fytyrë “Perandorit të fundit” romak edhe tepsinë, edhe timonin, duke e rrëzuar në mënyrë të turpshme. Ai u dorëhoq edhe nga partia, edhe nga timoni, por miqtë e tij oligarkë e urdhëruan edhe një herë të rikthehej duke çuar për skrap edhe punën e mirë të ministrit Miniti dhe të Kryeministrit Gentiloni. Si për ta kompletuar të gjithë veprën e tij skrapshkatërruese ai vendosi diktatin e tij në listat e kandidaturat e partisë së tij. Me këto lista blindoi shokët dhe shoqet e tij dhe të miqve të tij oligarkë dhe shkatërroi partinë më të madhe të 25 viteve të fundit, duke çuar në pushtet Lëvizjen 5 Yje dhe Legën e Mateo Salvinit dhe partinë e tij nga 42% në 18%.

4. Mateo Renzi i bëri të gjitha këto vetëm për 2 arsye; e para, arrogancë e tepruar, e dyta, fakti që ishte tërësisht i kapur nga oligarkia. Nga sot, populli italian ka mandatuar 2 forca politike antieuropiane për t’i qeverisur: Lëvizjen 5 Yje dhe Salvinin e Legës. Vitin që vjen në BE do të mbahen zgjedhjet europiane dhe sigurisht këto 2 forca do të shkojnë edhe më të forta se në zgjedhjet kombëtare dhe ky do të jetë akti i fundit i Mateo Renzit, i cili pasi çoi për skrap partinë, veten dhe Italinë do të çojë për skrap edhe Europën dhe do të hyjë në histori si Neroni, që për të kënaqur egon dhe arrogancën e vet dogji Romën antike.

SHKARKO APP