Revolucion me zemër dhe me mendje

Nga  Dr. Bledar Kurti-

Që rinia ka zemër këtë na e tregoi gjatë ditëve të fundit. Që studentët janë zemërluanë këtë po e shohim edhe sot, si ne ashtu edhe hijenat dhe shushunjat e politikës. Premtimi i pritur i guximit të zemrës u përmbush. Bravo rinia shqiptare.
Por, edukatorja jonë më e madhe, historia, na mëson se jo vetëm arritjet dhe sukseset, por edhe krimet më të mëdha janë bërë nga zemra dhe pasioni, nëse ato nuk shoqërohen nga mendja. Kësisoj, rini e përflakur dhe krenare e këtij vendi, kujdes nga gabimet e pasionit. Mendja e juaj dhe e mbarë kombit thërret për një mision fisnik.
Euforia është manifestuar dhunshëm e shkatërrueshëm në histori, si në ngjarjen e shtrigave të Salemit, ku babai denonconte bijën për shtrigëri, apo vajza nënën, si edhe në shpikjen e gijotinës gjatë revolucionit francez.
Jini fisnikë në mendjen dhe misionin tuaj. Vetëm prej një sasie çaji të hedhur në det u formua SHBA, vetëm prej një busti që rrëzuan prindërit tuaj, ju protestoni sot të parrethuar nga tanke. Bashkë me energjinë dhe pasionin vjen edhe përgjegjësia. Dhe kjo përgjegjësi ka rënë tashmë mbi ju: të përfaqësoheni përtej vetes, përtej moshës, e përtej brezave. Përfaqësoni prindërit tuaj që me gjak e sakrificë paguajnë për arsimin tuaj; përfaqësoni motrat e vëllezërit tuaj të papunë; të njohurit tuaj që të detyruar kanë bragtisur atdheun; të ngrini zërin për të varfërit që për mbijetesë e madje të ndaluar shesin qepë nëpër rrugë; për gjyshërit tuaj me pension tallës; për stërgjyshërit tuaj që ju lanë prona por që jua zhvatën; për të sëmurët që nuk përballojnë dot ilaçet; për ushqimet e bebeve të injektuara me hormone; për oborret e gjelbëruara që jua betonizuan; për këmbët tuaja që shkelin në baltë e kapërcejnë gropa nëpër rrugë që nga dita që keni lindur; për ëndrrat tuaja që janë minimaliste; për të ardhmen tuaj tejet pesimiste.
Bëni revolucion me zemër e me mendje të depolitizuar dhe do çlironi nga vargonjtë e varfërisë dhe skllavërisë tri milionë shpirtra shqiptarësh.

SHKARKO APP