Revolucioni arsimor i notës 7 në universitete

 

Nga Irfan Rama

Vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe i ministres së saj, Lindita Nikolla, që në Universitetet shqiptare të pranohen vetëm gjimnazistët dhe nxënësit e shkollave të mesme profesionale, me mesatare mbi notën shtatë, është një ndër më të rëndësishme të arsimit shqiptar në këto shtatëdhjetë vite të jetës shqiptare të edukimit dhe arsimimit të breznive shqiptare.

Është një vendim revolucionar në konceptin e zhvillimit progresiv dhe shkencor të shkollës shqiptare, të universiteteve shqiptare si vendi i lirisë së mendimit konceptual të nivelit më të lartë të trurit dhe qenies së ndërgjegjes më të lartë ku kryqëzohen rezitë e të menduarit më cilësor. Si vendi ku bëhen debate intelektuale të të gjitha fushave të shkencës, mendimit dhe evoluimit mendor për të prodhuar produkte teoriko -praktike që janë të vlefshme vërtetësish në fushën e implementimit të artë të dijeve në praktikën e jetës passhkollore. Dhe ky revolucion i notës është edhe revolucioni i parë në arsimin shqiptar universitar dhe në shkollën e mesme. Por edhe në arsimin nëntë vjeçar. Por le të fillojmë të argumentojmë këtë notë teke që në të ardhmen do të bëjë çudira në kuptimin e vërtetë të të menduarit dhe të perceptuarit të të gjitha problematikave te arsimit shqiptar. S’do të ketë më marrëzi të shkuarjes në universitetet shqiptare të injorantëve të dëftesave false i kanë marrë nëpërmjet korrupsionit të pa parë dhe të paimagjinuar as në vendet më të pazhvilluara të botës së tretë, të katërt apo të pestë. Ky do të jetë muri i parë i madh pengues i mos cilësisë universitare. Dhe kjo ka ndodhur me inspirimin e të gjithë ministrave të qeverive të djathta e të majta, socialiste dhe demokratike të cilët të inspiruar nga “Rinoceronti Korrupsion” dhe kryeministrat e babëzisë më të madhe të të gjitha kohërave prodhuan “Njeriun e Ri” të shkolluar të epokës së rrejshme të “demokracisë së vërtetë”. Sepse ai njeriu i ri me ideologjinë komuniste që u prodhua për 45 vjet të paktën ishte me shkollë, pavarësisht nga ideologjia komuniste. Sepse Diktatura Komuniste ishte shumë e egër dhe ryshfeti që ishte një pulëz apo një shishe raki, një drekë apo një kafe nuk bënte vaki që mësuesi të marrë të ardhura në para e të vendoste kapërcime diferencuese të cilësisë. Kishte, kishte dhe atëherë hatër. Se Homosin albanez se kish blatuar Zoti pa vese ndryshe nga e gjithë bota.  Edhe ato të shkretë që donin një notë kaluese pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare apo të mesme shkonin osë në kooperativat bujqësore ose merrnin një zanat dhe mbanin frymët e familjeve të tyre pa diskutim në varfëri deri në ekstreme. Ndërsa sot si rezultat i “doktrinës” së mashtrimit ke patur e ke injorantë pa asnjë lloj dije deri në deputetë, se administrata publike shqiptare ndër më të paaftat e të gjithë botës -e këtu nuk flas për një pjesë përqindëse të ulët në krahasim me BIG-un e injorantëve -ka me mijëra “shkollarë” edhe me dy diploma fallco që nuk dinë as shkrim e këndim. Po kanë çertifikatën me vulë e me firmë të partive që i përkasin. Lum dielli që na rrëzëllim e na ngroh të gjithëve së bashku! Universitetet shqiptare “private” me para të pista të qeveritarëve me ylberim jo natyror, ose të insipiruar dhe thithur “Surplus value” nga këto hijena të përdala të kombit shqiptar e që struken edhe tani në parajsën parlamentare nën ankthin shekspirian “do të më arrestojnë apo jo” – dhe ngrysen e agen me këtë simfoni rraskapitëse që edhe nën mbulesën tokësore dymetroshe kur të ikin nga kjo jetë do të skërmiten -prodhuan “universitarë” më shumë se SHBA për frymë popullsie. “Bosa” kompanish që në shqip duhet ti marrësh shqipëronjës. Universitetet janë vendet ku mësohet dija dhe përcillet shkenca nëpërmjet metodologjive bashkëkohore me subjekt dhe objekt qenien rinore të pasuruar me dije, kulturë e prosperitet mendor heterogjenik idesh. “Nëse universiteti arrin të bëhet një instrument i propogandës, kjo është tradhtia më e keqe” -thotë filozofi i famshëm gjerman Karl Jasper, njëri nga mendjet më të ndritura të historisë së filozofisë botërore. Tashmë në shkollat e larta do të shkojnë ato nxënës që e sosin shkollimin e mesëm me notë mesatare mbi shtatë. Por unë do të thoja mbi bazën e eksperiencave të mia të edukimit në arsim këtu e jashtë vendit si dhe do të sugjeroja për të ardhmen që për studimet e shkencave natyrore lëndët bazë si matematika, fizika, kimia dhe biologjia të vendoset nota minimale në gjimnaz shtatë ndërsa për drejtimet universitare të shkencave social -politike dhe ekonomike të vendoset në lëndët bazike po nota shtatë. Kështu mendoj – pa shterim të idesë që po përshfaq – do të kishim një realitet të dijes përafërsisht drejt të së vërtetës reale të vijimësisë edukuese në universitetet tona që jo pak vuajnë nga mosdija e jorealja. Se në SHBA, Britaninë e madhe, Gjermani, Japoni e gjetkë pranimi në universitete ka shkallë të tjera hirarkike të dijes së integruar, të “Integrating Thinking”, të punëve në grup, të “Brain Storming” së ideve, të vetëvlerësimit personal e grupor, të përgjegjësive që mbart, të konceptit të ndihmës përdhënëse individuale për komunitetin, të komunikimit, të shprehjes së mendimeve e koherencës logjike, të rrëfimit fantazor eseistik, membranive ideore etjerë e tjerë. Shumë studentë shqiptarë nuk pranohen në universitetet jo vetëm prestigjioze të botës. Ndërkohë që ka edhe shumë shqiptarë që natyrisht pranohen e madje fitojnë bursa. Më meritokratikët e vërtetë me formim të gjithanshëm. Në SHBA mund të jesh nxënës i dhjetave të plota porse nëse nuk ke automatizim dijesh nga ato të përmendura më lart nuk pranohesh si student as në mjekësi, as në ingjinjeri e gjetkë. Edhe universitetet shqiptare një ditë do të vendosin vetë mbi këto standarde të asetuara arsimore.

Në emër të delirit megalomanik që “të gjithë të shkojnë në universitete”, “të gjithë të diplomohen” se komunizmi na “la pa shkolla” dhe konceptin vrasanik “të arrijmë Europën e Gjermaninë anipse me koka të zbrazta” qeveritë e shkuara kanë bërë një dëm kolosal shumë më të zi se komunizmi duke krijuar turma të tëra rinore të papuna e turma të tëra kokëboshësh që kanë zënë administratat dhe s’ka buurrë nëne që i lëviz nga puna mbi bazën e ligjit famëkeq politik e militant i gjallë i “Nëpunësit civil”. Nota mesatare shtatë për pranim në universitet do të sjellë padyshim edhe prurje më të mëdha në shkollat e arsimit të mesëm profesional që janë në nivele të ulta krahasuar edhe me vendet ballkanike se as nuk mund të bëhet fjalë për vendet perëndimore europiane si Gjermania, Franca, Britania apo SHBA, Japoni etjerë ku rekrutimi i nxënësve në arsimin profesional shkon në nivelet 60 deri në 70% të numrit të përgjithshëm të nxënësve nga arsimi tetë apo nëntë-vjeçar. Sepse edhe prindërit shqiptarë nën efektin e këtij vendimi nuk do ti dërgojnë fëmijët e tyre me nivel të dobët në gjimnaz e në moshën 18 apo 19 vjeç të dalin pa asnjë zanat. Dhe natyrisht do t’i dërgojnë në arsimin profesional që realisht është një sistem i dobët pavarësisht nga disa përpjekje të fundit qeveritare në këto 18 muaj për ta inspiruar atë edhe me projekte të huaja e nisma referenciale e ligjore. Për ta forcuar atë. Natyrisht që edhe konkurenca e nxënësve në arsimin nëntë vjeçar dhe të mesëm do të rritet. Nuk po flas për plagët që ka marrë arsimi shqiptar – krahas arritjeve këto 23 vjet -por vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ndoshta është lajmi më i bukur dhe më progresues për shqiptarët në këto shumë vite.

  

SHKARKO APP