Rezistenca “e zbutur” serbe karshi pavarësisë
Kosova po shënon 7-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, por edhe pas 7 vjetësh, komuniteti serb në Kosovë ende mbetet komuniteti më refuzues dhe më rezistues përballë kësaj pavarësie dhe vet shtetit.
Përfaqësuesit e këtij komuniteti, pjesëmarrës dhe ish-pjesëmarrës në institucione të Kosovës, si dhe njohës serbë të zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se perceptimi negativ i komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës është rezultat i politikës që e bën komuniteti shumicë në Kosovë, shqiptarët dhe institucionet e vendit në përgjithësi.
Vladeta Kostiq, kryetar aktual i komunës së Graçanicës, i cili vjen nga Lista Serbe, që në Kuvendin e Kosovës ka 9 ulëse, ndërkohë që është e përfaqësuar edhe në ekzekutivin e vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë, thotë se “është ironike dhe e pashije” që të kërkohet nga serbët që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, përderisa, një pjesë e madhe e shumicës shqiptare nuk e përjetojnë me kënaqësi shtetin e Kosovës.
Kostiq vlerëson se kjo është e dukshme kur shqiptarët e Kosovës protestojnë apo festojnë dhe në duar kanë flamujt e shtetit të Shqipërisë dhe jo të Kosovës. Në anën tjetër, siç thotë ai, serbët kanë përvojë të keqe me institucionet e Kosovës..
“Në periudhën e kaluar kemi pasur përvojë të keqe, ku institucionet e Kosovës nuk u kanë dalë në mbrojtje të bashkësisë serbe. Natyrisht që kjo bashkësi nuk e ndjen se ato institucione si të tilla që mund t’i mbrojnë të drejtat e saj, madje as ato që janë të garantuara me ligje dhe kushtetutë”, tha Kostiq.
Petar Miletiq, ish-nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në mandatin e kaluar, nga Partia e Pavarur Liberale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se disponim i komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës mund të ndryshojë për të mirë në rast se shumica shqiptare dhe institucionet e Kosovës i ofrohet asaj në mënyrë kualitative.
Por, sipas tij, ende nuk ka shenja që liderët politik shqiptarë janë të gatshëm për një gjë të tillë.
“Serbët në Ksoovë ende nuk ndjehen si në vendin e tyre dhe aty duhet të kërkohen arsyet se pse ata po kundërshtojnë dhe pse nuk kanë qëndrim mbështetës ndaj këtij fakti”, tha Miletiq.
Mendim të ngjashëm ka edhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rangjel Nojkiq.
Sipas tij, qëndrimi i deritashëm refuzues i komunitetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës është i kuptueshëm.
Nojkiq shpreh mendimin se komuniteti serb ka një pozitë specifike dhe institucionet e Kosovës nuk kanë treguar mjaft gatishmëri për ta integruar këtë komunitet në mënyrën e duhur.
“Kur e them këtë, mendoje kemi specifika. Një pjesë e bashkësisë serbe, tash e një periudhë të gjatë është përfshirë në institucione. Por, përvoja në jug të vendit, në të vërtetë e ngadalëson procesin e integrimin e njerëzve në veri. Kështu që këto janë arsye se pse serbët reagojnë në këtë mënyrë. Kjo situatë mund të ndryshoj, por për këtë duhet treguar gatishmëri autoritetet në Prishtinë dhe problemet t’i zgjidh bashkë me komunitetin serb”, tha Nojkiq.
Në anën tjetër, disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës, thonë se nuk e shohin Kosovën si shtet edhe për komunitetin serb.
Ljubisha Jokiq, thotë se i vetmi shtet që e pranojnë si të vetin, është shteti i Serbisë.
“Në asnjë mënyrë nuk e pranojmë, përderisa shteti i Serbisë të mos na thotë se ne jemi nën shtetin e ashtuquajtur të tyre. Deri atëherë, sigurisht që jo”, tha Jokiq.
Marko Jakovljeviq, thotë se në veri të Kosovës, nuk vërehet shumë nëse qytetarët jetojnë në një Kosovë të pavarur apo në Serbi. Por, sipas tij, megjithatë, ekzistojnë momentet kur gjërat bëhet të dukshme dhe reale.
“Në veri, nuk ndjehet shumë, por kjo shihet në momentin kur nisesh për në Serbi. Kur e sheh kufirin dhe fillon kontrolli i automjeteve, e vëren këtë dhe është e pakëndshme. Unë, nuk e pranoj Kosovën si shtet, por nuk po e ndjej se këtu është Serbia”, tha Jakovljeviq.
Por, përderisa politikanët serbë janë ose kanë qenë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës, a do të thotë kjo që ata e kanë pranuar pavarësinë dhe vet shtetin e Kosovës?
Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiq e sheh në këtë mënyrë situatën:
“Për ne është parësore që t’i mbrojmë bashkësinë serbe dhe interesat e saj, në kuadër të ligjit dhe rregullave ligjore dhe ne ashtu edhe sillemi”, ka thënë Kostiq.
Petar Miletiq, thotë se duke qenë pjesë e institucioneve, ai kishte qenë i gatshëm të pranoj pushtetin e vendosur në Kosovë.
“Nuk është çështja te individi, se a e pranon ai pavarësinë e Kosovës apo jo, por thjeshtë, një grup etnik nuk ndjehet i mirëseardhur në atë pavarësi dhe kjo për mua është më problematike. Në qoftë se kjo ndryshon, atëherë secili individ do ta shihte me një sy tjetër pavarësinë”, tha Miletiq.
Ndryshe, Nojkiq, vlerëson se në kushtet e tanishme, komuniteti serb e ka të vështirë ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Por, sipas tij, kjo gjendje nuk do të thotë se nuk mund të ndryshohet.
“Në qoftë se shtendosen marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe në qoftë se këto të dyja i tejkalojnë mjaft pengesa, atëherë serbët do të sillen në atë mënyrë se si Beogradi do ta pranoj atë fakt dhe, fundja, gjithnjë e më pak do të flitet për një gjë të tillë”, tha Nojkiq.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, përfaqësuesit e komunitetit serb, kryesisht në pjesën qendrore të vendit, edhe pse nuk kanë deklaruar se e njohin shtetin e Kosovës, ata kanë qenë pjesë e institucioneve qendrore dhe lokale të saj.
Pas dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, edhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë bërë pjesë e institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës.