Babaramo ironizon kandidaturën e Ridvan Bodes
Në një shkrim të tij Ilir Babaramo, një nga analistët e paktë që kanë mbetur në tregun mediatik i pavarur, shkruan sot në lidhje me propozimin Edi Ramës për Ridvan Boden si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ja se ç’shkruan Babaramo, ndër të tjera:
“Në mënyrë krejt të çuditshme, propozimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të PD dhe ministrit më jetëgjatë të saj si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë nga qeveria Rama, është perceptuar gati-gati si një befasi e jashtëzakonshme. S’ka asgjë për çuditur. Është propozimi më i natyrshëm. Madje është vendimi më domethënës i politikës këto dhjetë vitet e fundit. Është vetë emblema që shpjegon si funksionon politika dhe ekonomia bashkë.
Nëse shikon komentet që bëhen nëpër portale opinioni është ndarë në dy pjesë. Opozita e opozitës sulmon Bashën se e ka katandisur PD-në në atë derexhe sa Rama ishte aq i zoti sa arriti të bëjë për vete vetëm me një sms vetë “papën” e financave shqiptare. Pjesa tjetër e shikon si një blerje kali të ngordhur nga ata që shiteshin dikur në Pazarin e Vjetër të Korçës.
Për hir të vërtetës duhet thënë se Bode ka qenë një nga njerëzit më të pushtetshëm, ndoshta më i pushtetshmi pas Berishës gjatë qeverisjes së dytë të tij. Po s’duhet të ngatërrojmë pushtetin me dijen. Dija është pushtet , por pushteti jo domosdoshmërisht të bën të ditur.
Pa hyrë në shkaqet okulte që kanë, as tifozët më të flaktë të Bodes nuk mund të gjejnë dy rreshta të shkruara prej tij. Bode kurrë nuk ka shkruar. Bode vetëm ka firmosur. Trajektorja e suksesit të tij është ajo e një punonjësi mediokër partie. Megjithatë arriti të bëhet njeriu i dytë më i pushtetshëm në vend duke e nisur karrierën nga një llogaritar koperative diku në fshatrat e thella të Librazhdit. Arriti të kontrollojë për tetë vjet rresht ekonominë e vendit pasi kishte qenë në vendin e duhur në kohën e duhur.
Momentumi tij ishte viti 1997, viti kur në selinë e PD , i vetmi që kishte ngelur që kuptonte nga financat pak më shumë se Izeti ishte pikërisht Bode. i vetmi edukim profesional i tij ishte Instituti Bujqësor i Kamzës.
Çfarë ndodhi më pas dihet. Portreti i Bodes është i qartë për të gjithë. Grykësia dhe harbutëria e tij në komunikim të kujton atë fshatarin e filmit “Përballimi” që duke ushqyer lopën me grurë hungërrinte : na Liza na… ha Liza ha… më mirë ti Liza se ata. Megjithatë klientët e tij u përpoqën të krijojnë idenë për gati një gjeni të financave….”
KOHA JONË SONDAZH

