Rikthim në realitet për Greqinë

Nga Qiriakos Micotaqis*

Ndërkohë që vazhdoja studimet në universitet, isha i shqetësuar me pyetjen se si partitë politike përdornin çështjet e politikës së jashtme për të ndikuar në audiencat brenda vendit. Madje edhe teza ime e diplomës, që më pas u shndërrua në libër, përqendrohej në mënyrën se si udhëheqësi grek, Andreas Papandreu merrej me çështjen e bazave ushtarake amerikane në Greqi, në vitet 1980. Cmontimi i bazave ushtarake amerikane, nën sloganin “Jashtë bazat e vdekjes”, ishte kryefjala e fushatës së zgjedhjes së PASOK-ut, parti e cila udhëhoqi Greqinë në vitet 1970 dhe 1980, dhe u gjend në mesin e llojit të veçantë të populizmit nacionalist që Andreas Papandreu e mishëroi me sukses. Me ngjitjen në pushtet të PASOK-ut, partisë iu kërkua që të manovronte ndërmjet premtimeve të saj jorealistë gjatë fushatës, dhe realiteteve të vështirë gjeopolitikë, që e bënin të pamundur heqjen e bazave. Zgjidhja iu dorëzua realiteteve politikë të situatës së kohës. Bazat ushtarake mbetën, por formulimi i marrëveshjes u bë në mënyrë të tillë që Andreas të pretendonte se ato po largoheshin! Të gjithë armët që qeveria kishte në negociata u përdorën për të vënë në zbatim këtë shfaqje, me qëllim që Andreas të mundej t’ua shiste marrëveshjen mbështetësve të tij politikë. Kontrolli i plotë mbi median, bashkë me një opinion publik të dëshpëruar për një ndjesi pavarësie kombëtare, e bënë edhe më të lehtë menaxhimin e këtij largimi nga premtimi.

A ju tingëllon e njohur kjo histori? SYRIZA e përdori anulimin e borxhit, “grisjen” e Memorandumit dhe dëbimin e Trojkës si sloganet e vet kryesorë gjatë zgjedhjeve. Të gjithë lëvizjet populiste kanë nevojë për një armik të përbashkët, me qëllim që të jenë në gjendje të bashkojnë audiencat e ndryshme. Për SYRIZA-n, Memorandumi dhe dominimi gjerman në Europë simbolizonin pikërisht atë që bazat ushtarake dhe hegjemonia amerikane ishin për Andreas Papandreun. Kalimi në realitetin politik ndodhi shumë shpejt për SYRIZA-n. Pasi kuptoi se ishte e pamundur që vendi të dilte jashtë kuadrit europian, pa patur pasoja të rënda, qeveria kërkoi një zgjatje të programit ekzistues për katër muaj, deri kur të përfundojë programi i mbetur pezull i vlerësimit. Kjo do të pasohet nga parashtrimi prej qeverisë greke i versionit të saj në lidhje me forcën dhe shanset e suksesit të ekonomisë së Greqisë. Në këto lloj situatash, fjalët fillojnë të marrin kuptime specialë. “Trojka” mori emrin “Institucionet” dhe “Memorandumi” tani quhet “Programi”, ndërkohë që “parakushtet” tashmë quhen “plani kombëtar i reformave”. Por thelbi i këtyre gjërave nuk ka ndyrshuar. Greqia duhet të implementojë veprime specifikë që do të kontrollohen prej huadhënësve të saj, me qëllim që të marrë paratë që aq shumë i nevojiten. Vetëm kur këta njerëz të jenë të kënaqur se veprimet e qeverisë nuk po vënë në rrezik shëndetin fiskal të vendit dhe nuk po dëmtojnë ato reforma që janë përfunduar tashmë, atëherë ata do të lëvrojnë transhet e mbetur të programit.

 

E vërteta është se qeveria ka humbur kohë të vyer dhe ka dëmtuar besueshmërinë e vendit në sytë e Europës, të gjitha në një përpjekje për të justifikuar kthimin e vështirë në realitet para audiencave brenda vendit. Mbajtja e kollareve të pashtrënguara dhe këmishave të pambërthyera është mirë, por besimi nuk ndërtohet në familjen e Europës përmes nxjerrjes së informacioneve dhe të folurës me dy kuptime, të gjitha këto për t’i treguar zgjedhësve brenda vendit se sa fort po negocion. Edhe anëtari me më shumë përvojë i të majtës, Manolis Glezos, menjëherë vuri re përpjekjen e qeverisë “për ta ripagëzuar peshkun në mish”. Tani që po nis huaja, ajo frazë ka shumë kuptim.

E vërteta është se qeveria humbi një shans të madh. Europa, më shumë se kurrë, ka nevojë për një alternativë bindëse për t’iu kundërvënë këmbënguljes së Gjermanisë për programin e kursimit. Tsiprasi mund të kish qenë në një pozicion për ta ofruar atë alternativë, nëse nuk do të kishte dobësuar vetveten gjatë fushatës, me goditjet retorike apo nëse do të kishte kërkuar menjëherë një zgjatje të programit ekzistues. Në vend të kësaj, ai vendosi të marrë pjesë në një “stërvitje boksi”, me qëllim që të kënaqte publikun grek. Theksi duhej të ishte vënë në një program strukturor me tre kolona: reduktimin e borxhit përmes ndryshimeve të orientuar, reduktimin e targeteve të tepricës buxhetore paarsyeshmërisht të lartë dhe implementimin e një programi gjithëpërfshirës reformash, për të përmirësuar konkurueshmërinë e ekonomisë reale. Problemi është se të gjithë këto bien drejtpërdrejtë ndesh me premtimet paraelektorale të SYRIZA-s dhe pritshmërive që ato shkaktuan në publik. Pikërisht këtë bëri Papandreu i parë, ndonëse ai kishte kontrollin e plotë të PASOK-ut dhe shumë para në dispozicion. Fatkeqësisht, retorika e fortë gjatë fushatave do të vazhdojë të ndjekë partitë politike, edhe kur ato të vijnë në pushtet. Ne në opozitë bëjmë mirë gjithashtu ta mbajmë mend këtë gjë, me qëllim që një ditë të mos e gjejmë veten në pozicionin ku na duhet të praktikojmë një gjimnastikë të tillë verbale.

*Deputet, Demokracia e Re. (Huffington Post) Bota.al

SHKARKO APP