Rikthimi i një fotoje të shkuar

 

Nga Skënder Minxhozi/

Diku në lajme, gjatë ditës së sotme, u shfaq një koment që thoshte pak a shumë se “Shqipëria është tokë e mallkuar për çekët”. E vërtetë, duket si një histori e errët vrasjesh e zhdukjesh, e cila prek ndër vite vetëm turistët çekë, të cilët ndodhen thuajse gjithmonë në mes të Alpeve të Veriut. Një skenar i denjë për filmat horror të Hillovudit, që mbushin me shumicë kinematë në çdo kohë të vitit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Çifti i të dashuruarve Michal Svatos dhe Anna Kosinova kanë humbur jetën në një akt makabër vrasjeje, prej personash që mbeten anonimë vetëm nga gjeneralitetet, por jo nga egërsia e gjestit. Kriminelët e kanë lënë “firmën”e tyre në plumbat e kallashnikovit mbi trupin e makinës, në mënyrën e pashpirt të vrasjes me plumb pas koke dhe në të gjitha detajet e tjera të këtij krimi që trondit një zonë që është ndër më të bukurat në Shqipëri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Që prej vitit të largët 2001, duket se ka një mallkim që i ndjek turistët çekë në ato bjeshkë të Veriut. Katër studentë u zhdukën në atë vit, për t’u pasuar më vonë nga të tjerë turistë që vinin nga ky shtet, e humbnin jetën në rrethana të errëta. Vrasja e çiftit çek ka tronditur rëndë opinioni publik shqiptar. Është një nga ato histori që krijojnë një kumbim të fortë, në mes të një qetësie verore, e që sensibilizojnë të gjithë ata (dhe janë të shumtë) që ndjekin aktualitetin përmes mediave. Akte të tilla barbare rikthejnë natyrshëm, instiktivisht, temën e dënimit me vdekje, që shoqëria shqiptare nuk e ka hequr thuajse kurrë nga diskutimi popullor e informal, në dy dekadat e fundit.

Refleksi më i zakonshëm i njerëzve që pyeten në rrugë ose kudo tjetër, lidhur me ngjarje të tilla tragjike, është ai i rikthimit të dënimit me vdekje. Shqipëria e ka pranuar heqjen e dënimit me vdekje, njëzet vjet më parë, për procedurë, në rrugën e afrimit drejt një Europe që nuk e lejon këtë lloj ndëshkimi, për shkak të konstitucionit të saj historik, kulturor e fetar. Por tek ne, që me dënimin me vdekje kemi jetuar mbi 40 vjet në kohën e diktaturës, duke u përballur më pas me kaosin e tranzicionit, tundimi i rikthimit të dënimit kapital bëhet shpesh i fortë. Siç është edhe rasti i mbrëmshëm, kur dy turistë të huaj u vranë pa asnjë shkak, nga kriminelë rruge, në një cep të Shqipërisë së Veriut.

I gjithë ky debat për dënimin me vdekje, projekton një imazh në ndërgjegjen popullore: atë të dy vëllezërve të varur Çuko, nga fshati Libofshë, dy të dënuarit e fundit me vdekje në Shqipëri, në 25 qershorin e largët të vitit 1992. Sa herë të dëgjojmë makabritete si ai i mbrëmshmi, kjo foto që po botojmë, do të rikthehet në mënyrë të pashmangshme, si një mallkim i një kohe të shkuar, që përsërit vetveten. 

javanews.al

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?