Robert Shuman, një biografi për “Babain e Europës”

 

Vjen në shqip libri i Rëne Lëzhën për njeriun që ideoi Bashkimin Europian

Robert Shuman është ideatori i Europës së Bashkuar. Njeriu që hodhi themelet e një koncepti të ri për funksionimin e kontinentit me të drejtë cilësohet si “Babai i Europës”. Profili i një figure poliedrike, politikan klasi dhe vizionar si askush në epokën e tij, vjen për lexuesin shqiptar në një autobiografi të shkuar nga Rëne Lëzhën dhe të përkthyer me mjeshtëri nga Pëllumb Nako. Libri “Robert Shuman, Babai i Europës”, do të jetë në duart e lexuesve në muajin qershor nga shtëpia botuese “UEGEN”. Gazeta boton një pjesë nga libri që sjellë në mënyrë të koncentruar historinë e BE, por edhe kriteret dhe filozofinë që mundësuan realizimin e këtij projekti. Përveç kërshërisë për të mësuar më shumë nga jeta e një njeriu dhe politikani të madh, libri është një mënyrë për të kuptuar më mirë organizatën ku Shqipëri dëshiron të jetë pjesë. Mbi të gjitha, për të mësuar më shumë mbi parimet dhe shtyllat kryesore ku mbështetet shoqëria europiane.

 

 

Pjesë nga biografia për Robert Shuman

 

Lindja e Europës së Bashkuar

 

Ai 9 maj i vitit 1950 e nxori Robert Shumanin, Ministër Francez i Punëve të Jashtme, në krye të skenës botërore. Ndërkohë, vetë jeta e tij kapi zenithin. Atë ditë filloi të trupëzohej e vetmja ide politike pjellore e shekullit të XX. Robert Shumani, ftoi solemnisht kombet demokratike europiane që me vullnetin e tyre të lirë të bashkoheshin me qëllim që së bashku të ndërtonin “një fat të përbashkët”të paparë në histori. Gjashtë vende iu përgjigjën thirrjes. Historianët ranë dakord për ta datuar këtë ditë si lindjen e Europës së Bashkuar. 9 maj 1950, në historinë e Europës u hap një kapitull i ri. Ndoshta edhe në historinë botërore.

Si u arrit në këtë ngjarje historike? Të shtunën më 29 prill 1950, Robert Shumani hipi në trenin që nisej nga Metzi për në stacionin e Lindjes në Paris. Në çantën e tij të madhe me ngjyrë të zezë, ndodhej një dokument misterioz, profetik për nga përmbajtja, i frikshëm për nga guximi. Në të propozohej që prodhimi i karbonit dhe çelikut në Francë e Gjermani të vendosej “nën një autoritet të lartë të përbashkët, në një organizatë të hapur për pjesëmarrje edhe të vendeve të tjera të Europës”. Dokumentin ia kishte dhënë disa orë më parë, Bernar Klapie, drejtori i tij i kabinetit në Ke d’Orsej. ( Ke d’Orsej: Emërtim i Minstrisë së Jashtme Franceze sipas vendodhjes së saj në Paris.Shënim i përkthyesit).

 Dokumenti përmbante edhe shërbime të Zhan Monesë, Komisar i përgjithshëm i planifikimit.

Që prej shumë kohësh, Robert Shumani ishte në kërkim të një instrumenti që do të mundësonte joshjen e bashkimit të vendeve të Europës Perëndimore. Një formulë pragmatike. Në majin e vitit 1949 i kishte thënë Pier-Henri Tetzhenit, ministër shteti: “Ajo që duhet bërë është ndërtimi i diçkaje rreth një bashkimi franko-gjerman. Gjetja e një sistemi në të cilin të mos angazhojmë vetëm fjalët, por dhe interesat tona”. Projekti i Zhan Monesë i përgjigjej këtij preokupimi pikë për pikë. Në të vërtetë ai plotësonte pritjen aq të gjatë të Robert Shumanit. Sa pengesa për t’u kaluar! Në Parlament, golistët dhe komunistët, të cilëve iu ishin bashkuar edhe nacionalistët e përhapur në gjithë spektrin politik, kundërshtonin me forcë çdo ide të bashkimit me Gjermaninë, vetëm pesë vjet pas tmerrit nazist, dhe akoma më shumë, kundër çdo lloj lëshimi të sovranitetit. Në qeveri, forca armiqësore kundrejt çdo risie të kësaj natyre, pa dyshim që do ta siluronin projektin. Po ashtu, në industri, zotët e furrënaltave do ta hidhnin poshtë me lemeri një kërcënim të tillë kaq të rëndë, me mundësinë e vënjes në pikëpyetje të mbijetesës së tyre afatgjatë.

 

 

Pranverë në Europë ?

 

Gjatë së dielës së 30 prillit 1959, mendimet e Robert Shumanit u kthyen në ëndërrim; atje në banesën e tij në qoshe të malit Shën-Kenten. Pemët frutore, rreshtuar si gardh, lulëzonin në kopshtin e tij. Poshtë në luginë, Mozela rridhte e qetë sikur dëshironte të nxirrte në pah shenja bashkimi ndërmjet Francës, Luksemburgut dhe Gjermanisë. Lum – simbol i një vepre paqësore që kishte mbirë ende në vetëm disa shpirtra të guximshëm. Dielli pranveror kishte përmbytur peizazhin baritor. Burri i shtetit nga Lorrena e donte vetminë e Si- Shazelit. Ajo i ushqente mendimin, e ndihmonte të vendosej në një perspektivë universale, e zakonshme kjo për besimin e tij kristian; në përfytyrimin e pavdekshmërisë që relativizon gjërat, duke shtyrë tërësisht përpara ato që kontribuojnë në paqen e shpirtrave, sipas vullnetit të popujve. Pikërisht, atë 30 prill, kisha festonte Katerinën e Sienës, një shenjt të cilin ai e donte dhe nga i cili meditonte hera herës Dialogun e mrekullueshëm. Me shpirtin e saj te zjarrtë , Katerina bëri një betejë plot pasion për bashkimin e kristianëve. Domethënë, gjatë shekullit të XIV, bashkimin e Europës nën dritën e Krishtit. Në lutjet e saj, Robert Shumani arriti te shihte bashkimin e shenjtëve, atë të botës së dukshme dhe të Perandorisë së padukshme të qiejve. Sipas zakonit, në mëngjes, ai merrte pjesë në faljet e anës tjetër të fshatit të vogël që kufizonte banesën e tij, në kishën e motrave Servantes të Zemrës së Jezusit, vendi ky ku gjente forcat. Përgjatë gjithë ditës, u zhyt në një mendim intensiv rreth projektit të Zhan Monesë, ia nënshtroi një analize të rreptë, e zakonshme kjo për shpirtin e tij fort të formuar nga tomizmi.  (Tomizmi : tërësi doktrinash teologjike dhe filozofike të Shën Thomait të Akuinit dhe të pasuesëve të tij. Shën.i përkthyesit)

Përgatiti një strategji për ta realizuar këtë objektiv në realitetin pickues të politikës.

Ideja erdhi në momentin e duhur. Robert Shumani ndiqej këmba këmbës nga skadimi i kohës. Në shtatorin e vitit 1949, Dan Akeson, Sekretar i Shtetit Amerikan, dhe Ernest Bevin, Sekretar i Ministrisë së Jashtme në Londër e kishin ngarkuar të përpunonte një plan për riintegrimin e Gjermanisë Federale në familjen e kombeve të lira. Surpriza ishte e këndshme. Mision ky i besuar në sajë të vlerësimit dhe miqësisë së treguar nga Dan Akeson. Bevini do të demostronte vullnet të keq karshi propozimit të papritur të homologut të tij amerikan. Dhe në 10 maj të tre ministrat e jashtëm do të duhej të takoheshin në Londër. Shumanit i kishin ngelur dhjetë ditë për të vepruar dhe konkluduar brenda qeverisë. I ishte dashur të luante shumë fort, të dredhonte ndërmjet shkëmbinjve të shumtë kundrejt të cilëve ëndrra që mbante brenda vetes që prej shumë kohësh, rrezikonte të përplasej e thyhej copash. Ëndërr e bukur, boll e vjetër. Ai solli në kujtesë se si në vitet njëzet, u dakordësua në harmoni të plotë me “frymën e Gjenevës”, mishëruar nga Aristid Brian, paraardhësi i tij i largët i Ke D’Orsej-it. Iu kujtua rreshtimi pa rezerva në përkrahjen e idesë së “Bashkimit Federal Europian” propozuar nga vetë Briani në 1930. Rikaloi në kujtesë diskutimet e gjata plot zjarr që kishte bërë vetë gjatë ditëve më të zeza të luftës, në prani të miqve të tij të habitur, në favor të bashkimit të Europës perëndimore që duhej ndërmarrë që të nesërmen e konfliktit, mbi rrënojat e grumbulluara nga ideologjitë vrastare.

 

Dinakëria në politikë

Gjatë lindjes së deklaratës së 9 majit 1950, nuk pushoi së dredhuari, së manovruari, së fshehuri: ai shpalosi një strategji karakterizuar nga kthesa, bërryla, dhelpëri. Përballë Këshillit të Ministrave të 3 majit u shtir sikur projekti nuk kishte rëndësi. Me Rene Mejerin dhe Rene Plevenin, komplotoi me tërë kuptimin e fjalës; ndërhyrja e tyre në favor të projektit gjatë mbledhjes së këshillit të ministrave të 9 majit duhej të dukej si tërësisht spontane. Vetë ai, projektin ia kishte shfaqur vetëm tre vetave megjithëse e dinte shumë mirë se bëhej fjalë për një iniciativë politike të një rëndësie të veçantë. A nuk vinte kështu në jetë ai këshillën e Makiavelit: nëse në politikë kërkon të fitosh, duhet të shtiresh, të maskohesh? Pa dyshim po, por me një ndryshim thelbësor, për fiorentinasin politika është autonome në raport me etikën. Qëllimi justifikon mjetin. Gjithë mjetet, duke përfshirë edhe vrasjen e një kundërshtari bezdisës.

Tërësisht ndryshe, Robert Shumani, ndiqte një objektiv me vlerë shumë të lartë politike dhe morale: bashkimin e kombeve dikur armiq të njëri-tjetrit me qëllim përforcimin e paqes, madje për të bërë tërësisht të pamundur çdo luftë ndërmjet tyre. Këtë ideal e kishte brenda vetes që nga koha e rinisë. Dhe ja që disa rrethana qiellore e kthyen në zot të një projekti të kësaj natyre. Ai e dinte që ideja e një autoriteti vendimmarrës, transferimi i sovranitetit do t’i ngrinte qimet përpjetë një numri të madh personash në qeveri, në parlament, në industritë e interesuara, ide kjo rënduar nga ajo e një bashkësie franko- gjermane, vetëm pesë vjet pas tmerrit nazist. Shpalosja e këtij projekti përballë këtyre instancave, që në premisat e para do të ishte me siguri të plotë i barazvlershëm me përfundim të dhimbshëm. Për rrjedhim ai ishte i detyruar të dredhonte, por pa përdorur , as më të voglën hile të pandershme. Qëllimi justifikon mjetet. Me kusht që qëllimi t’i përgjigjet kërkesave të kohës dhe që mjetet të jenë moralisht të justifikueshme. Dredhia e përjashton shpifjen.

“ Nuk duhet gënjyer kurrë, as në politikë”, thoshte Robert Shumani. Frymëzimin e gjente në Shkrimet e Shenjta. Këtu pozitën e kishte solide. “ Ja që unë, po ju dërgoj si qëngja në mes të ujqërve: jini pra dredharakë si gjarpëri dhe të padjallëzuar si pëllumbat”. (MT.10.16) Përsa i përket fshehjes së qëllimit fisnik, dikujt i cili është ende i pazotë për ta kuptuar dhe përballuar, ai mund të bazohej edhe tek Jezusi i cili në takimin suprem para Pasionit (Passion: quhet e djela e cila paraprin Pashkët.shënim i përkthyesit) u thotë apostujve: “Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë, por ju nuk jeni ende gati t’i përballoni”(Jn, 16,12)

Dredhia në politikë? Pa dredhi nuk do të kishte një deklaratë në 9 maj 1950. Dhe ndoshta as Bashkim Europian pa strategjitë e përdorura nga Robert Shumani e Zhan Moneja përgjatë dhjetë ditëve që paraprinë atë 9 maj të 1950-ës që historia e mban si ditën e lindjes së Europës së Bashkuar.

 

 

Dhe ja që i takoi atij misioni i papritur për të vënë gurin e parë në ndërtesën e përbashkët europiane. Nuk ka as dyshimin më të vogël se një Fuqi e Mbinatyrshme i hapi edhe një herë një portë mahnitëse. Që prej shumë kohësh ishte i vetëdijshëm dhe nga vetja kërkonte të ishte “instrument»: “Të gjithë ne jemi, thoshte ai, instrumenta aspak perfekt të një Fuqie të Mbinatyrshme që na përdor në plotësimin e qëllimeve që na tejkalojnë».

Gjatë asaj të diele në Si-Shazel, brenda tij po zhvillohej gjithmonë e më shumë, dora dorës me paraqitjen e analizës së projktit, vendosmëria për të vënë në shërbim eksperiencën e vjetër politike, atë të ingranazheve të Shtetit, dhe akoma më shumë atë të njerëzve, të dobësive e të pasioneve të tyre të ndryshueshme.

Koha nxitonte. Kur në Metz mori trenin për në Paris, të hënën më 1 maj 1950, vendosmëria e tij u bë e patundshme. Në betejë do të hidhej më shumë shkathtësi dhe me dozën e duhur të dhelpërisë, fati i saj do të vuloste historinë e kontinentit të vjetër. Aksioni energjik të cilin Robert Shumani do realizonte përgjatë nëntë ditëve në vazhdim, do të përbënte një rast leksioni të vërtetë dhe shumë interesant. Duke zbritur nga treni në Paris, Ministri i tha drejtorit të tij të kabinetit që kishte dalë për ta pritur në stacionin e Lindjes : “Shënimi ishte interesant. Do ta kthej në çështjen time».

 

 

 

 

 

“Një nismë revolucionare”

 

Erdhi dhe dita e caktuar nga fati. Këshilli i Ministrave u mblodh në mëngjesin e nëntë majit, nën drejtimin e Zhorzh Bido-së. Në fund të muajit prill, Zhan Moneja i kishte dorëzuar këtij të fundit notën, më parë se ajo të binte në duart e Robert Shumanit. Duke mos pasur kohë për t’u njohur me të, Bidoja e kishte vënë në sirtar. Zoti qoftë lëvduar. Do ta kishte vrarë që në embrion këtë joshje për Europë të Bashkuar. Interesi i tij ishte i përqendruar mbi një ndërtim tërësisht ndryshe. Në 16 prillin paraardhës – vetëm tre javë para 9 majit -, Zhorzh Bido, me cilësinë e shefit të qeverisë, kishte shpalosur në Lion projektin e krijimit të një Këshilli të Lartë Atlantik. Projekti i tij duke mos bërë fjalë vetëm për mbrojtjen e botës së lirë, parashikonte gjithashtu koordinimin ekonomik. Formulë e vjetër e marrëveshjeve ndërkombëtare. Koordinoheshin interesa, por që nuk pasoheshin nga masa integruese ashtu siç propozonte nisma Shuman-Mone. Në 8 maj, në vigjilje të Deklaratës, Minsitri e Punëve të Jashtme dhe Komisari i Përgjithshëm për Planin u përpoqën më kotë të hynin në kontakt me Bidonë për ta njohur me përmbajtjen e nismës. E pamundur; shefi i qeverisë shumë i zënë. Pengesë kjo patjeter hyjnore. Zhorzh Bidoja do ta bllokonte projektin, ose të paktën do ta shtynte për më vonë. Për idetë e mëdha, njëlloj si për fluturën që del nga krizalida, nuk ka veçse një moment për të fluturuar. Pas disa javëve do të fillonte lufta e Koresë në të cilën do të implikoheshin edhe Kombet e Bashkuara. Vëmendja e Europës do të përqëndrohej në horizonte të tjera sfidash.

Rendi i ditës i Këshillit të Ministrave të 9 majit 1950, parashikonte si pikë të fundit, projektin Robert Shumanit. Ky i fundit ia arriti që diskutimi i tij në Këshill të figuronte në këtë moment me qëllim pengimin e zvarritjes së debateve me afrimin e mesditës. Gjithashtu për t’i lënë kohën e duhur kancelarit gjerman Konrad Adenhaur të reagonte ndaj kësaj nisme, para se të mbaronte mbledhja e këshillit te Minsitrave në Paris.

Robert Shumani kishte dërguar në Bon bashkëpunëtorin e tij Misshliq me një zarf urgjent për t’ia dhënë në dorë Kancelarit Adenhaur në mëngjesin e nëntë majit. Ky i fundit ishte në Këshillin e Qeverisë kur zarfi iu dha në dorë. Qeveria federale diskutonte, pikërisht në atë moment, aderimin e Gjermanisë Federale në Këshillin e Europës. Kancelari ndërpreu diskutimet për tu njohur me përmbajtjen e letrës “ urgjente ” të mikut të tij Robert Shuman. Gjithë duke e lexuar, pati përshtypjen se “ portat e dritës po hapeshin mbi një ëndërr të vjetër, arratisur thellë në zemrën e tij ». E lexoi projektin e vënies bashkë të prodhimit të karbonit dhe çelikut të dy vendeve që dje ishin ende “ armiq të përjetshëm ». Me të njëjtën mënyrë, me shpejtësi të ethshme lexoi edhe letrën personale të Robert Shumanit. Ky i fundit insistonte se qëllimi i propozimit të tij nuk ishte në asnjë mënyrë i një natyre vetëm ekonomike; ai përbënte vetëm një etapë të parë drejt krijimit të një federate të shteteve europiane. Propozimi kishte një objektiv qartësisht politik.

Konrad Adenhaur do të ngazëllehej. Kriza po e mbante të mbërthyer Francën dhe Gjermaninë për shkak të Ruhrit dhe Sarrës. Edhe Robert Shumani ishte akoma peng i politikës franceze të kundërshtimit të rilindjes së Gjermanisë. Por në tetor 1949, ai i kishte kërkuar konfidecianlisht mikut të tij Konrad Adenhauer t’i jepte kohën e duhur për t’i ndërruar rrjedhën kësaj politike duke e tejkaluar atë me nisma të reja. Adenhaueri, i zgjedhur kancelar vetëm prej 19 shtatorit 1949, më pak se tetë muaj – në politikën e tij kishte marrë në konsideratë afërsinë e Minsitrit të Jashtëm francez. Edhe vete ai i shumëfishoi nismat me qëllim kontributin, së paku në mendim, në zgjidhjen e krizës. Në këtë kontekst në 19 janar 1950, ai propozoi që prodhimi industrial i Sarrës të ndërkombëtarizohej. Në 21 mars 1950 shkoi akoma më larg: propozoi me guxim një bashkim tërësor të Gjermanisë dhe Francës. Kjo ofertë ra në vesh të shurdhër. Kujtimi për Gjermaninë naziste ishte fort i gjallë dhe i dhimbshëm në kujtesën kolektive franceze. Një nismë bashkimi apo integrimi ndërmjet dy vendeve mund të vinte vetëm nga Franca.

Dokumenti që kancelari po mbante në dorë atë 9 maj të vitit 1950, i përgjigjej kësaj kërkese. Atë priste. I korrespondonte shkëmbimeve që kishte pasur shumë herë me Robert Shumanin, nëse jo në letër, të paktën në mendim.

Pas disa mendimeve në Këshillin qeveritar, Konrad Adenhaueri i transmetoi pa rezerva dakortësinë e tij Shumanit nëpërmjet këtyre fjalëve : “ E aprovoj me gjithë zemër propozimin tuaj ».

Që mos të harrohet: fjala “ zemër “është shkruar në themel të veprës europiane. Të ndërtosh Europën është një aventurë më shumë e zemrës sesa një çështje ekonomike. Kjo aventurë e madhe është në rendin e civilizimit, ky i fundit i rrënjosur tek kristianizmi. Nga 9 maji 1950, kancelari Adenhauer, edhe ai një kristian i zjarrtë, do të shkruante në kujtimet e tij: “ 9 maj 1950 është dita më e bukur e jetës sime ”.

 

 

Ka profetizem politik?

Profeti ? Një burrë-ose dhe një grua- që flet në “ vënd të zotit “për ti komunikuar popullit kuptimin e së ardhmes ; ngjarjet e së ardhmes ; ai i njofton ato vetëm në raste të jashtëzakonshme. I tregon popullit dhe shefave të tij rrugën që duhet të marrin, reformat që duhet të imponojnë me synimin për ti qëndruar besnik Zotit. Në këtë mënyre ai i bën thirrje bashkëbisedimit të brëndshëm. Jeta e përgatit për misionin e tij. Profeti është një qënie tërësisht dorëzuar zotit në përmbushjen e misonit të tij. Me zërin dhe aksionin e tij, Zoti bën me njohje popullin për fatin , për planin e dashurisë për njerëzit. Në testamentin e vjetër, ndodh që profeti ti thotë popullit dhe shefave të tij në se politika në të cilën ata jane angazhuar është në përputhje ose jo me vullnetin e zotit. Profetizmi politik është pohuar nga Natani, Elize, Jeronimi dhe sidomos Isai. Origjinaliteti i profetit manifestohet nëpërmjet jetës, besimit dhe dorëzimi në duart e zotit. Profeti është lidhur ngushtë me zotin ne histori dhe me popujt në ecje. Historia është njëkohësisht projekt i zotit dhe ndërtim i përgjegjshëm i njerëzve.

A ka profetizëm në kohën tonë? Të thirrur për të qënë “drita e botes”, kristianët ushtrojnë domosdoshmërisht një autoritet profetizmi në gjirin e kishës dhe të botës. Apostulli Pal e nënvizon rëndësinë: Shpresoni në dhuratën nga shpirti, sidomos nga profecia.

Ushqyer me përpshpirtjen dhe dorëzimin tek zoti, instrumenit i të cilit është besimtari , Robert Shumani në 9 maj 1950 vendosi një akt profetik madhor. Projekti komunitar që ai propozoi ishte një vepër paqeje për Europën. Dhe është “ solidariteti universal i së ardhmes që sipas fjalëve tij Europa e bashkuar parashikon. Jeta e tij duket se ka qënë përgatitje për një rol vendimtar në urgjencën e komunitetit të parë të popujve bashkuar lirshëm në histori.

Fjala profet rrjedh nga greqishtja “pro” (në vënd të, në emër të) dhe “phemi” (flas). Profeti flet në emër të zotit.

 

SHKARKO APP