Robert Shuman, romantiku shpirttrazuar i muzikës klasike

Albert Vataj

“E gjithë jeta ime ka qenë një rrëmujë e vërtetë, në fillim mes poezisë dhe prozës, ndërsa tani mes muzikës dhe drejtësisë”, kësisoj i shkruan së ëmës, Robert Shuman, e cila në ngasjen për muzikën, ngulmoi më fort që i biri të ishte një muzikant, ndryshe nga dëshirimet e të atit, August Schumann, i cili ishte një shkrimtar i dëgjuar, gëzonte një emër të vlerësuar si përkthyes dhe zotëronte një bibliotekë të pasur.

Nëpër këtë shteg mëdyshjesh dhe hutimi, rrëmuje dhe vërshimesh, u ngiz Robert Shuman, kompozitori romantik gjerman, ndër më të njohurit e shekullit të XIX, i cili u lind më 8 qershor të 1810.

“Brezat e ardhshëm do ta quajnë shekullin e XIX-të “periudhë të Shumanit”. Kështu mendonte Pjotër Çaikovskij, njëri nga adhuruesit më të flaktë të romantikut të shquar gjerman, Robert Shuman.

Nistorja e një gjeniu

Në fëmijëri Robert Shuman ëndërroi një karierë si pianist virtuoz dhe për këtë filloi studimet për piano me Friedrich Wieck. Por një dëmtim në dorë, i shuan mizorisht shpresat e Shumanit, pianist. Së këndejmi ai hedh vështrimin drejt kompozimit, duke u lidhur përgjithmonë me muzika, duke dëshmuar kështu afrinë e tij me ëmën dhw wndrrwn e saj pwr rrugëtimin e tw birit nw Odisenw e muzikws.

Kur ai ishte vetëm 7 vjeç, hodhi për spariherë kumtin në pentagram, duke shënjuar hapin fillimor në rrugën e gjatë të amshimit. Vitet dhe mosha në të rendur do të rrëmbenin krejt këtë shpirt ëndjesh për muzikën, për t’u dhënë i gjithi këtij arti magjik, këtij atributi hyjnor të njeriut. Admirimi për Bethoven, Shubert, Mendehlson e ngulën më thellë gjurmën e Shumanit në rrugëtimin drejt famës. Në fillimet e veta Shuman bënte vetëm kompozime për piano dhe te e vona filloi të realizonte kompozime për orkestra, kore, etj.

Galerina muzikore dhe kompozicionale

Opusi krijues i këtij kompozitori është i begatshëm dhe i përbërë nga veprat për piano, këngë solo, simfoni, koncerte deri tek ato të mëdha skenike opera. Një ndër format e reja e shfaqur në epokën e romantizmit janë miniaturat pianistike në të cilat ky kompozitor shpreh natyrën e tij romantike, fantazinë e tij personale. Këto vepra Shumani i ka të përmbledhura në cikle e të mbështetura në program, të njohura janë: “Karnavali”, “Fluturat”, “Skena fëmijësh” dhe “Albumi për rininë”. Vepra tjera pianistike të njohura janë “Pjesët fantastike” dhe “ Etydet simfonike” dhe temë me variacione “Krajsleriana”. Ai gjithashtu kompozoi kuartete për piano, fantazi për klarinetë e piano, trio për piano, sonata për piano e violinë etj. Kompozitori paraqet zhvillimin e tyre duke përdorur kontrastet më të thjeshta e deri tek momentet dramatike. Shumani gjithashtu njihet si një ndër kompozitorët e këngëve solo. Ka kompozuar rreth 130 këngë solo dhe janë të njohura ciklet “ Dashuria dhe jeta e gruas” dhe “ Dashuria e poetit”. Ka kompozuar 4 simfoni ( B dur, C dur, Es dur dhe d mol) të cilat përmbajnë tiparet tipike të Romantizmit dhe më e njohura është simfonia e 3-të e tij në Es- dur (Simfonia e Rajnës). Vepra të tjera të njohura të këtij kompozitori janë edhe ato Vokalo-instrumentale “Manfred” dhe “ Tablo nga Fausti”. Muzika e këtij kompozitori paraqet rëndësi të madhe edhe për popullin gjerman, por edhe për mbarë Evropën.

Dashuri si tjetër yshtje

Shuman ka patur një marrëdhënie pasiononte me bashkëshorten, e cila nuk ishte vetëm një kuratore e epsheve por dhe një ortake e zellshme, një “ëmë” e dëshirimeve të tij për muzikën. Në vitin 1840, pas shumë diskutimesh me profesorin e tij të parë të pianos, Friedrich Wieck, Shumani u martua me vajzën e tij Clara Wieck, e cila ishte gjithashtu e pasionuar pas kompozimit dhe muzikës. Ajo pati një karrierë shumë të suksesshme, ndërsa interpretoi dendur pjesë të kompozuara nga bashkëshorti i saj. I dashuruar pas Clarës ai gjente dhe frymëzimin për të shkruar mjaft kompozime, të cilat ia dedikonte asaj. Dhe për këtë ka një shpjegim, pasi deri në vitin 1840, Shumani ka shkruar vetëm pjesë për piano, por vetëm në atë vit ai arriti të realizonte plot 168 kompozime, jo vetëm për piano, por dhe për orkestra e kore.

Lëkundjet psikoke dhe tentativa për vetëvrasje

Lëkundjet e psikike, degëzim i cili mbase ushqehej nga rrënjët e një fëmijërie të rrëmujshme dhe mëdyshëse, morën frerët e jetës së kompozitorit të madh. Megjithë aktivitetet koncertale, Shumani mbetet personi më i paintegruar. Shenjat e depresioneve dhe të manive te Robert Shuman tani u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Ai rrinte gjithë natën zgjuar dhe ankohej se në kokë i buçisnin pjesë të tëra orkestrale. Megjithatë, në katër vjetët e tij në Dyseldorf ai mundi të shkruante një të tretën e gjithë veprës së tij: midis të tjerash, Koncertin sot të famshëm në botë për Violonçel, Koncertin për Violinë, Meshën op.47 dhe “Rekuiem”-in.

Një ndërkohe, Johannes Brahms viziton Shumanin në Dyseldorf. Roberti entuziazmohet nga pianisti dhe kompozitori i ri dhe i shtron atij rrugën për karrierën muzikore. Një rreze drite, kësisoj u orvat t’i kthente ekuilibrin psikik këtij, por pa mundur ta paqtojë këtë shpirt të trazuar.

Shumani kalon gjithnjë e më tepër në një gjendje problemesh mendore. Më 27 shkurt 1854, në një moment kur nuk e pa njeri, doli nga shtëpia për t’i bindur një demoni që e tundonte së brendshmi. Është e Hëna e Karnavaleve, kur të gjithë Rajoni i Rinit feston, askujt nuk i bie në sy burri, i cili ecën drejt Rinit, ngjitet mbi kangjella dhe hidhet në lumë. Kjo tentativë i shkon huq kompozitorit, i cili megjithatë i dorëzohet vdekjes dy vite më vonë, ndërsa trajtohej në një spital në Bon. Ky ishte Robert Shuman, romantiku shpirttrazuar.

 

SHKARKO APP