Roland Qafoku: Rama-Basha, java e fundit për betejën e fundit
(Rubrika Vera e re në fuçinë e vjetër)
Dy liderët kryesorë Edi Rama i PS-së dhe Lulzim Basha i PD-së në javën finale ku ndahet fati i zgjedhjeve por edhe i tyre, pasi cilido të jetë rezultati, njëri nga të dy do të kalojë në “pension politik”. Strategjitë që kanë zgjedhur në fushatë, ngjashmëritë në stilin politik me dominimin e konceptit “One man show” dhe dallimet në përçimin e mesazheve.
Nga ROLAND QAFOKU
57-vjeçari Edi Rama dhe 47-vjeçari Lulzim Basha e kanë vendimtare këtë javë që nisi sot. Shtatë ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit dhe çfarëdo rezultati të kemi të dielën që vjen, njëri prej të dyve do nisë një epokë të re. Nëse do fitojë Edi Rama do nisë epokën e kryeministrit të 33-të në historinë e shtetit shqiptar që fitoi si asnjë tjetër tre mandate dhe nëse fiton Basha do nisë epokën e tij të qenit për herë të parë kryeministri i 34-ët në aradhën e kryeministrave shqiptarë. Për këtë arsye kjo javë është vendimtare. Ajo duket si 400 metërshi i fundit i garës së 10 mijë metrave në atletikë dhe të dyve u duhet sforcoja e fundit në xhiron e fundit për të arritur në finish. Në të dyja rastet, ose Edi Rama, ose Lulzim Basha do shkojë në pension politik. Fushata e personalizuar e stilit “One man show”po vlen për të dy. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë ata kanë bombarduar ekranet e televizioneve, portalet on line dhe ato pak gazeta print që vijojnë të këmbëngulin se letra nuk mund të vdesë, duke na treguar njëkohësisht se është një betejë politike për ekzistencë.
KOMUNIKIMI POLITIK I RAMËS DHE BASHËS
Si Edi Rama dhe Lulzim Basha komunikimin me publikun e kanë patur në qendër të procesit dhe fushatës së tyre politike. Është teori e provuar nga profesori britanik Brian McNair se edhe në rastin shqiptar të kësaj fushate, dueli Rama Basha kanë patur qëllimin e tyre për të influencuar në të gjithë mjedisin politik. Pavarësisht ndarjes i djathtë dhe i majtë, pavarësisht programeve të ndryshëm dhe pavarësisht qëllimit final, ata ndajnë me njëri-tjetrin pothuajse të njëjtin stil të komunikim politik. Një element i këtij komunikimi ka qenë komenti i drejtpërdrejtë që Rama dhe Basha i kanë bërë kandidatëve kundërshtarë për deputetë. Edi Rama përdori metodën e fotografive në versionin jo shumë të përshtatshëm për publikun duke i komentuar një më një deri në përqeshje. Gjatë fjalimeve të tij, ai vendoste fotot e tyre në led ëall dhe u jepte nga një përcaktim negativ. Në stilin e komunikimit kjo është një teori e studiuar në SHBA në një eksperiment me studentë të cilëve u vunë përpara foto të kandidatëve për zgjedhje dhe ata reagonin me mimikë sapo shikonin fytyrat e atyre kandidatëve. Dikush buzëqeshte dhe dikush shtrembëronte fytërën që nënkuptonin percpetimi që kishin studentët për kandidatët. Rama e përdori me mjeshtëri këtë eksperiment për të cilin duhet thënë se në një farë mënyre ngjiti te publiku. Ndërkohë Lulzim Basha jo vetëm reagoi duke e cilësuar ofenduese dhe bullizuese këtë metotë të Ramës por ama njëkohësisht e kopjoi Ramën. Tashmë jo me foto por me një video me disa figura të Partisë Socialiste që sipas tij janë të korruptuar dhe nuk duhet ti votonin.
DY GARUES PËR “ONE MAN SHOW”
Sado kandiatët e tjerë kanë qenë prezentë nëpër ekrane dhe portale, përsëri Edi Rama dhe Lulzim Basha janë ata që e kanë dominuar skenën e fushatës zgjedhore. Të dy janë kudo. Të dy paraprijnë në çdo gjë dhe në partitë respektive PS dhe PD pothuajse nuk ekzistojnë numrat dy, tre, për të mos vijuar më tej. Ata janë më shumë se “One man show”. Në çdo takim, në çdo zonë, në çdo qark, ata dhe vetëm ata janë yjet e ditëve dhe netëve të gjata. E nisi i pari Rama duke kthyer makinën në një zyrë. Në jo pak raste ai transmetoi live në facebook në ERTV biseda jo aq të rastësishtme me drejtues politikë të qarqeve, ndërsa makina që ai ishte pasagjer lëvizte në rrugë. Nuk ishte shumë e vështrië të vëreje se telefonata me ministrat Niko Peleshin dhe Evis Kushin ishin aq të kuruara saqë vartësit më shumë kishin merak se çfarë do mendonte kryetari se sa çfarë do dëgjonte publiku. Me shprehje të tipit “kemi marrë masa” dhe “populli na mbështet”, të dy ministrat mendonin se luanin dramë por në fakt luanin komedi, ndërsa regjizori Rama kuptonte situatën në terren. Edhe Lulzim Basha përdori makinën në ecje si vend për të dhënë mesazhe. Në fillim ai publikoi një spot duke drejtuar makinën vetë duke patur si pasagjere bashkëshorten. Por, menjëherë pas kësaj rrjeti mori flakë. Mungesa e rripit të sigurimit i solli më shumë andrralla se sa efekt pozitiv te zgjedhësit. U duk sikur e rregulloi situatën kur pak ditë më vonë kur dha një intervistë duke drejtuar makinën. Apo një ditë tjetër kur hipi mbi kofano duke e përshtatur në podium foltoreje. Por as këto nuk ngjitën. Megjithatë ishte edhe më e rëndë stili studio-makinë e Edi Ramës në një emision humoristik me aktorë binjakë. Vetë tha se do drejtonte makinë, por skenari ishte i dobët. Makinën as e ndezi e as lëshoi frenat dhe nga ajo skenë nuk u kuptua gjë përse u realizua. Për ta mbyllur me historinë me makina të gjyshit të tij Vlash Rama. Një djalë i ri shqiptar në fillimet e shekullit të kaluar i çmendur pas makinave duke u bërë edhe kampion kombëtar në gara por që Edi Rama na e vizaton si të ishte themeluesi i kokëkuqes, Enzo Ferrari. Falë makinës më të bukur në Shqipëri, nga shofer i kryetarit të bashkisë së Durrësit Vlashi u bë shofer i mbretit Zog dhe pas 1 shekulli kjo është një histori për ta patur një farë mburrjeje. Por paradoski është se nipi i tij kryeministër nuk di ende të drejtojë makinën pavarësisht se në fushatë makinën e ka kthyer në zyrë.
FRAZAT SULMUESE NDAJ NJËRI TJETRIT
Gjuha e Edi Ramës dhe e Lulzim Bashës në fushatë është pothuaje e barabartë në metodë por jo një stil. Themi pothuajse se Rama ka më shumë fjalor. Ka më shumë ngjyrim dhe etiketime. Ndërsa Basha ka më shumë stampë në artikulimin e tij dhe për hir të së vërtetës pak fraza të mbeten në mendje. Por ajo që i bashkon të dy është dhënia e mesazheve. Në këto tre javë të fushatës është vënë re një përplasje në fjalimet e tyre. I pari e nis Rama gjithnjë. Pastaj ia kthen Basha po gjithnjë. Ja disa fraza të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës që lidhen direkt me njëri-tjetrit. Akuzojnë, shajnë, etiketojnë, kritikojnë, përkëdhelin, ofertojnë dhe në fund janë po ata të dy.
10 fraza të Edi Ramës për Lulzim Bashën:
Me taksën e sheshtë Basha u çon para oligarkëve.
Gjumi është ngjitës. A ka ndonjë që mendon se ajo fatkeqësi që bie në 3 të natës mund ta zgjojë Lulzim Bashën? (Duke publikuar një foto pranë një zyre të PD në të cilën një qen është shtrirë dhe fle gjumë).
I thashë ndahu nga Iliri e Saliu e bashkohemi, por refuzoi. Vetëm ai mund të jetë njëherë spiderman dhe njëherë borëbardhë me 7 xhuxha!
Po pse vallë janë më të rëndësishëm për ty Saliu dhe Iliri se sa Shqipëria, Lulëzim?! Shqiptarët duan bashkim, duan që ne të gjithë të punojmë për ta dhe ekonominë e tyre përtej pandemisë, duke e lënë pas politikën e vjetër të sherrit, dasisë, konfliktit deri në absurd! Pse ti jo?
Çuarja për skrap e LSI-së, ishte një projekt i përbashkët me Lulzim Bashën, por i tradhtuar nga Basha.
Lulzim Basha nuk është rrezik për demokracinë, nuk është problemi i këtij vendi por është kukull në duart e Sali Berishës dhe Ilir Metës që e kanë lidhur me zinxhirin e Monikës dhe është një kukull që nuk argëton askënd, përkundrazi nuk i duhet askujt.
Vaksinimi dhe distancimi do të na nxjerrin së shpejti fitues si popull e si shtet mbi armikun e padukshëm, ndërsa turpi i infektimit të përditshëm do të jetë vula që do t’i mbetet humbësve të 25 prillit.
Nëse kthehem tek shembulli i asaj gruas që burri i lunate bixhoz, më 25 prill, burri është PD-ja dhe gruaja është PS-ja. Kush do një forcë që në krye të vendit sillet si një grua, voton Partinë Socialiste. Kush do që në krye të vendit të ketë një burrë që luan bixhoz, të votojë PD-në.
Sa i përket pyetjes për Lulin, për familjen, s’dua të bëj koment. Unë mendoj që është sinqerisht për t’u admiruar një njeri që gatuan me këpucë. Që gatuan me këpucë të shtunën mbrëma, se kjo bën diferencën.
Lulzim je bërë një manekin qesharak i pengmarrësve të tu dhe pasi shkon në festën e popullit të Elbasanit me flamuj partie e me një turmë ulëritësash, flet përçart për banda e për kriminelë! Ndahu nga Likja e Saliu, këpute zinxhirin e Monikës, se lider s’je dot, po bëhu pak burrë!.
10 fraza të Lulzim Bashës për Edi Ramën
Edi proparama, të gjithë e dinë që me ty Shqipëria ka ngecur në vend.
Nuk bëri asgjë në 8 vjet dhe tani kërkon mandatin e tretë.
Zotit kryeministër i ka ikur mendja kur sheh shqiptarët e bashkuar për ndryshim.
E ke kuptuar se ke humbur, kërkon të bëhesh pjesë e qeverisjes me Aleancën për Ndryshim. Përgjigja ime është “jo”!
Premtove çeljen e negociatave me BE-në, por kushtet u shtuan nga 3 në 15.
Mijëra familje shqiptare po vuajnë nga përmbytjet, ngrica, pandemia dhe kriza ekonomike, ndërsa Tirja i qeverisë e ka mendjen të gajaset në tëitter. Asgjë nuk i mbulon dot dështimet e Tires së qeverisë, as skandalin e darkës luksoze në Dubai, as shumëfishimin e pasurisë së tyre.
Vendoseni veten në pozitën e një njeriu që për tetë vite ka patur gjithçka në dorë. Pushtetin më të pakufizuar që nga koha e Enver Hoxhës, e ka patur ky njeri dhe ta katandisë vendin në këtë derexhe.
Nga mëngjesi në darkë merret me mua. Si do i përgjigjet xhaxhait, për pensionet. E la vendin në baltë e llucë, në 25 prill është dita juaj. Ftesa ime ndaj jush, siç jemi mbledhur këtu fshatçe, mblidhuni që në orët e para dhe hidhni votën për ndryshimin që meritoni, ndryshimin që ka ardhur.
100 dështimet e Ramës në 8 vite. Sa do t’u kushtojë shqiptarëve lufta personale e Edi Ramës me sipërmarrësin italian Francesco Beçhetti? Përgjigjia: 110 milionë euro për shkak të papërgjegjshmërisë së Edi Ramës, çdo shqiptar do të paguajë 4.560 lekë për mbylljen e televizionit “Agon”.
Rama e di tashmë fare mirë se do të humbasë, prandaj po përdor çdo marifet të pistë. Pas grevës në aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë qëndron vetë Rama. Ai është i vetmi përgjegjës për këtë. I bëj thirrje Ramës ta ndërpresë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve që sot duan ndryshim dhe shpresë pas 8 viteve të dështimeve të tij.
GJUHA E TRUPIT DHE IMAZHI
Lexo edhe : Ministri turk flet për konferencën e tensionuar me Dendias: I kaloi kufijtë
Body language është termi që mund të përcjellës mesazhe vetëm nëpërmjet xhestikulacioneve dhe imazhi nëpërmjet pamjes së jashtme. Të dy, si Rama dhe Basha kanë qënë të kujdesshëm në këtë drejtim dhe dallohet qartë që marrin këshilla nga specialistë. Të dy duken të bindur siç u bind edhe Maragaret Thatcher 4 dekada më parë kur ia pranoi pikëpamjen specialistit të komunikimit Brendan Bruce se rrobat në trup përçojnë mesazhe, sepse ato tregojnë shijen dhe se në ato shije shprehin personalitetin. Edhe pse jo befasues, Edi Rama vijon të ketë në stilin e vet veshjen sportive. Ai e tha edhe me gojën e vet se “unë jam vetja ime kështu dua të vishem dhe nuk ndryshoj dot”. Spontan dhe përherë në trup mban një gjë të re, ai vijon të ketë stilin e tij. E fundit në atletet e tij legjendë, tashmë është stampuar trëndafili i Partisë Socialiste. E rrallë kjo. Ndërkohë Lulzim Basha e ka lënë mënjanë kravatën në këtë fushatë. Ndonëse me kostum, ai është shfaqur më sportiv. Kujdesin më të madh duket se i ka kushtuar fytyrës. Është kuruar në maksimum për të dukur pa asnjë defekt në pamjen e jashtme aq sa edhe fotografia në librin “Misioni im” është vërtetë është e paretushuar, por pudra mbi masë në fytyrë kur ka dalë në foto është i dallueshëm me tepricë. Rama nuk e ka hequr deri tani bluzën me numrin 12. Maskën anticovid e ka ndërruar përditë, por jo numrin 12 dhe logoja e trëndafilit socialist nuk mungon aty.
Edhe raporti i kryetarit me seksin e dobët ka qenë pjesë e fushatës. Ndërsa Edi Rama nxitoi të nxjerrë jo pak në pah raportin e gruas dhe vajzës në kabinetin e tij duke treguar se 9 gra kundrejt 6 burrave është rekord kombëtar në 109 vjet shtet. Në një spot rreth 2 minuta Rama shfaqi një e nga një gratë e PS në vendimmarrje që nisnin nga Luljeta Bozo dhe përfundonin te Elva Margariti duke shtuar edhe vetë një frazë që ai e kja të vetën duke përçmuar burrat: Nëse do të bësh një punë, jepja ta bëjë një gruaje. Por edhe Basha nuk ia la mangut duke ia kthyer sikur e përgjon për çdo gjë. Përpara selisë së PD-së ai publikoi një spot i rrethuar nga gratë dhe vajzat e PD-së, shumica kandidate. Stonimi ishte se ndërsa në krahun e djathtë Basha kishte Jorida Tabakun që e meriton atë pozicion, në krahun e djathtë ishte Grida Duma që më shumë dukej sikur i bënte karshillëk grave të tjera, se sa ndihmonte kryëtarin për të sjellë mesazhin dhe respektin ndaj femrës.
BETEJA E EMISIONEVE
Edi Rama dhe Luzim Basha kanë zgjedhur që çdo ditë të fushatës pothuajse ta mbyllin duk u shfaqur në një emision të mundshëm. Duket hapur që nuk e duan shumë këtë, por duket po aq hapur që u duhet shumë. Rama kujdeset të shkojë te të gjithë gazetarët, emisionet dhe televizionet e mundshme. Kjo madje ka kaluar në tepri. Ishte irrituese edhe për një student të vitit të parë të gazetarisë se si në një nga mbrëmjet televizive, Rama ishte ftuar nga një gazetare e cila përpiqej jo pak por nuk arriti të formulonte qoftë një pyetje të vetme dhe Rama që e korrigjonte si mësuesin nxënësin pse ishte tap topi. Epo, për një votë më shumë, nuk mund të shkosh përballë çdo gazetari të mundshëm. Me këtë ose mendon se e ke të lehtë të përballesh, ose synon ti tregosh publikut se ku është niveli i gazetarisë. E vështirë për ta ndarë. Ndërkohë Lulzim Basha vijon të bëjë selektime për të qenë në emisione që ai i ka qef dhe që e përkëdhelin, aq sa mes gazetarësh ka dalë si batutë që një moderatore kur nuk ka kë të ftojë, merr Bashën. Ndërsa te shumë e shumë të tjerë ai nuk shkon, se ashtu është një punë. Ama të gjithëve u thotë po. Në këtë fushatë, risia është se përpos emisoneve politike kanë zgjedhur të jenë edhe në talk show humoristike. Në fakt vetëm humor nuk kemi parë te këto pjesëmarrje. Rama që e përdor batutën, u duk aq serioz në një nga këto dalje saqë dukej me të vërtetë në një emision të zakonshëm politik.
LUFTA NË FACEBOOK
Duket se në facebook Edi Rama është kampion. Kryetari i Partisë Socialiste ka 1,331,324 ndjekës në faqen e tij zyrtare. Ndërkohë që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka 603,517 ndjekës. Në vend të tretë është Monika Kryemadhi ka 79,212 ndjekës. Të tre i kanë faqet plot e për plot me tekste, foto e video. Në çdo moment kanë pastime dhe kuptohet lehtë që stafet punojnë non stop. Po a janë vota like-sat dhe folloëers-at? Në kushtet shqiptare nuk besohet kjo. Nganjëherë madje ngjasojnë me mbushjen e shesheve në mitigje dyditë para votitmit. Të dy sheshet janë plotë me mbështetës, të dy duken të entiziastmuar, por rezultati i votimit rezulton me shumë diferencë.
HISTORIA E NGJASHME E DY YJEVE POLITIKË
Nëse e studion me kujdes të gjithë karrierën politike të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës gjen shumë të përbashkëta. Të dy të lindur në Tiranë. Të dy me eksperienca jashtë Shqipërisë. Të dy me pasion për politikën. Të dy u futën në politikë duke u mbështetur nga kryetari paraardhës të PS dhe PD. Të dy ushtrues të sporteve me lojrat me dorë. Të dy më të gjatët në kampet e tyre politike, Rama 1.98 dhe Basha 1.87. Në fakt, këto janë disa cilësi edhe rastësore. Por janë disa të tjera që i bashkojnë të dy big-ët e PS-sën dhe PD-së. Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë të përbashkët faktin që duke qenë kryetar i bashkisë janë bërë kryetar të partisë, Rama kryetar i PS dhe Basha kryetar i PD. Edi Rama dhe Lulzim Basha ditën e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës kanë qenë pothuajse në të njëjtën moshë. Edi Rama ishte 36 vjeç, 2 muaj e 28 ditë në zgjedhjet lokale të 1 tetorit 2000, ndërsa Luzim Basha ishte 36 vjeç, 10 muaj e 26 ditë në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. Dhe për t’i vënë vulën ngajshmërive. Basha sapo publikoi librin “Misioni im”, një shenjë që ai ose ecën në rrugën e Edi Ramës ose ngjan “rastësisht” me të po të mendojmë se Edi Rama ka botuar tre libra në jetën e tij, “Refleksione”, “Album në bashkinë e Tiranës” dhe “Kurban”.
DALLIMET RAMA-BASHA
Por mes tyre ka edhe dallime. Nisin nga diferenca prej 10 vjetësh në moshë dhe përfundojnë nga stili dhe mënyra e të bërit politikë. Edi Rama ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës duke patur katër kryeministra Ilir Meta, Pandeli Majko, Fatos Nano dhe Sali Berisha, Basha me dy kryeministra Sali Berishën dhe Edi Ramën. Edi Rama e mori drejtimin e PS 41 vjeç, ndërsa Basha e mori drejtimin e PD 39 vjeç. Edi Rama ishte 26 vjeç kur u involvua me revoltën e studentëve në Tiranë duke qenë protagonist që më parë si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ndërsa Lulzim Basha, një 16 vjeçar gjimnazist në gjimanzin “Sami Frashëri” i angazhuar modestisht në lëvizjen e asaj kohe. Si Rama dhe Basha kanë fituar si kryetar të Bashkisë së Tiranës në koalicion me LSI, Rama në zgjedhjet si kryetar në 2007 dhe Basha në zgjedhjet e 2011 si kryetar i bashkisë. Edi Rama dhe Lulëzim Basha janë bërë kryetarë të PS e PD me forma të ndryshme votimesh partiake; i pari nga delegatët dhe i dyti nga anëtarësia. Rama ka marë 297 vota pro dhe 15 kundër në kongresin e PS të vitit 2005, ndërsa Basha ka marrë 33.220 pro dhe 8060 vota nga e gjith anëtarësia e PD. Të gjitha këto, të përbashkëta dhe dallimet, mund të ndikojnë por edhe mund të mos ndikojnë në shumë gjëra. Por jo në rezultatin e votimit të 25 prillit. Sido që të jetë, njëri prej tyre, ose Rama ose Basha do shkojë në shtëpi për të gëzuar pensionin politik. Të presim edhe shtatë ditë kush do jetë. Gazeta Fjala