Rrëfimi për Profetin, e dehur

 

Kurrë nuk ka qenë e mundur që të jepet një gjykim racional dhe pa emocione për Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Ai ishte Profet, për shumicën. Por ishte edhe i dehur, për një pjesë tjetër. E vërteta gjendet diku në mes. Si e shoh unë rolin e tij përgjatë fundviteve të 80-ta, viteve të 90-ta dhe deri në vdekje

Kryeministri i famshëm i Republikës Popullore Kineze, Chou En Lai (Zhou Enlai), në vitin 1972, i pyetur që të komentonte Revolucionin Francez të vitit 1789, kishte thënë: "Është shumë herët ta vlerësojmë ketë ngjarje". Pra, edhe 200 vjet pas, i dukej herët. A është herët të flasim për Ibrahim Rugovën, në këtë ditëlindje të tij? A ka mundësi që figura e tij të shikohet, edhe me ca ngjyra tjera, pos atyre bardhezi, që kryesisht e kanë përcjellë ketë figurë. Kështu në vitin 1999, për figurën e Rugovës assesi biseda nuk do të mund të zhvillohej me një ton normal. Ose kishte të tillë që thoshin se e ka hak plumbin në ballë për tradhti dhe sabotim të luftës, ose që thoshin se Rugova ishte i përzgjedhur i Zotit, një lloj Messia, që po i printe 'popullit të Izraelit' për në tokën e premtuar. Ekstremet ishin të skajshme. E edhe sot e kësaj dite, ndonëse vdekja e ka bërë të veten, ndarjet janë të thella. Madje deklarata e Kryetarit të PDK'së, Hashim Thaçi, se "Rugova ishte njeri i momenteve pivotale" më shumë tingëllon cinike se e sinqertë. Pak a shumë në këtë drejtim e mirëkuptoj Rexhep Qosjen që ndihet i prerë në besë nga kjo kthesë e madhe e ish aleatit të tij.

Por si e vlerësoj unë Ibrahim Rugovën? Sigurisht që një armatë e tërë e militantëve të Rugovës po pret të thotë se 'kush je ti që ta vlerësosh atë'. Mirëpo, unë nuk po ia vë pikën kësaj teme. Por për shkak që aq shumë kemi folur për 'shallin', siç e quanin, do të ishte e pamundur që të mos e kisha një mendim timin për të. Për shkak të qëndrimi të tij të gjatë në politikë – prej fundit të viteve të 80'ta, e deri në fillim të vitit 2006 kur edhe vdiq – është e pamundur që roli i tij të shihet vetëm prej një këndi. Pra, sipas meje, për Ibrahim Rugovën duhet të flasim në disa epoka, ose periudha. Dhe madje, edhe roli i tij, e posaçërisht niveli i tij, dallon shumë prej një dekade në një tjetër.

Periudha e artë: 1989 – 1995

Kjo ishte periudha e vetme, gjatë gjithë jetës së tij, kur Ibrahim Rugova po i printe popullit si një intelektual dhe filozof. Ky në fakt është i vetmi Rugovë që mua më pëlqen. I thellë. I guximshëm. E mbi të gjitha i veçantë. Në fakt, e them me bindje, se këto ishin 6-7 vitet e vetme, përgjatë gjithë historisë tonë, kur Kosova ishte në duar të një politikani/filozofi/vizionari të shkëlqyeshëm. Kjo ishte periudha e vetme kur askush nuk mund të thotë se, po të ishte dikush tjetër në ballë të popullit, gjërat do të kishin shkuar më ndryshe. Po flasim për një epokë, kur çdo gjë po ndryshonte me një shpejtësi të dritës në pjesën më të madhe të Europës dhe të botës. Kjo ishte koha kur përveç që po shembej komunizmi, po shembej edhe Jugosllavia, po rilindte religjioni i të gjitha formave. Kurse rrymat nacionaliste kishin dalë nga shtrati.

Posaçërisht, për fatin tonë të keq, tek ata që ishin edhe zyrtarisht 'shefat' tanë, serbët. Pra, rrëmbyeshëm po shembej çdo gjë për të cilën ne ishim duke u mbajtur në dekadat e fundit. Po rrezikonim të ngelnim krejtësisht pa busull. Derisa në Kroaci dhe Slloveni liderët komunistë e kishin marrë përsipër t'i prinin qytetarëve të tyre edhe në ketë periudhë të tranzicionit, këtu tek ne as që bëhej fjalë për liderë të tillë. Sepse, sipas të gjitha gjasave, të vetmit në Jugosllavi që kishin besuar në shtetin jugosllav, kishin qenë komunistët nga Kosova, si Fadil Hoxha, Mahmut Bakalli etj. Në rrethana të reja, të dytë këta, e kishin futur bishtin nën shalë, dhe po çuditeshin nga monstruoziteti i nacionalistëve serbë. Shih për ketë, sipas të gjitha gjasave, këtë lloj të politikanëve, lideri jonë i ardhshëm, Ibrahim Rugova, kishte vendosur ta mbante larg vetes. U desh të përfundonte lufta, të vinin në Prishtinë komandantët për t'i rehabilituar figurat e dyshimta. PDK kishte zgjedhur ta rehabilitonte Fadil Hoxhën, kurse AAK Mahmut Bakallin. Por kjo është një temë tjetër.

Ajo çfarë ishte e rëndësishme, sipas meje, ishte se në këtë kohë ndryshimesh të mëdha, Ibrahim Rugova ia kishte dalë me sukses të zgjidhte rrugën e duhur, në fakt të vetmen, e që si rrjedhojë e saj ne jemi këtu. Normalisht që në ndërkohë janë bërë edhe shumë lëvizje të tjera, qoftë prej tij, qoftë prej të tjerëve, por ky ishte hapi i parë, i duhur. Çfarë bëri mirë Rugova, ose çfarë mund të bënte keq ai? Siç e thamë edhe më sipër fundi i viteve të 80'ta, ishte koha kur po bashkohej Gjermania, po copëtohej Bashkimi Sovjetik, e edhe Jugosllavia. Kjo e fundit ne na interesonte më së shumti, sepse e dinim se ishte një proces që nuk ndodh çdo ditë. Pra, të gjithëve përreth nesh po u ngutej, e ne kishim më së shumti arsye që të nguteshim. Ne po e shihnim se si as vëllezërit, kroatët, serbët dhe boshnjakët, nuk po dëshironin të jetonin më së bashku, e lëre më ne, që vazhdimisht ishim konsideruar si bërlloku i Jugosllavisë. Pra, ekzistonte ideja, e edhe gatishmëria, që të nguteshim për t'i kapur armët për të shpallur pavarësinë tonë, që ta zinim trenin, që nuk do të vinte prapë edhe 100 vjet të tjera. Por cilat armë? Ato që nuk i kishim… Dhe mandej dëgjoheshin zëra, që sapo ne të nisnim luftën, armët do të vinin vetvetiu. Por prej ku? Kishte një varg pikëpyetjesh, secila më kritike se tjetra. Kishte shumë ide, secila më fatale se tjetra. I vetmi që nuk po e merrte vesh se çka po ndodhte, ishe populli. Ishte një udhëkryq i jashtëzakonshëm.

Kurse populli ishte i gatshëm ta përqafonte, atë ide ose ketë ide. Pra, kjo ishte një kohë e tillë, që populli fare lehtë mund ta përqafonte edhe idenë që ne duhet të shikonim kah Lindja, por edhe idenë që ne duhet të shikonim kah Perëndimi. Kjo ishte koha kur ne e donim liderin komunist shqiptar Enver Hoxhën në Shqipëri, por e urrenim komunizmin dhe diktaturën. Ekstremet dhe lëkundjet ishin të jashtëzakonshme. Madje për hir të vërtetës, e mbaj mend si gjimnazist, që përkrahja popullore për luftën e Gjirit shkonte më shumë në favor të Sadam Hysenit, sesa Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç kishte qenë më e madhe përkrahja për të çmendurin e Libisë, Moamer El Gadafi, krahasuar me Presidentin Amerikan Ronald Regan. Sot, nga kjo perspektivë, kur të gjithë jemi të qetë në shtëpitë tona, dhe kur e dimë rolin e Perëndimit për çlirimin tonë, është shumë e lehtë të thuhet se Ibrahim Rugova, në vitin 1989/90/91, e kishte bërë zgjedhjen e vetme të duhur, duke u rreshtuar pa asnjë dyshim drejt Perëndimit. Madje, simbolikisht, ai e kishte bindur edhe popullin se fotografia e tij me Papa Gjon Palin assesi nuk i bën më pak myslimanë shqiptarët e Kosovës. Dhe për çdo të premte, jo për çdo vit, e as çdo muaj, por çdo javë, e recitonte dedikimin e tij drejt Perëndimit. Ai ketë nuk e thoshte për ne, por e thoshte për Perëndimin. Ishin këto vitet kur Presidenti Rugova arriti që ta shpëtonte Kosovën prej një tragjedie biblike.

Me një durim të pazakonshëm luftën që ishte e dedikuar të shpërthente mbi kokat tona e shmangu. E shmangu një luftë krejtësisht të barabartë, në të cilën Perëndimi do të ishte një monitorues gjakftohtë, siç ishte rasti, ta zëmë, me Bosnjën dhe Hercegovinën. Në fillim të viteve të 90'ta asnjë shtet Perëndimor nuk ishte as i gatshëm e as i interesuar që të lëvizte as gishtin për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Në këtë kohë, edhe më tutje nuk dihej qartë se kush ishte viktima dhe kush ishte agresori. OKB, NATO, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe më tutje ishin duke e hetuar se cilët ishin djemtë e këqij e cilët ishin të mirët në Ballkan. Dhe hapi më i mirë i mundshëm, kur të gjithë kishin kapur armët në dorë, kishte qenë që ne të bënim dallimin. Ne, kryekëput fal Rugovës, e kishim bërë dallimin. Në një rajon përplot me huliganë dallimi nuk bëhet edhe me një huligan më tepër. Por me një huligan më pak. Dhe kështu, kur Ballkani po digjej flakë, Ibrahim Rugova po jepte një leksion të jashtëzakonshëm për civilizimin. Që konfliktet duhej zgjidhur me rrugë paqësore. Kjo ishte melodia që Perëndimi po dëshironte ta dëgjonte. Dhe ata e dëgjuan. I dëgjuan në fakt dy gjëra, për së paku 6 vite me radhë: Që ne nuk dëshirojmë luftë dhe që ne jemi të përcaktuar për vlerat Perëndimore. Çfarë mrekullie. Çfarë mesazhi tjetër do të mund të dërgonim prej një rajoni banditesk. Ishte kjo hera e parë që ne po i çudisnim të gjithë, madje edhe vetën, me durimin dhe pjekurinë e treguar.

Kështu, ne u menduam që në dimrat e përgjakshëm Ballkanik të vazhdonim të besonim në 'filozofinë rugoviane'. Me kujtohen ato net dimrash të ftohtë të 90'tave, kur Sarajeva po përjetonte një tmerr të vërtetë, e ne në shtëpitë tona luanim piçpirik ose shah. Kohë pas kohe, kur ndodhte ndonjë masakër shumë e madhe ndodhte që ia shtonim vetëm pak zërin e televizorit. Shanim serbët, ndjenim keqardhje për boshnjakët, dhe e vazhdonim lojën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo do të ishte mrekullia vet, sikur gradualisht të mos na iknin vitet. Sikur Kosova të mos zbrazej çdo vit. Sikur arsimi të mos rrënohej me themel. Të mos flasim për ekonomi dhe shëndetësi. Pra, cili ishte kuptimi i pritjes? Ose, sa gjatë duhet të presim që të konsiderohet e mjaftueshme? Ato vizitat e nivelit të ultë të diplomatëve Perëndimor në Prishtinë filluan të mos na mjaftonin më. Filluam ta kuptojmë se ndoshta sekretarët e parë të ambasadave të huaja në Beograd mund të mos janë të mjaftueshme. Kurse tensioni sa vinte e po shtohej, kur edhe përkundër gjakut enorm të derdhur, po vinte fundi i krizës në Bosnje dhe në Kroaci. Dhe në këto situata mandej vijnë në shprehje ata zërat që vazhdimisht thonë: "a ju kemi thanë", "as nana nuk i jep gji bebes nëse ajo nuk qan", "nuk ka liri pa gjak".

*Express

SHKARKO APP