Rrëmbimi i gjashtë turqve nga një shtet i kapur
Nga Veton Surroi
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Po ju shkruaj me shqetësimin e krijuar me rastin e arrestimit të gjashtë qytetarëve turq në Republikën e Kosovës dhe dorëzimit të tyre autoriteteve turke. Brenda këtyre 24 orëve të ngjarjes kryeministri i vendit i ka shkarkuar dy zyrtarë, ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e AKI-së, me arsyetimin se “veprimet e djeshme ishin tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si shtet”.
Shqetësimi im është rritur pasi kam lexuar këtë shpjegim të kryeministrit. Në vendin tonë ka shumë veprime që bëhen në përditshmëri e që mund të cilësohen si “tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si shtet”. Kjo do të bënte që edhe veprimi me gjashtë qytetarët turq të kalonte si çdo gjë tjetër “e papranueshme” dhe “në kundërshtim me vlerat tona”, pra pa konsekuenca.
Por kam bindjen se akti i ndodhur me gjashtë shtetasit turq qe një sulm ndaj sistemit kushtetues -juridik të vendit, një sulm i bërë nga brenda dhe një sulm, i cili nëse nuk e merr përgjigjen e vet juridike e politike ka potencial të madh të thellojë edhe më uzurpimin e instrumenteve të shtetit dhe kufizimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vendit.
Sipas informatave, të cilat janë dhënë deri më tani këto fakte janë të padiskutueshme:
-gjashtë qytetarëve turq me qëndrim deri atëherë të ligjshëm në Kosovë iu ndërpre ky qëndrim me një vendim të beftë
-arsyetimi (jopublik) i ndërprerjes qe vlerësimi i AKI-së për ta si të dyshuar për terrorizëm
-ndërprerja e lejeve të qëndrimit u konsiderua si shndërrim i tyre në qytetarë me qëndrim të paligjshëm
-si të paligjshëm iu dorëzuan, nga ana e AKI-së dhe Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të shërbimit sekret turk të ardhur në Kosovë me aeroplan special.
Këto veprime, që kryeministri i quajti “tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si shtet” janë në fakt shkelje të hapura të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës.
Pjesëtarët e AKI-së kishin të drejtë, sipas Ligjit për të huajt (neni 5) që t’i revokonin lejet e qëndrimit të gjashtë qytetarëve turq. Madje, sipas ligjit, nuk duhet të jepnin kurrfarë shpjegimi në vendimin që do t’u lëshohej atyre nga Departamenti përkatës (DSHAM). Por sipas të njëjtit nen, pika 3, qytetarët turq kishin “të drejtë ankese në gjykatën kompetente”.
Qytetarët turq, qoftë nëpërmjet ankesës në ” në gjykatën kompetente” apo, sipas nenit 91, duke iniciuar ” konflikt administrativ në Gjykatën Themelore” do të mundë të qëndronin në Kosovë, sipas nenit 94 të këtij ligji edhe 30 ditë të tjera në Kosovë dhe pastaj të largoheshin vullnetarisht nga ky vend.
Por, ata u dëbuan, madje u dëbuan në kundërshtim me nenin 92 të këtij ligji, i cili në pikën 1 thotë se “Republika e Kosovës nuk duhet ta dëbojë ose kthejë refugjatin në asnjë mënyrë në kufijtë e territoreve, ku do të kërcënohet jeta apo liria e tij për arsye të racës, religjionit, përkatësisë kombëtare, anëtarësisë në një grup të caktuar shoqëror apo bindjeve të tij politike”. Meqë Turqia, sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut (shiko raportin e Human Rights Watch dhe Amnesty international), konsiderohet si vend ku ekzistojnë përndjekja politike dhe tortura, gjashtë qytetarët turq nuk do të duhej të ishin dorëzuar, madje edhe pasi të ishin kryer të gjitha procedurat legale të pezullimit të lejeve të tyre të qëndrimit.
Për më tepër, Kosova ka marrë vendim administrativ për largimin e këtyre gjashtë qytetarëve turq nga Kosova, por jo për ekstradimin e tyre një vendi të caktuar. Legalisht, ata kanë mundur të shkojnë në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi a Maqedoni po të kishin vendosur të kalonin kufijtë tokësorë, apo kudo që të kishin mundur në vijë ajrore. Por, autoritetet kosovare, pa procedurë ligjore ekstradimi, i dorëzuan autoriteteve turke. Kjo do të thotë se autoritetet kosovare kanë qenë bashkëpunëtore në privim jashtëligjor nga liria, rrëmbim. Pra, autoritetet kosovare kanë bashkëpunuar në një vepër penale.
Pra, nëse ia vlen rikapitulimi i thjeshtësuar, sipas informatave që i kemi deri më tani, autoritetet turke kanë kërkuar gjashtë qytetarë turq të dyshuar për terrorizëm dhe autoritetet e Kosovës ua kanë dorëzuar me vetëm një copë letre legaliteti, atë të përfundimit të lejes së qëndrimit.
Autoritetet e Kosovës kanë qenë të obliguara që të dëshmojnë, në procedurë të duhur ligjore se për çfarë veprimtarie terroriste bëhet fjalë. Ajo që quhet terrorizëm nga pushteti i sotëm në Turqi jo domosdo është terrorizëm në një shtet me traditë institucionale ligjore; ta quash dikë terrorist nuk është dëshmi e mjaftueshme.
Në rastin më të keq për qytetarët turq, pra edhe po të kishte dëshmi të mjaftueshme për veprimtari terroriste, këto dëshmi duhej të provoheshin nëpërmjet të procedurës administrative e gjyqësore. Çdonjëri prej të gjashtë të dyshuarve duhej të kishte mundësi mbrojtjeje. Dhe,pastaj, në rastin më të keq, edhe po të vërtetoheshin dyshimet e AKI-së, e t’u ndërpritej e drejta e qëndrimit në Kosovë, me datë të qartë largimi, do të duhej procedurë e veçantë ligjore për deportimin e tyre, sipas kërkesës së Turqisë. Njëkohësisht, të hapej procedura për dënim me burg për shkak të veprimtarisë terroriste.
Në vend të procedurave ligjore, autoritetet e Kosovës kanë rrëmbyer gjashtë qytetarë dhe ua kanë dorëzuar autoriteteve turke.
Veprimet e përfaqësuesve të shtetit të Kosovës nuk kanë qenë vetëm kundër gjashtë qytetarëve turq të rrëmbyer e dorëzuar. Këto veprime kanë qenë sulm kundër Kushtetutës së Kosovës.
Në nenin 3 të kësaj Kushtetute thuhet se vendi qeveriset “me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore” dhe se “ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht”.
Siç u pa, autoritetet që rrëmbyen gjashtë qytetarët turq nuk respektuan ligjet dhe barazinë e tyre para ligjit.
Neni 22 i Kushtetutës së vendit e bën pjesë të legjislacionit vendor Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, e në nenin 5 të kësaj konvente thuhet shprehimisht se çdokush, pra edhe gjashtë qytetarët turq kanë të drejtën “për liri dhe siguri personale” dhe “se askush nuk do të privohet nga kjo liri” pos nëse dënohet me ligj, gjegjësisht privohet nga ajo ligjërisht. Gjashtë qytetarët turq u privuan nga liria pa një proces ligjor.
Neni 24 i Kushtetutës thotë se “të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”, por kjo nuk ishte e vërtetë për gjashtë qytetarët turq. Fakti se ata qenë pjesë e një kërkese politike të një shteti tjetër, e jo një procedure gjyqësore-juridike, i bënte të përjashtuar nga barazia para ligjit. Rrjedhimisht, më e fortë qe kërkesa politike e shtetit tjetër se parimi i barazisë i Kushtetutës së Kosovës.
Neni 29 i Kushtetutës së Kosovës, pra ai që rrjedh drejtpërdrejt nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut duhej t’u siguronte gjashtë qytetarëve turq që si “Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit”.
Me këtë nen të Kushtetutës gjashtë qytetarët turq duhet të gëzonin këtë mbrojtje: “Çdokujt që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit”.
Me nenin 32 të Kushtetutës ata kishin të drejtën që t’i përdorin ” mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative, të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”, pra kishin të drejtën të kontestonin jo vetëm heqjen e së drejtës së qëndrimit, por aq më shumë, dorëzimin një autoriteti të një shteti tjetër. Por AKI-ja dhe Policia e Kosovës nuk e lejuan.
Dhe duke mos lejuar, u shndërruan në kategori mbikushtetuese, sepse sipas nenit 55 të Kushtetutës së Kosovës ” Të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”.
Veprimi që u quajt “i papranueshëm” dhe “kundër vlerave e parimeve tona si shtet” në fakt është shembje e sistemit kushtetues-juridik në themelet e veta të garantimit të drejtave të njeriut. Ky veprim i papranueshëm shkel me të dyja këmbët gjashtë nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që janë automatikisht të zbatueshme si legjislacion vendor dhe ligjet e dala nga ky sistem kushtetues. Pra, është një sulm ndaj sistemit kushtetues të vendit, lirive dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Qytetarët turq që u rrëmbyen dje ishin nën mbrojtje kushtetuese-juridike të Republikës së Kosovës; sikur qytetarët turq, çdo person në Kosovë sot mund t’i ekspozohet shkeljes kushtetuese e ligjore të pushtetit. Çdo person në Kosovë mund të pësojë veprime që ia cungojnë të drejtat e liritë njerëzore në saje të një urdhri politik a dyshimeve të Agjencisë së Inteligjencës.
Sulmi kundër Kushtetutës ka edhe adresa përgjegjësie, madje të përshkruara mu në Kushtetutën e Kosovës. Presidenti i vendit, sipas nenit 84, pikës 2 “garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”. I bie që juve dhe pastaj të gjithë qytetarëve t’u japë përgjegjësi se përse institucionet e këtij vendi rrëmbyen gjashtë qytetarë, gjegjësisht morën pjesë në një aksion rrëmbimi së bashku me institucionin e një shteti tjetër.
Në dhënien e përgjigjes duhet të bashkohet kryeministri i vendit, i cili sipas nenit 94, pika 3 “siguron zbatimin e ligjeve dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë”.
Që të gjithë ne kemi nevojë të dimë se kush dhe si dha urdhër që të shkelen Kushtetuta dhe ligjet e vendit? A garantoi presidenti i vendit funksionimin kushtetues të institucioneve apo bëri të kundërtën, duke marrë pjesë në urdhërdhënie? A siguroi kryeministri zbatimin e ligjeve apo nuk e bëri,dhe nëse jo pse?
Nga përgjigjet dhe vërtetimi i tyre duhet të dalin pasojat politike e juridike.
Republika e Kosovës ka nevojë t’i shkojë deri në fund këtij rasti.
Ka nevojë ta bëjë, sepse Republika e Kosovës u çlirua dhe u pavarësua si njëri prej projekteve madhore ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Me dhjetëvjetësh bota demokratike i ka përkrahur Kosovën dhe kosovarët; me mija azilkërkues kanë marrë strehim në kohën më të vështirë të përndjekjes, aleanca më e fuqishme e historisë së njerëzimit u vu në mbrojtje të popullit të Kosovës kur ai ishte i kërcënuar me gjenocid. Republika e Kosovës, gati njëzet vjet pas çlirimit dhe në dhjetëvjetor të pavarësisë nuk mund të bëhet shteti i parë evropian që shkel normat e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe merr pjesë në rrëmbim të qytetarëve të huaj në territor të vetin.
Republika e Kosovës ka nevojë t’i shkojë deri në fund këtij rasti, sepse të gjashtë të rrëmbyerit janë të rrëmbyer- nuk ka rëndësi nga janë, çfarë janë dhe si mendojnë. Një shtet që aspiron të jetë demokratik, si ky yni, duhet t’i mbrojë që të gjithë, sepse po nuk i mbrojti që të gjithë një ditë do të dalë si përndjekës i që të gjithëve. Dje u rrëmbyen gjashtë qytetarë turq, sot mund të rrëmbehen gjashtë anëtarë të kësaj partie politike shqiptare, nesër gjashtë anëtarë të një pakice kombëtare, pasnesër gjashtë persona që mendonin ndryshe prej të atyre që ishin në pushtet. Shteti, i cili rrëmbeu gjashtë turqit tashmë ka një kohë të gjatë që quhet shtet i kapur; rrëmbimi ishte vetëm njëra prej shkallëve të ulëta të degradimit moral, politik e shoqëror nëpër të cilin po kalon ky vend.
Dhe Republika e Kosovës ka nevojë t’i shkojë deri në fund këtij rasti për shkak të ardhmërisë. Kur disa prej nesh, më 1989, ndërsa binte Muri i Berlinit, shprehnim bashkërisht një platformë për Kosovën si shtet demokratik e evropian,kishim bindjen e thellë se atëbotë bëhej një përcaktim historik, për herë të parë në historinë tonë, për një Kosovë evropiane. Kosova, si një ëndërr evropiane, është një projekt i cili nuk mund të uzurpohet. Nuk është livadh e fabrikë, nuk është Televizion e PTK; Kosova evropiane është një domosdoshmëri e një populli, i cili pas ndrydhjes së okupatorëve po përjeton ndrydhjen e zaptimit. Republika e Kosovës ka nevojë t’i shkojë deri në fund kësaj pune, sepse sikur çlirimi e pavarësimi, evropianizimi i Kosovës është tashmë nevojë ekzistenciale e tij.
*Autori e ka shkruar kete ne formen e nje letre per deputetet e Kosoves. Botuar fillimisht në Koha Ditore