Rrotacioni i pushtetit po vjen…
Nga Eduard Zaloshnja
Ne që kemi përjetuar ditët e stuhishme të dhjetorit 1990, u entuziazmuam shumë kur filloi protesta aktuale studentore. Si atëherë, një grup studentësh u ngritën spontanisht në protestë për disa kushte ekonomike studentore, dhe marshimit të tyre iu bashkëngjitën mijëra studentë nga fakultete të ndryshme. Por krahasimi mbetet vetëm deri këtu.
Në krye të protestës nuk po ngjizet një grup udhëheqës studentësh e pedagogësh, siç ndodhi në dhjetor 1990, kur u ngjiz një grup i tillë (në përbërje të tij ishin Azem Hajdari, Tefalin Malëshyti, Shinasi Rama, Arben Imami, Sali Berisha, Arben Demeti, Gramoz Pashko, etj., etj.). Aktualisht, protesta studentore ka mbetur në kuadrin e një proteste për kushtet ekonomike dhe për përmirësimin e administrimit të universiteteve publike.
Çdokush që ëndërroi për një revolucion që do të lindte nga protesta studentore (përfshirë edhe mua), ka mbetur i zhgënjyer. Një revolucion i tillë (paqësor, jo i dhunshëm) do duhej t’i kundërvihej të gjithë kastës politike dhe ekonomike, duke i dhuruar vendit një forcë të re politike, që do ta qeveriste Shqipërinë ndryshe nga ç’e kanë qeverisur deri më sot PS-ja, PD-ja LSI-ja etj.
Për këtë revolucionin që ndoshta e presin 700 mijë banorë madhorë të Shqipërisë (të cilët nuk marrin pjesë në zgjedhje) ndoshta duhet pritur një ditë tjetër, por ndoshta është koha të fillojmë të flasim për rrotacionin.
Fakti që në protestën studentore po marrin pjesë bij nga familje me orientime të ndryshme politike, tregon se pakënaqësia ndaj qeverisë Rama (për të mos thënë ndaj vetë atij personalisht) nuk kufizohet vetëm tek familjet PD-iste apo LSI-ste. Pavarësisht se disa grupe studentësh mund të jenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të PD-së apo LSI-së dhe pavarësisht se protestat paralele të qytetarëve në rrethe mund të jenë organizuar nga PD-ja apo LSI-ja, problemet që ngrenë protestuesit rezonojnë tek një segment i gjerë i popullsisë. Edhe një familje e thjeshtë socialiste e ka problem të paguajë shtrenjtë për shkollën publike apo për karburantin dhe energjinë elektrike.
Në qoftë se qeveria nuk i adreson sa më shpejt këto probleme, protestat mund të ndjekin fabulën e ortekut, i cili fillon nga një top bore dhe bëhet gjigant rrugës, duke mbledhur me vete borën e malit. Dhe në qoftë se një ortek gjigant protestuesish zbret para kryeministrisë, qeveria mund të bjerë dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Praktikisht, zgjedhjet e parakohshme do të sillnin rrotacion.
Po në qoftë se protesta aktuale nuk arrin të marrë përmasat e ortekut, a do të ndikojë ajo për afrimin e rrotacionit?
Deri para protestës, shifrat e sondazheve që kam zhvilluar çdo muaj paraqisnin një tablo stanjacioni elektoral (përveç muajit të skandalit “Tahiri” dhe muajit të “Babales”). Numri i banorëve madhorë që ishin gati të votonin PS-në rrotullohej rreth 700 mijëshit (nga 765 mijë që votuan për PS-në në zgjedhjet e vjetshme). Nga ana tjetër, partitë e opozitës (të gjitha së bashku) mezi e arrinin 700 mijëshin në sondazhe. Historia elektorale e Shqipërisë ka treguar se, me një barazim të tillë statistikor paraprak, partia në pushtet arrin t’i fitojë lehtësisht zgjedhjet (gjatë fushatës ndizen të gjithë llojet e motorëve…).
Sidoqoftë, protesta aktuale mund të shkundë letargjinë e votuesve të majtë, të cilët deri më sot nuk kanë konsideruar alternativë tjetër votimi veç PS-së. Nuk mund të pritet që votues socialistë të zgjohen papritur e të votojnë për PD-në apo LSI-në, por ata mund të vendosin të mos votojnë fare. Dhe një rënie e PS-së nën kuotën e 700 mijë votave do ta rrezikonte shumë mandatin e saj të tretë në pushtet.
Kuptohet që rënia e PS-së nën 700 mijë vota nuk sjell automatikisht rrotacionin. Që të ndodhë ky i fundit, duhet që PD-ja të formojë një koalicion paraelektoral me LSI-në dhe partitë e tjera të vogla; PD-ja e vetme zor se ngrihet mbi kuotën e 500 mijë votave (nga 465 mijë që mori vjet në zgjedhje). Në fakt, në këto ditë të protestës, PD-ja dhe LSI-ja duken shumë afër njëra-tjetrës. Por nuk e dimë nëse do të mbeten po kaq afër, kur të afrojnë zgjedhjet dhe do t’u duhet të planifikojnë se si do ta ndajnë tortën e pushtetit që shpresojnë të marrin…/afp.al/